Kush është fajtor për 19 mijë veteranët dhe a do të ketë zgjedhje të reja? Flet Dardan Sejdiu

Politika

Kush është fajtor për 19 mijë veteranët dhe a do të ketë zgjedhje të reja? Flet Dardan Sejdiu

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 gusht 2018 Në ora: 21:41
Dardan Sejdiu

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se manipulimet me listat e veteranëve kanë qenë një sekret publik, prandaj, sipas tij, dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj e riaktualizoi këtë çështje dhe nxorri sheshazi parregullësitë e shumta, madje edhe këtë shifër prej 19 mijë veteranëve që e morën këtë status kundërligjshëm.

 “Manipulimet me listat e veteranëve kanë qenë një sekret publik. Të gjithë kanë qenë në dijeni se ato lista janë të fryera dhe si të tilla natyrisht që i kushtojnë jashtëzakonisht shumë buxhetit të shtetit. Tashmë dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj e riaktualizoi këtë çështje dhe nxorri sheshazi parregullësitë e shumta, madje edhe këtë shifër prej 19 mijë veteranëve që e morën këtë status kundërligjshëm. Është mjaft zhgënjyes fakti që në hetim e sipër të këtij rasti, një prokuror detyrohet të dorëhiqet. Kjo flet më së miri sa i kapur është sistemi ynë i drejtësisë. Kurse, fryerja e këtyre listave përveç dëmit të buxhetit, është një goditje e madhe ndaj vlerave të luftës”, ka thënë Sejdiu.

Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Sejdiu ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri e re me orientim socialdemokrat, ndërsa për Qeverinë “Haradinaj”, theksoi se nuk po dëshmon se ka kapacitet për ta ndryshuar gjendjen në vend.

“Kosovës i duhet një qeveri e re me orientim socialdemokrat! Çdo ditë nën këtë qeveri është regres për vendin. Kosova po mbetet me sovranitet të cunguar, pa zhvillim ekonomik, e zhytur në varfëri e korrupsion dhe komplet joserioze në rrafshin e politikës së jashtme. Qeveria Haradinaj nuk po dëshmon kapacitet për ta ndryshuar gjendjen”, u shpreh Dardan Sejdiu.

Intervistën e plotë me shefin e Grupit Parlamentar të PSD-së e gjeni nesër në gazetën kombëtare “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat