Thirrje për rezistencë: Të ndalet plani Thaçi- Vuçiq për ndarjen e Kosovës

Politika

Thirrje për rezistencë: Të ndalet plani Thaçi- Vuçiq për ndarjen e Kosovës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 10 shtator 2018 Në ora: 11:02
Aleksander Vuçiq- Hashim Thaçi

“Tash na mbetet neve me vendos a me pranuar planin djallëzor të tyre apo me rezistuar. Besoj që Kosova ka djem e çika që rezistojnë dhe do ua prishin planin Hashim Vuçiq për ndarjen e Kosovës. Sot heshtja do të thotë pranim. Ju që sot po heshtni po e rrezikoni ardhmërinë e Kosovës më shumë se ata që po punojnë për realizimin e planit Hashim Vuçiq. Ne nuk kemi punë me Vuçiqin sepse ai ka interesat e veta, neve na duhet ti ndalim këta tanët se Vuçiqit pa ta i rrezohet projekti”, ka thënë deputeti Haxhi Avdyli.

Të premten dhe të shtunën presidenti i Serbisë qëndroi në Kosovë për vizitë në disa pika kyçe të vendit tonë, gjë që ngjallën reagime të mëdha.

Pas arritjes në Kosovë, fillimisht ai u ndal pikërisht te Liqeni i Ujmanit, i cili është bërë temë kryesore e debateve publike se a do të mbetet nën territorin e Kosovës, apo do t’i jepet Serbisë në marrëveshjet e Brukselit.

Ditën e dytë të vizitës, Aleksandër Vuçiq arriti ti ngris qindra drenicas që t’i bllokojnë rrugët që e dërgonin presidentin serb në fshatin Banjë të Skenderajt. Krejt kjo për shkak se Vuçiq nuk mund të kalonte në Drenicë sepse nuk kishte kërkuar as falje për krimet që i ka bërë Serbia.

Avdyli: Vuçiqi po tallet me tokat tona

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli duke komentuar për “Bota sot” ardhjen e Vuçiq, ka sulmuar edhe qeverinë e Kosovës, në veçanti Pal Lekajn, pasi ky i fundit iu dha ultimatum opozitës që të jenë ose me Kosovën ose me Serbinë.

Image
Haxhi Avdyli

“Ishin këta që u bënë bashkë me Vuçiqin e rrezuan qeverinë Mustafa. U bënë bashkë me Vuçiqin për të ngritur Qeverinë Haradinaj, duke pritur edhe ditë tëra Srpskan. U bënë bashkë me Vuqiqin për të zhvatur buxhetin për t`ua paguar vjedhjet e rrymës në veri. U bënë bashkë me Vuçiqin për të faktorizuar kriminelë të Srpskas si Radojqiq e Rikallo. U bënë bashkë me Vuçiqin, për të copëtuar Kosovën. U bënë bashkë me Vuçiqin për dështuar seancën e vendosjes së vijave të kuqe për integritetin e vendit.
Sot jeni bashkë me të, kudo, kur edhe me lejen tuaj Vuçiqi po tallet me tokat tona. Prandaj, Pal Lekaj mos të mos flet kot sepse ditët bashkëqeverisjes tuaj me Vuçiqin po mbarojnë”, është shprehur ai.

Avdyli thotë se Thaçi dhe Haradinaj treguan se nuk mund ta kontrollojnë Ujmani, ndërsa pikat e vizitës së Vuçiqit i sheh si projektim të ndarjes së Kosovës. Ai shpreson në vullnet e qytetarëve për ta rrëzuar planin Thaçi-Vuçiq.

