“Në Bruksel dhe Austri po copëtohet Kosova, Serbia po merr maksimumin”

Politika

“Në Bruksel dhe Austri po copëtohet Kosova, Serbia po merr maksimumin”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 gusht 2018 Në ora: 23:35
Thaci- Mogherini- Vuciq

Prezantimi i idesë për shkëmbimin e territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë nga ana e presidentit Hashim Thaçi në forumin që po mbahet në Austri ka sjellë reagime nga më të ndryshme.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas prezantimit të idesë së Thaçit për shkëmbim territoresh ka deklaruar se Kosovën dëshirojnë ta bëjnë kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale.

“Kosovën po duan ta bëjnë kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale. Vuçiqi do marrëveshje fitimtare për Serbinë, që ta fitojë bindshëm referendumin për ndryshimet kushtetuese atje. E tillë mund të jetë vetëm një marrëveshje fort e keqe për Kosovën. Por, Vuçiqit edhe po i ngutet, sepse: 1) Thaçi do t’i bëhet i papërdorshëm porsa ta akuzojë Gjykata Speciale; 2) Mogherini mbyll zyrën para fushatës për zgjedhjet evropiane të Majit 2019; 3) Marrëveshja duhet bërë gjersa Kosova ende nuk ka ushtri dhe Lëvizja jonë ende s’është qeveria e re”, ka shkruar Kurti në profilin e tij social Facebook.

Analisti politik Faton Mehmeti, thotë se Kurti ka të drejtë kur thotë se Kosova po bëhet kurban për integrimin e Serbisë dhe fatin personal të Thaçit.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti pohon se në marrëveshjen me Serbinë po negociohet fati i një njeriu në shkëmbim të territorit të Kosovës, i cili sipas tij, është në rrezik të madh të tkurrjes.

“Hashim Thaçi fatin e tij personal e ka lidhur mishërisht me viktimizimin e Kosovës, duke bërë çdo gjë që të shpëtojë nga Gjykata Speciale. Në marrëveshjen me Serbinë po negociohet fati i një njeri, në shkëmbim të territorit të Kosovës, i cili është në rrezik të madh të tkurrjes. Mendoj se Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se Kosova po bëhet kurban për integrimin e Serbisë, si dhe fatin personal të Thaçit”, deklaron Mehmeti.

Në Bruksel dhe në Austri po copëtohet Kosova, thotë Mehmeti, gjersa shton se Serbia është duke marrë maksimumin e mundshëm.

“Nga e gjithë kjo situatë fituese është Serbia, ndërsa Kosova vetëm se po humbë në të gjitha aspektet. Fatkeqësisht Kosova po përdoret nga Thaçi si mburojë personale me një opozitë të heshtur dhe krejtësisht e përgjumur.  Besoj se në Bruksel dhe Austri po copëtohet Kosova, derisa Serbia po merr maksimumin e mundshëm”, thekson Mehmeti.

Dje në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, Presidenti Hashim Thaçi, ka prezantuar idenë për shkëmbimin e territoreve, ndërkaq gjatë takimit me kancelarin Sebastian Kurz ishte shprehur se Austria përkrahë një marrëveshje Kosovë- Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat