“Kur Haradinajt i rrezikohet pozita, i kthehet sporteve të rënda” - Bota Sot
“Kur Haradinajt i rrezikohet pozita, i kthehet sporteve të rënda”

Politika

E shtunë, 22 shtator 2018

“Kur Haradinajt i rrezikohet pozita, i kthehet sporteve të rënda”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 11 shtator 2018 Në ora: 11:18
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

“Po shihet shumë qartë se Ramushit në momentin që i rrezikohet pozita fillon me dalë në origjinën e vet prej lojtar i sporteve të rënda. Këta Komandantë mendojnë se me luftën që kanë bërë (dhe atë nëse e kanë bërë) mendojnë se Kosova është pronë e tyre”, tha Drita Millaku.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, assesi nuk po mundet t’i kontrollojë emocionet e tij para publikut, pasi një provokim i lehtë mund t’ia hedh në shesh anën e errët të tij.

Fjalët e tij nuk po janë aq të matura siç i takojnë kryeministrit të një shteti. Ai në një mision televiziv nuk arriti t’i kundërpërgjigjet në mënyrë diplomatike kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mirëpo tha se është në gjendje të përleshet fizikisht me të për t’i qëruar hesapet mes vete.

Krejt kjo pasi Albin Kurti e quajti “hajn” kryeministrin Haradinaj. Ndërsa, ky i fundit të njëjtën gjuhë e përdori edhe për prokurorin e dorëhequr nga kërcënimet, Elez Blakaj.

Millaku: Haradinaj, lojtar i sporteve të rënda

Image
Drita Millaku

E për këtë, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, respektivisht deputetja e kësaj partie, Drita Millaku, i cila për “Bota sot” tha se, Haradinajt në momentin që i rrezikohet pozita, fillon të dal në origjinën e vet si lojtarë i sporteve të rënda.

“Po shihet shumë qartë se Ramushit në momentin që i rrezikohet pozita fillon me dalë në origjinën e vet prej lojtar i sporteve të rënda. Këta Komandantë mendojnë se me luftën që kanë bërë (dhe atë nëse e kanë bërë) mendojnë se Kosova është pronë e tyre”, tha Drita Millaku.

Ajo shtoi më tej se, mendja dhe dija e Albinit është më e fort se muskujt e Ramush Haradinajt, i cili sipas saj, e dinë se shumë shpejt qeveria e tij do të rrëzohet.

“Megjithatë mendja dhe dija e Albinit është më e fort se muskujt e Ramushit. Ai e din se shumë shpejt kjo qeveri do të bie dhe se karriera e tij politike do të merr fund ashtu sikur edhe matrapazëve tjerë në qeveri”, u shpreh deputetja e VV-së.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u tregua i pamatur në deklaratat e tij, pasi publikisht tha se është i gatshëm të përleshet fizikisht me Albin Kurtin.

Haziri: Haradinaj ka CV të një gangsteri

Image
Nexhat Haziri

Mënyra e shprehjes së Haradinajt larg asaj intelektuale, nuk është ekskluzivitet për analistin politik Nexhat Haziri, i cili për “Bota sot” tha se kjo rrjedh nga mentaliteti i politik bërjes me anë të grushteve dhe muskujve, pa pasur qasje profesionale.

“Nuk do shumë për të komentuar kjo qasje e kryeministrit Haradinaj, pasi rrjedh nga mentaliteti i tij i politik bërjes me anë të grushteve dhe muskujve, e jo në qasje profesionale dhe të aftësive të tij intelektuale për politik bërje e aq më pak të koncepteve humane të qeverisjes së vendit”, thotë Haziri.

Për më tepër, ai shton se Haradinaj e ka CV e një gangsteri, sesa të një njeriu që mund t’i shërbej politikisht shoqërisë sonë.

“Pra, nuk ka asnjë do të thosha ekskluzitivitet në deklaratat e tij, pasi Ramush Haradinaj është ky, i tillë siç ka qenë edhe pa qenë fare në politik, një njeri që ka një CV më shumë të një gangsteri, se sa të një njeriu që mund t’i shërbej shoqërisë, sidomos në poste publike e shtetërore, siç për fatin e keq të Kosovës dhe tonit si qytetar, që sot ai është kryeministër i vendit”, është shprehur ai.

Krasniqi: Haradinajt nuk ju realizua ëndrra për të qenë kryeministër

Ndërsa, analisti tjetër politik Faik Krasniqi, thotë për “Bota sot” se Haradinaj si një kryeministër që është, duhet të jetë i matur se çfarë flet në publik, pasi kjo nuk është hera e parë që përdorë këso fjalë.

Image
Faik Krasniqi

“Ramush Haradinaj sikur po harron që është kryeministër i një shteti, dhe kryeministri duhet të jetë i matur se çfarë flet në publik. Nuk është hera e parë që përdor fjalë të pamatura. Fjalët tregojnë edhe karakterin e një njeriu”, thotë Krasniqi.

Ai kryeministër të vërtetë e quan Hashim Thaçin, sepse Haradinajt nuk i është plotësuar ëndrra e tij që të bëhet edhe një herë kryeministër. Kjo është arsyeja pse Haradinaj përdorë këso fjalë, mendon Krasniqi.

“Por e kuptoj kryeministrin Haradinaj për fjalët e përdorura, sepse ëndrra e tij që të bëhet edhe një herë kryeministër, nuk i ka dalë ashtu siç ka menduar, sepse kryeministër i vërtetë i Kosovës është Hashim Thaçi. Jo vetëm kryeministër, por edhe krye parlamentar. Kjo po dëshmohet javëve të fundit ku askush nuk po arrin ta parandalojë për të bërë pazar me territor të Kosovës”, ka thënë ai.

Nuk është hera e parë që Haradinaj humbet kontrollin para mediave dhe publikut. Kjo gjë i kishte ndodhur atij shumë herë, duke e lënë anash të gjithë aftësinë intelektuale dhe komunikuese të denjë.

Një kryeministër i vendit assesi nuk mund t’i shërbejë vendit të tij përmes muskujve e as kërcënimeve. Gjuha komunikuese gjithëpërfshirëse mund ta tejkalojë ndoshta çdo problem, sidomos çështjet e brendshme të Kosovës.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test