“Sot Hashimi me Ramushin i treguan botës, (në marrëveshje me Vuçiqin) që Kosovën e kontrollojnë poshtë nga Drenica e Mitrovica e jugut. Në Ujman e Veri Vuçiqi aty s’ndalet dot. Sot plani i Hashimit e Vuqiqit për projektimin e vijave të ndarjes së Kosovës u jetësuan. Tash na mbetet neve me vendos a me pranuar planin djallëzor të tyre apo me rezistuar. Besoj që Kosova ka djem e çika që rezistojnë dhe do ua prishin planin Hashim Vuçiq për ndarjen e Kosovës. Sot heshtja do të thotë pranim. Ju që sot po heshtni po e rrezikoni ardhmërinë e Kosovës më shumë se ata që po punojnë për realizimin e planit Hashim Vuçiq. Ne nuk kemi punë me Vuçiqin sepse ai ka interesat e veta, neve na duhet ti ndalim këta tanët se Vuçiqit pa ta i rrezohet projekti”, ka thënë Avdyli.

Ndryshe, Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, në vend të kritikave ndaj vizitës së Presidentit serb dhe deklaratave të tij shoviniste, ka akuzuar opozitën.

“Për ditë me rradhë bojkotuat seancat e Kuvendit, duke pamundësuar krijimin e një grupi të përbashkët përfaqësues në bisedimet me Serbinë, dhe vazhdoni të fajsoni të tjerët. Është momenti final të vendosni, ose jeni me Kosovën dhe institucionet e saj, ose në të kundërtën po bëheni (pa vetëdije) aleat të fqinjit verior”, ka thënë Lekaj ndër të tjera.

Islami: Vizita u bë për matje pulsi

Vizitën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Kosovë, e sheh si matje të impulseve të reagimeve të qytetarëve të Kosovës profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami. Ai nuk mendon se mund të ketë implikime të sigurisë së jashtme dhe të brendshme të Kosovës.

Image
Avni Islami

“Vizita e presidentit të Serbisë në pjesën ku po flitet se do të mund të ketë ndryshime të kufijve, më tepër paraqet karakter politik dhe matjen e impulseve të reagimeve të qytetarëve të Kosovës dhe matjen e impulseve të arenës ndërkombëtare, sesa që mund të ketë implikime të sigurisë së brendshme të Kosovës dhe asaj të jashtme”, ka thënë Islami për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo vizitë e Vuçiqit ka karakter politik dhe është një maskë për të matur tensionin se deri ku mund të shkojnë shqiptarët për bisedime. Ai tutje për “Bota sot” thotë se çdo prekje e kufijve në Ballkan, do të pasojë me luftë.

“Unë mendoj se këto vizita kanë karakter politik dhe kësisoj, mesazhi i Vuçiqit pak sa i matur me herën e tjerave, qoftë e Vuçiqit, qoftë edhe zyrtarëve të tjerë të lart serb, gjithçka duket se është maskë dhe vetëm po e masin tensionin se deri ku mund të shkojnë shqiptarët për bisedime dhe kundërpërgjigja e Thaçit në raport me Vuçiqin, ku ky thotë se do të hymë në pazare me Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, mendoj se Thaçi e di shumë mirë që nuk mund të ketë shkëmbim territoresh dhe nëse në tërë këtë lojë dalin ide serioze për shkëmbim të territoreve, atëherë kemi të bëjmë me rrezikimin e sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por Ballkani me që njihet si fuqi baroti, mendoj që do të ketë luftë Ballkanike mes shteteve mes veti. Kjo do të paraqet rrezik jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin”, thekson Islami.

Tërnava: Vuçiq me këtë vizitë vetëm sa po e ngacmon situatën

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka komentuar për “Bota sot” zhvillimet në Drenicë, ku presidenti serb Aleksandër Vuçiq iu ndalua hyrja në fshatin Banjë, fillimisht nga protestat, e pastaj edhe nga qeveria e Kosovës.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava thotë se serbët gjithmonë në rend të parë, si armik e kishin renditur Kosovën, edhe kur nuk kishte pasur luftëra me neve. Sipas tij, Vuçiq po bën provokimin e radhës si shenjë hakmarrjeje pasi në fillim e refuzuan institucionet e shtetit të Kosovës.

“Politikat kaotike që po zhvillohen tani në Kosovë janë për tu habitur. Marrëdhëniet serbo-shqiptare që gjithnjë deri më tani janë të brishta, dhe sipas të gjitha gjasave edhe në të ardhmen do të jenë të tilla. Serbët edhe në të kaluarën kur ishin në luftë me kroatët dhe më vonë me boshnjakët, gjithnjë kur bënin sondazhe se kënd e llogarisin armikun më të madh, edhe që nuk ishin në luftëra me neve, në rend të parë gjithnjë na radhitshin neve shqiptarëve, e mbas neve të tjerët që luftonin me ta. Politikanët tonë me këto politika vasale ndaj serbëve, po lajnë me nënkuptuar sikur në të ishim fajtorët për të kaluarën e luftës që është bërë në Kosovë, pranë shumë krimeve të renda si gjenocid, masakra, dëme materiale etj, krime që i kanë kryer ata”, ka thënë Tërnava.

Tutje, ai ka pyetur se pse udhëheqësit tanë pranojnë të jenë kaq polltron-vasal ndaj Serbisë, që fillimisht ia ndaluan vizitën e Ujmanit Vuçiqit dhe më pas u detyruan ta ndërrojnë qëndrimin e tyre.

Protestat mund të zgjerohen

Ai ka shtuar tutje, se Vuçiq me këtë vizitë vetëm sa po e ngacmon situatën e brishtë politike dhe raportet shqiptaro-serbe po acarohen vazhdimisht.

 “Kryetari serb sikur të ishte një demokrat i vërtetë, do të duhej ta bënte një plan detal për vizitë reale të Kosovës me qëllimin e kërkim faljes dhe ta ndiente fajësinë e krejt të kaluarës së luftës dhe krimeve që janë bërë në Kosovë. Ky do të ishte shenji i parë dhe i fortë se serbët në të vërtetë po duan të pajtohen me shqiptarët. Vuçiqi me këto vizita provokative, veç sa po e ngacmon këtë situatë të brishtë politike dhe gjendja e marrëdhënieve serbo shqiptare po vjen duke u acaruar në përmasa më të mëdha”, ka thënë Tërnava për “Bota sot”.

Ai për këtë situatë e ka bërë përgjegjës Hashim Thaçin, ndërsa ka vlerësuar se pjesëmarrja e personave publik në protesta, do mund të kishte qenë serioze.

“Për krejt këtë politike të dështuar fajtor kryesor janë të mëdhenjtë e këtij shteti në krye me Presidentin Hashim Thaçi, i cili po sillet sikur ne të ishim fajtoret e luftës dhe krimeve sikur i shpjegova më lart. Rreziku i eskalimit të situatës në këtë rast të vizitës së fshatit Banjë të komunës së Skenderajt ekziston pavarësisht edhe nëse ajo vizitohet në rrugët alternative. Sidomos kur në krye të këtyre protestave gjinden njerëzit e përzgjedhur nga populli si kryetari Jashari, veteranet e luftës e të tjerë. Ky acarim mund te përhapet edhe ditëve në vijim edhe të ndërmerr përmasa më të gjera në krejt Kosovën sidomos për bisedat që po zhvillohen e kur ka paralajmërime se këto biseda do të jenë të dhimbeshe edhe për Serbinë dhe për Kosovën, si në variantin se veriu do ti bashkëngjitet Serbisë, ose edhe në variantet tjera të bisedimeve për asociacionin e komunave serbe me kompetenca të zgjeruara jashtë kushtetuese të Kosovës (Serbska Republikë) apo korrigjim të kufijve”, është shprehur Tërnava.

Sipas tij, nëse serbët do të tregoheshin bashkëpunues në bisedime, për të kaluarën e shumë të këqijave që i kanë sjellë Kosovës edhe regjionit, moti do të kishte pasur pajtim me ta.

“Prandaj nga kjo çfarë e thash deri më tani, del një konstatim që protestat në përmasa duhen të rriten edhe në të ardhmen dhe të zgjerohen në tërë Kosovën e sidomos në Prishtinë, dhe të rrëzohet kjo qeverisje e brishtë dhe e pafuqishme si dhe të kërkohet dorëheqja e këtij kryetarit Thaçi, që është tepër inert dhe lënë me nënkuptuar se krejt këtë e bënë se po i tutet Gjyqit Special”, ka theksuar Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat