Gashi: Do t’i pranojmë rezultatet e hetimeve nga Instituti Zviceran, por Astrit Dehari është vrarë

Politika

Gashi: Do t’i pranojmë rezultatet e hetimeve nga Instituti Zviceran, por Astrit Dehari është vrarë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 shtator 2018 Në ora: 19:41
Kanë kaluar dy vite nga vdekja misterioze e aktivistit të VV-së Astrit Dehari.

“Tani, dihet se kjo ka qenë vrasje për arsye politike të cilat qëllimisht nuk janë zbardhur kurrë nga organet përkatëse të Kosovës. Familja Dehari do t'i pranojë rezultatet e hetimeve të pavarura nga Instituti Zviceran, në aspektin juridik por në aspektin faktik, familja Dehari dhe unë jemi të bindur 100% se Astrit Dehari është vrarë,” ka thënë avokati Tomë Gashi.

Kanë kaluar dy vite nga vdekja misterioze e aktivistit të VV-së Astrit Dehari.

Institucioni e Mjekësisë Ligjore në Zvicër, i cili ka marrë përsipër ekspertizën rreth këtij rasti, ende nuk kanë dalë me ndonjë rezultat në lidhje me këtë rast. 

Sipas analistëve, zvarritja e ndriçimit të rrethanave që çuan në vdekjen e Astrit Deharit në burg, do të thellojë edhe më shumë mos besimin në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Përfaqësuesi juridik i rastit “Dehari”, avokati Tomë Gashi ka thënë për “Bota sot”, se ka disa muaj që lënda e Astrit Deharit është dërguar në Institucionin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, mirëpo kanë asnjë njoftim se çka është duke ndodhur atje.

Image
Tomë Gashi

Gashi: Është e pa imagjinueshme që do të ketë ndonjë mashtrim lidhur me dërgimin e materialëve

Kjo pasi sipas tij, komunikimi zyrtar për këtë çështje është në mes të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës me organe kompetente zvicerane.

“Para se rasti “Dehari” të dërgohet në Zvicër, unë në cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjes Dehari, kam kërkuar nga prokurorja themelore në Prizren që të më njoftojnë lidhur me dokumentacionin provat të cilin ata e kanë dërguar përmes Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës në Zvicër. Unë po ashtu nuk kam marrë përgjigje se çka është dërguar në Zvicër, por gjithmonë duke besuar në institucionet e Kosovës se ata do të dërgojnë të gjithë materialin - shkresat - provat e nevojshme në Zvicër për shkak se ka të bëj me kredibilitetin e shtetit të Kosovës në raport me shtetin zviceran dhe është e pa imagjinueshme që do të ketë ndonjë mashtrim lidhur me dërgimin e materialëve përkatëse”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Sipas tij, familja Dehari dhe vetë ai si përfaqësues i tyre juridik, kanë kërkuar që Instituti përkatës zviceran të kryej hetime të pavarura dhe në kuadër të hetimeve të pavarura të kryhen edhe ekspertiza të pavarura për të vërtetuar mënyrën e vrasjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit të ndodhur me 05.11.2016.

“Tani, dihet se kjo ka qenë vrasje për arsye politike të cilat qëllimisht nuk janë zbardhur kurrë nga organet përkatëse të Kosovës. Familja Dehari do t'i pranojë rezultatet e hetimeve të pavarura nga Instituti Zviceran, në aspektin juridik por në aspektin faktik, familja Dehari dhe unë jemi të bindur 100% se Astrit Dehari është vrarë,” ka thënë avokati Tomë Gashi.

Image
Sami Kurteshi

Kurteshi: Rasti do të ndiqet deri në atomin e fundit

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka thënë se rasti i Astrit Deharit, nuk është harruar fare.

Ai ka rikujtuar se, sipas përgjigjes së qeverisë në pyetjen parlamentare para 2-3 muajsh, dokumentacioni në lidhje me rastin e Astrit Deharit, është dërguar në Zvicër për hetim.

“Jemi duke pritur përgjigjen dhe veprimet e ardhshme të institutit në fjalë dhe sigurisht që në seancat e ardhshme kjo pyetje do të përsëritet për qeverinë. Dhe për fund, me gjithë përpjekjet e hapura dhe të fshehura për zvarritje dhe pengim, rasti i Astrit Deharit jo që nuk do të harrohet, por do të ndiqet deri në atomin e fundit, deri sa të dalë e vërteta në shesh. Madje jo vetëm për rastin e Astritit por edhe të rastit të montuar politiko-policor për të ashtuquajturin “sulm terrorist“ ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është i organizuar dhe i zbatuar nga vetë kreu kriminal politiko-policor i pushtetit të atëhershëm, i ndihmuar nga pjesa kriminale brenda sistemit të drejtësisë, gjegjësisht nga prokuroria dhe gjyqësori,” ka thënë deputeti Kurteshi.

Image
Blerim Burjani

Vrasje apo vetëvrasje?

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani,  ka thënë se, rasti i Astrit Deharit, nuk është harruar por ende pritet ekspertiza.

Sipas tij, kjo pritje vjen për faktin se politikisht ka pasur jehonë të madhe dhe përplot përplasje politike

 “VV dhe Klani PDK, ende nuk ka ndonjë përgjegjësi për ngjarjen tragjike, por politizimi i këtij rasti ishte shumë i madh dhe deri më tash nuk ka asgjë që do të zbardhte një ngjarje tragjike”, është shprehur Burjani.

Politologu Faik Krasniqi, ka thënë se, kur një ''vrasje'' apo ''vetëvrasje'' nuk është një gjendje të ndriçohet, atëherë nuk mund t'i themi shtet.

Ai ka përmendur edhe rastin e vrasjes së një gazetari të ndodhur atje, ku edhe e çoi në dorëheqje kryeministrin e atij vendi.

Image
Faik Krasniqi

“Kryeministri i Sllovakisë Robert Fiko, pas vrasjes së gazetarit dha dorëheqje. Kurse tek ne as Qeveria e mëhershme dhe as Qeveria e tanishme e kryeministrit Haradinaj nuk e zbardhën të vërtetën e vdekjes së Astrit Deharit, edhe pse është thënë se do të bëhet super ekspertiza ne Zvicër. Ky rast doemos duhet të zbardhet dhe të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Por, sikurse rastet e mëhershme të vdekjeve enigmatike, besoj që edhe ky rast nuk do të zbardhet kurrë, dhe familjarët, por as opinioni i gjerë nuk do ta kuptojnë të vërtetën e vdekjes së tij”, ka thënë politologu Krasniqi.

Haziri: Prolongimi do të rris dyshimet

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, opinionsti Nexhat Haziri ka thënë se është e dhembshme dhe e papranueshme se si institucionet e drejtësisë nuk po i japin epilog rastit të Astrit Deharit.

Sipas tij, prolongimi i këtij epilogu vetëm sa do ti rrisë dyshimet rreth rastit të Astrit Deharit, i cili si rast nuk do të duhej të politizohej nga askush.

“Këtu kemi mungesë të veprimit dhe mungesë besimi në institucione kompetente, atëherë krijohen mundësi që rastet e tilla të shndërrohen në fushëbetejë politike. Pra, zvarritja e ndriçimit të rrethanave që quan në vdekjen e Astrit Deharit në burg, do të thellojë edhe më shumë mos besimin në institucionet e drejtësisë në Kosovë”, ka thënë opinionisti Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat