Avokat Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se, vonesa e ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale ka humbur kredibilitetin dhe besueshmërinë tek shqiptarët e Kosovës.
“Është paksa e çuditshme vonesa e ngritjes së akuzave të para nga Gjykata Speciale, por kjo fare nuk varet nga Gjykata, por nga zyra e prokurorit special në Hagë. Unë kam besuar dhe besoj ende se kjo gjykatë fare nuk ka të bëjë me Kosovën në aspektin juridik e as politikë. Kjo është një gjykatë ndërkombëtare penale dhe për ngritjen e akuzave të para dhe të fundit vendos faktori ndërkombëtar. Dhe për këtë arsye janë duke bërë gara udhëheqësit e Kosovës se kush do të jetë më i dëgjueshëm në raport me faktorët ndërkombëtarë. Për të ju bërë favore sa më të mëdhaja në dëm të Kosovës e me të vetmin qëllim që të shpëtojnë veten nëse janë në shënjestër të kësaj gjykate” ka thënë ai.
Tutje, avokati Gashi ka theksuar se koha për ngritjen e akuzave të para tashmë ka ardhur.
“Çështjet e acaruara politike në Kosovë nuk ndikojnë në mos ngritjen e akuzave në këtë Gjykatë, por në përzgjedhjen e të akuzuarve të cilët kanë ndikim. Dihet se qysh moti prokuroria në Hagë ka deklaruar se do të ngrisin akuza në kohën e duhur. Dhe koha tani mjerisht ka ardhur. Por, saktë askush përveç zyrës së prokurorit në Hagë nuk e din askush se kur do të ngritën akuzat e para dhe kush do të jenë të akuzuarit e parë. Me vetë faktin e vonesës më tepër se 3 vite nga nxjerrja e ligjit për Gjykatën Speciale kësaj gjykate i ka humbur kredibiliteti dhe besueshmëria tek shqiptarët e Kosovës”, ka përfunduar avokati, Tomë Gashi.