Tërnava: Raportet mes shqiptarëve dhe serbëve po acarohen

Politika

Tërnava: Raportet mes shqiptarëve dhe serbëve po acarohen

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 9 shtator 2018 Në ora: 11:53
Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka komentuar për “Bota sot” zhvillimet në Drenicë, ku presidenti serb Aleksandër Vuçiq iu ndalua hyrja në fshatin Banjë, fillimisht nga protestat, e pastaj edhe nga qeveria e Kosovës.

Tërnava thotë se serbët gjithmonë në rend të parë, si armik e kishin renditur Kosovën, edhe kur nuk kishte pasur luftëra me neve. Sipas tij, Vuçiq po bën provokimin e radhës si shenjë hakmarrjeje pasi në fillim e refuzuan institucionet e shtetit të Kosovës.

“Politikat kaotike që po zhvillohen tani në Kosovë janë për tu habitur. Marrëdhëniet serbo shqiptare që gjithnjë deri më tani janë të brishta, dhe sipas të gjitha gjasave edhe ne te ardhmen do të jenë të tilla. Serbët edhe në të kaluarën kur ishin në luftë me kroatët dhe më vonë me boshnjakët, gjithnjë kur bënin sondazhe se kënd e llogarisin armikun më të madh, edhe që nuk ishin në luftëra me neve, në rend të parë gjithnjë na radhitshin neve shqiptarëve, e mbas neve të tjerët që luftonin me ta. Politikanët tonë me këto politika vazale ndaj serbëve, po lajnë me nënkuptuar sikur në të ishim fajtorët për të kaluarën e luftës që është bërë në Kosovë, pranë shumë krimeve të renda si gjenocid, masakra, dëme materiale etj, krime që i kanë kryer ata. Duke e pasur këtë përparësi dhe intervenimin e botës humane sipas rezolutës së OKB 1244, që u bë intervenimi dhe u ndihmuam nga ta që sot të jemi si shtet i pavarur i njohur nga 116 shtete, dhe me konfirmimin e GJND si shtet i pavarur të cilin padi në këtë gjygj ndërkombëtar e kishte bërë vet Serbia, dhe shtetet e forta që na qëndrojnë pranë sikur Amerika, Gjermania, Anglia e shumë të tjera, pse këta udhëheqës tonë pranojnë të jenë kaq polltron-vazal ndaj Serbisë, që dje ia ndaluan vizitën e Ujmanit Vuçiqit, dhe u detyruan menjëherë ta ndërrojnë qëndrimin e tyre mbas një hidhërimi të Serbisë, sa që në shenjë hakmarrje tani serbët e bëjnë provokimin e radhës dhe e zgjerojnë marrshutën vizitore të fshatit Banjë në komunën e Skenderajt, edhe vete vizita e Ujmanit është provokative ndaj shqiptarëve kur dihet që s’ka Kosovë pa Ujmanin”, është shprehur Tërnava.

Ai shton tutje se Vuçiq me këtë vizitë vetëm sa po e ngacmon situatën e brishtë politike dhe raportet shqiptaro-serbe po acarohen vazhdimisht.

“Kryetari Serb sikur të ishte një demokrat i vërtetë, do të duhej ta bënte një plan detal për vizite reale të Kosovës me qëllimin e kërkim faljes dhe ta ndiente fajësinë e krejt të kaluarës së luftës dhe krimeve që janë bërë në Kosovë. Ky do të ishte shenji i parë dhe i fortë se serbët në të vërtetë po duan të pajtohen me shqiptarët. Vuçiqi me këto vizita provokative veç sa po e ngacmon këtë situatë të brishtë politike dhe gjendja e marrëdhënieve serbo shqiptare po vjen duke u acaruar në përmasa më të mëdha”, ka thënë Tërnava për “Bota sot”.

Ai për këtë situatë e bën përgjegjës Hashim Thaçin, ndërsa vlerëson se pjesëmarrja e personave publik në protesta, do mund të kishte qenë serioze.

“Për krejt këtë politike të dështuar fajtor kryesor janë të mëdhenjtë e këtij shteti në krye me Presidentin Hashim Thaçi i cili po sillet sikur në të ishim fajtoret e luftës dhe krimeve sikur i shpjegova më lart. Rreziku i eskalimit të situatës në këtë raste të vizitës së fshatit Banjë të komunës së Skenderajt ekziston pavarësisht edhe nëse ajo vizitohet në rrugët alternative. Sidomos kur në krye të këtyre protestave gjinden njerëzit e përzgjedhur nga populli si kryetari Jashari, veteranet e luftës e të tjerë. Ky acarim mund te përhapet edhe ditëve në vijim edhe të ndërmerr përmasa më të gjëra në krejt Kosovën sidomos për bisedat që po zhvillohen e kur ka paralajmërime se këto biseda do të jenë të dhimbeshe edhe për Serbinë dhe për Kosovën, si në variantin se veriu do ti bashkëngjitet Serbisë, ose edhe në variantet tjera të bisedimeve për asociacionin e komunave serbe me kompetenca të zgjeruara jashtë kushtetuese të Kosovës (Serbska Republikë) apo korrigjim të kufijve. Serbët po të tregoheshin kooperativ në këto biseda dhe ta kishin sensin e përgjegjësisë për të kaluarën e shumë të këqijave që na i kanë sjellë neve si Kosove, e jo vetëm neve por edhe regjionit, moti do të ishim pajtuar me ta, prandaj nga kjo çfarë e thash deri më tani, del një konstatim që protestat në përmasa duhen të rriten edhe në të ardhmen dhe të zgjerohen në tërë Kosovën e sidomos në Prishtinë, dhe të rrëzohet kjo qeverisje e brisht dhe e pafuqishme si dhe të kërkohet dorëheqja e këtij kryetarit Thaçi, qe është tepër inert dhe lënë me nënkuptuar se krejt këtë e bënë se po i tutet Gjygjit Special”, ka theksuar Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat