Vizat hiqen deri në fund të vitit

Politika

Vizat hiqen deri në fund të vitit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 2 shtator 2018 Në ora: 08:09
BE

Kosova të enjten mori rekomandimin për liberalizimi e vizave nga Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme – LIBE, ku ishin 30 vota pro, dhjetë kundër dhe dy abstenime.

Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, kërkoi votën pro duke thënë se Kosova ka bërë rrugë të gjatë deri në këtë hap, dhe se meriton heqjen e vizave.

Por, pas këtij rekomandimi, cilët janë hapat e mëtutjeshëm dhe a pritet që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin të lirë brenda këtij viti?

Për këtë, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vendimi i LIBE e avancon procesin e liberalizimit të vizave.

“Vendimi i komisionit ka qenë i pritur dhe si i tillë avancon procesin e procedurave për të fituar lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.

Daku flet për hapat e radhës

Image
Selim Daku

Daku ka treguar se janë dy hapa tjerë me rëndësi, kalimi në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave të BE-së, duke shtuar për hapin në Këshillin e Ministrave duhet të punohet më shumë.

“Janë dy hapa të tjerë më rëndësi të veçantë, kalimi me votë pro në Parlamentin Evropian dhe më pas në Këshillin e Ministrave të BE-së. Kalimi i çështjes në Parlamentin Evropian është proces më i thjeshtë, ndërkaq në Këshillin e Ministrave duhet të punohet për të siguruar shtetet që nuk do të ketë migrimin masiv të qytetarëve të Kosovës drejtë BE-së. Edhe pse Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim duhet të vazhdojë angazhimin për të lobuar në organet e BE-së dhe te shtetet anëtare në mënyrë që të mos i lihet asgjë rastit”, ka shpjeguar Selim Daku.

Sa i përket mundësisë që të ketë liberalizim të vizave brenda këtij viti, ai vlerëson se është vështirë të përcaktohet por optimal do të ishte fillimi i vitit 2019.

“Vështirë është të përcaktohet periudha kohore, por fillimi i vitit 2019 do të ishte optimal për shfrytëzimin e mundësisë për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci për “Bota sot”.

Blakaj: Fundi i vitit, skenari më pozitiv i mundshëm për Kosovën

Image
Sami Blakaj

Ndërsa, njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj e ka quajtur hap të rëndësishëm drejt finalizimit të liberalizimit të vizave vendimin e LIBE.

“Vendimi i Komitetit për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme –LIBE- është hap i rëndësishëm drejt finalizimit të liberalizimit të vizave për Kosovën, megjithatë nuk është finalja”, ka deklaruar ai.

Blakaj tregon procedurat tjera në të cilat duhet të kalojë procesi deri tek vendimi final kur Kosova të fitojë liberalizimin e vizave.

“Vendimi final dhe përfundimtar tashmë kalon tek dy institucionet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, siç janë Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave. Fillimisht është organi legjislativ, përkatësisht Parlamenti Evropian i cili në një seancë plenare do të votojë mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë dhe menjëherë pas votimit të parlamentit, është Këshilli i Ministrave të BE-së, përkatësisht ministrat e brendshëm dhe ata të drejtësisë që do të japin dritën jeshile”, është shprehur ai.

Ndërsa, lidhur me kohën se kur mund të kenë lëvizje të lirë qytetarët e Kosovës, Blakaj shpjegon se kjo mbetet në vullnetin e shteteve të BE-së, por që sipas tij skenari më pozitiv do të ishte fundi i këtij viti.

“Ndërsa lidhur me pyetjen, nëse liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit, kjo është çështje që mbetet në vullnetin e shteteve anëtare të BE-së dhe kësisoj është vështirë të japim një datë të saktë rreth vendimmarrjes. Megjithatë skenari më pozitiv i mundshëm për Kosovën do të ishte pjesa e dytë e këtij viti, rrjedhimisht fundi i vitit 2018”, ka vlerësuar Sami Blakaj për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: Ky është një hap teknik

Image
Mentor Tahiri

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Mentor Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se ky deri më tani është hapi më konkret për liberalizim të vizave dhe sipas tij ky duhet të shikohet si një hap teknik dhe jo rezultat i atmosferës politike.

“Rekomandimi i dhënë nga LIBE, i pasuar pas një votimi ku pozitivisht votuan mbi 3/4-tat e anëtarëve, është deri tani hapi më konkret drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Njëkohësisht me këtë, opinioni dhe skena politike në Kosovë duhet ta shikojë rekomandimin nga ana e LIBE si një hap teknik dhe assesi jo si një vendim i cili vjen si rezultat i ndonjë atmosfere politike”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, Kosova nuk duhet të bëjë gabime naive sidomos në aspektin teknik sa i përket përmbushjes së kushteve për liberalizim.

“Lidhur me këtë, në periudhën në vijim, kur pritet që vendimi pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të aprovohet edhe nga instanca tjera të BE-së, Kosova nuk guxon assesi të bëjë gabime naive sidomos në aspektin teknik të përmbushjes së kritereve të vëna nga BE”, ka vlerësuar ai.

Po ashtu, ai vlerëson se ky vendim i LIBE është sinjal se rrugëtimi i stërzgjatur i Kosovës për liberalizimin e vizave do të përfundojë si duhet.

“Veç tjerash, rekomandimi i dhënë nga LIBE pritet që të ketë ndikim pozitiv edhe në ngritjen e seriozitetit të institucioneve të Kosovës karshi obligimeve që sjellin lëvizjen e lirë. Rekomandimi nga LIBE përveç se një lajm i mirë, është edhe sinjali i parë serioz se rrugëtimi i stërzgjatur i Kosovës drejt liberalizimit të vizave, më në fund do të përfundojë si duhet”, ka deklaruar Mentor Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Shpresë deri në fund të vitit

Image
Faik Krasniqi

Kurse, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, duke folur për këtë temë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vota pro e LIBE është një hap drejt lëvizjes së lirë, derisa tregon dhe procedurat e mëtejshme deri tek vendimi final.

“Vota pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Komisionin LIBE, është edhe një hap drejt lëvizjes së lirë. Pasi Këshilli ta marrë pozicionin negociues, do të mbahen takime ndërmjet Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit, takime joformale tripalëshe ku dakordohen me një tekst të përbashkët mbi të cilin do të votojë Parlamenti dhe Këshilli. Pastaj duhet votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, dhe në fund voton Këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian në përbërje të ministrave të brendshëm dhe drejtësisë”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë më herët se në muajin mars apo maj të vitit 2019.

“Deri në fund të këtij viti nuk besoj që do liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, por nëse nuk del ndonjë pengesë dhe çdo gjë shkon sipas procedurave të BE-së, atëherë deri kah marsi 2019 ose më së largu maji i 2019, qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së. Më herët nuk ka gjasa të ndodhë”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat