Loja e pandërgjegjshme Hashim Thaçit me Kosovën Lindore - Bota Sot
Loja e pandërgjegjshme Hashim Thaçit me Kosovën Lindore

Politika

E shtunë, 22 shtator 2018

Loja e pandërgjegjshme Hashim Thaçit me Kosovën Lindore

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 11 shtator 2018 Në ora: 08:21
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencë për media me liderët e Kosovës Lindore

“Për 20 vjet nuk e ka dëgjuar kush të flasë për Luginën e Preshevës dhe përnjëherë u bë një mbrojtës i devotshëm i kësaj pjese, atëherë kur Vuçiqi ia kujtoi se ekziston kjo pjesë e banuar me shqiptarë. Kështu, kurrfarë frike s'ka pse të ketë Thaçi për të shkuar atje sepse është partner me Vuçiqin dhe është i mbrojtur nga ai”, thotë Avni Zogiani.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ka marrë ftesën e liderëve të Luginës së Preshevës për të vizituar Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.

Kjo kërkesë vjen pas vizitës që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e bëri në Kosovë.

Thaçi: Beogradi nuk e sheh të dobishme vizitën atje

Thaçi, theksoi se Beogradi nuk e sheh të dobishme vizitën e tij në Luginë.

"Kur e kam vizituar Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, nuk e kam vizituar me leje të Serbisë, por kam qenë aty me kauzën tonë për të drejta të shqiptarëve. Tash jemi në një rrethanë tjetër. Ju e dini se unë jam i dënuar në mungesë nga Serbia. Unë nuk e kam kërkuar atë falje. Unë nuk mund të marr kufijtë për ballafaqim fizik me Serbinë. Kur ka qenë koha, e ballafaqimit ia kam treguar vendin me bashkëluftëtarët e mi. Mua më ftuan ta vizitojë Luginën e Preshevës, por rrethanat janë të ndryshe, Beogradi nuk e sheh të dobishme vizitën atje", tha Thaçi.

Thaçi nuk premtoi krerëve të luginës bashkëngjitje me Kosovën,  por tha se do të punojë shumë që kjo të ndodhë.

“Se a do të ndodhë apo jo varet nga uniteti në Kosovë, në luginë dhe nga hapat tjerë të mëtutjeshëm për një zgjidhje përfundimtare me marrëveshjen historike në mes Kosovës dhe Serbisë, pra një marrëveshje e karakterit, shpirtit dhe substancës evropiane“, tha ai.

Rreth vizitës së mundshme të Thaçit në Luginë, kryeministrja serbe Ana Brnabiq ka deklaruar se në qeverinë e Serbisë nuk ka ardhur asnjë paralajmërim.

“Nuk kemi asnjë paralajmërim. Së pari duhet t’i drejtohet qeverisë së Serbisë. Së pari do të shohim se çfarë do t’i thotë qeverisë së Serbisë, dhe më pas do të vendosim”, ka thënë Brnabiq.

Nga presidenca e Kosovës, përsëri nuk janë përgjigjur për gazetën “Bota sot”, kur janë pyetur për vizitën e mundshme të presidentit në Serbi.

Rugova: Mungon guximi politik për ta vizituar luginën

Image
Naser Rugova

E mungesë guximi politik, quhet moslejimi i politikanëve tanë për të vizituar Kosovën Lindore.

Kështu thotë deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga LDK, Naser Rugova.

“Gjithsesi se duhet të ketë guxim madje është edhe obligim. Moslejimi i politikanëve tanë për ta vizituar Kosovën Lindore është mungesa e guximit politik që të aplikojnë strikt parimin e reciprocitetit me Serbinë, kjo po e dëmton shtetin tonë edhe në aspekte tjera duke na vënë në pozita inferiore”, thotë Rugova për gazetën “Bota sot”.

Deda: Thaçi po e përdorë luginën

Image
Ilir Deda

Kurse, deputeti i Alternativës, Ilir Deda potencon që, presidenti Thaçi dëshiron ta përdorë Luginën e Preshevës si monedhë shkëmbyese për fatin personal të tij.

“Presidenti Thaçi duhet sa më parë të largohet nga pozita e uzurpuar nga ai në dialog me Serbinë. Deri tash z. Thaçi i ka shkaktuar dëm të pariparueshëm Republikës së Kosovës, e tani dëshiron ta përdorë Luginën e Preshevës si monedhë shkëmbyese për fatin e tij personal politik”, potencon deputeti Ilir Deda për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se, Kosova nuk po sillet si shtet, kurse Serbia po e kompenson këtë dobësi dhe po sillet si shtet edhe në Kosovë.

“Keni pare secilën herë që liderët e institucioneve dalin dhe fillimisht thonë se nuk do t'i lejohet hyrja një zyrtari serb me qëllim që të shiten si të fortë para opinionit, por futen nën tavolinë kur detyrohen të lejojnë të njëjtit dhe të flasin për Millosheviqin. Këtë sidomos e ka bërë krye parlamentari, i cili më shumë sesa për shtetin e Kosovës duket se e ka në mendje si po duket vetë para opinionit”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Zogiani: Thaçi nuk duhet të ketë frikë ta vizitojë luginën sepse ka partner Vuçiqin

Image
Avni Zogiani

Kështu sipas tij, u soll edhe kryeministri Haradinaj, i cili fillimisht tha se Kosova është vend mikpritës, por nuk foli kur policia ndaloi Vuçiqin të vazhdonte vizitën për shkak të protestave në Drenicë.

“Kurse Thaçi edhe po shkoi në Preshevë, duhet ta dimë se ai po e përdor këtë rajon vetëm për të shtyrë përpara marrëdhënien e tij personale me Vuçiqin. Për 20 vjet nuk e ka dëgjuar kush të flasë për Luginën e Preshevës dhe përnjëherë u bë një mbrojtës i devotshëm i kësaj pjese, atëherë kur Vuçiqi ia kujtoi se ekziston kjo pjesë e banuar me shqiptarë. Kështu, kurrfarë frike s'ka pse të ketë Thaçi për të shkuar atje sepse është partner me Vuçiqin dhe është i mbrojtur nga ai”, përfundon Avni Zogiani.

Hyseni: Qytetarët do ta mirëprisnin vizitën e Thaçit

Analisti politik nga Lugina e Preshevës, Nehat Hyseni, thotë se, vizita e paralajmëruar e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Luginën e Preshevës, i shoqëruar nga përfaqësuesi i Unionit Evropian, Johanes Han, realisht paraqet zhvillim të logjikshëm të dinamikës së ngjarjeve aktuale, sidomos pas vizitës së homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq gjatë fundjavës, më 8 e 9 shtator në Republikën e Kosovës.

Image
Nehat Hyseni

“Gjithashtu, dihet mirëfilli edhe fakti se gjatë vitit 1947, disa fshatra të Kosovës i janë bashkëngjitur Serbisë. Duhet theksuar se spektri politik i Kosovës, aktualisht është tejet konfuz dhe i përçarë rreth idesë së Thaçit “për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën”, që realisht paraqet dëshirën shekullore dhe vullnetin politik të shqiptarëve të kësaj ane prej 99,86%, të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, “Për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi më Kosovën””, thotë Hyseni për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, Presidenti Thaçi, si përfaqësues legjitim i shtetit të Republikës së Kosovës, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, pra në tërë territorin e Luginës së Preshevës, që shtrihet në një sipërfaqe prej 1249 km2, do të mirëpritej me dashurinë, entuziazmin dhe respektin më të madh nga të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa dallime politike e partiake.

“Jemi të vetëdijshëm për faktin dhe realitetin e hidhur se veriun e Kosovës, por edhe enklavat serbe në jug të lumit Ibër, Republika e Kosovës nuk arriti që t’i  integroj edhe sot e kësaj dite, 19 pas çlirimit dhe dhjetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Pretendimet serbe janë për ndarjen e Kosovës. Kurse, propozimi i Thaçit për bashkim të Luginës me Kosovën është përgjigje ndaj propozimit të Vuçiqit për “përkufizim etnik”, shkëmbim territoresh, apo ndarje të Kosovës. Realisht, kjo paraqet të njëjtën gjë, pa marrë parasysh retorikën politike”, thekson Hyseni.

Prandaj, ai nuk sheh ndonjë problem për vizitën e Thaçit në Luginë të Preshevës.

“Natyrisht se nuk përjashtohen problemet eventuale, që Serbia mund t’i krijoj për konsum të brendshëm politik, meqë vizita e Thaçit do t’i përcaktonte simbolikisht vijat e “përkufizimit etnik” midis shqiptarëve dhe serbëve në Luginë të Preshevës, ku problem kryesor për Serbinë paraqet Korridori 10, që përfshinë Autostradën E-17 dhe Hekurudhën Beograd-Shkup, ashtu siç paraqet problem Liqeni i Ujmanit dhe Trepça për Republikën e Kosovës”, përfundon analisti politik Nehat Hyseni.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test