Territori nuk është çështje pazaresh, këto duhet të jenë kërkesat e Kosovës karshi BE-së

Politika

Territori nuk është çështje pazaresh, këto duhet të jenë kërkesat e Kosovës karshi BE-së

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 12 shtator 2018 Në ora: 22:03
Ilustrim

Opozita është bashkuar duke i dërguar një letër kundër shkëmbimit të territoreve, përfaqësueses së lartë e BE-së Federica Mogherini. Në këtë letër të nënshkruar nga shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare, opozita ka shprehur pakënaqësinë për shkëmbimin e  territoreve apo korrigjim të kufijve.

“Në letër gjithashtu kërkohet që faza finale e dialogut me Serbinë të bazohet në parime të qarta si dhe në një kornizë të qartë, duke mos lënë anash subjektivitetin shtetëror të Kosovës i cili është përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës”, thuhet në komunikatën e përbashkët të partive politike.

Analisti politik Faik Krasniqi, e quan të pakuptimtë letrën duke thënë se territori i asnjë shteti nuk është çështje pazaresh.

Image
Faik Krasniqi

“Po më duket e pakuptimtë letra kundër shkëmbimit të territoreve, dërguar përfaqësueses së lartë e BE-së Federica Mogherini. Territori i asnjë shteti nuk është çështje pazaresh e asnjë individi, e aq më pak e Mogherinit. Për territorin tonë vendosim ne qytetarët e saj. Nëse Frederica Mogherini është ajo nxitësja ose miratuesja e kësaj ideje, atëherë duhet të kërkohet nga BE-ja që kjo zonjë të shkarkohet nga detyra e saj. Shkëmbimi i territoreve i takon dy shteteve dhe dy popujve nëse duan ta bëjnë një gjë të tillë. Për t'u shkëmbyer territoret mes dy shteteve, pikë së pari duhet të ketë njohje reciproke mes dy shteteve. Kosova dhe Serbia akoma nuk e kanë njohur njëri-tjetrin”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka thënë  nëse kërkohet një Asociacion për serbët e Kosovës, atëherë Asociacion duhet të kërkohet edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore, pasi që sipas tij duhet të shkojë në bazë të reciprocitetit

“Gjatë bisedimeve në Bruksel duhet të kërkohen ato të drejta për shqiptarët e Kosovës Lindore që ne u japim serbëve të Kosovës. Nëse Serbia nuk pranon një gjë të tillë, atëherë as ne nuk duhet t'u japim ato të drejta serbëve në Kosovë. Nëse kërkohet një Asociacion për serbët e Kosovës, atëherë Asociacion duhet të kërkohet edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore. Por nëse Serbia nuk pranon një Asociacion për shqiptarët atje, atëherë as ne nuk duhet t'u japim Asociacion serbëve këtu. Çdo gjë duhet të shkojë në bazë të reciprocitetit. Nëse kërkohet shkëmbim territori nga ana e Serbisë, atëherë kjo duhet të ndodh me një kusht. Njohje reciproke. Nëse Serbia kërkon Veriun e Kosovës deri tek Lumi Ibër, ne duhet t'i kërkojmë Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medevegjë), dhe disa qytete të Sangjakut(Novi Pazarin, Tutini dhe Sijenicën). Por nëse Serbia nuk pranon një gjë të tillë, atëherë as ne nuk duhet të pranojmë kushtet dhe kërkesat e tyre”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Krasniqi këshillon që gjatë dialogut të mos lëshohet pe, pasi që shqiptarët do të dalin humbësit më të mëdhenj të këtyre bisedimeve.

“Nuk duhet lëshuar pe gjatë bisedimeve, prandaj duhet krijuar një ekip profesional dhe atdhedashës për t'i udhëhequr këto bisedime që janë në fazën finale të saj. Nëse lëshojmë pe gjatë bisedimeve, ne shqiptarët do të dalim humbësit më të mëdhenj të këtyre bisedimeve, sepse s'do të mund t'i rikthejmë tre komunat shqiptare në Kosovën Lindore, por edhe Serbia do ta nxirrte maksimumin me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, edhe pse do të ishte antikushtetuese në lejohet krijimi i një Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Sidoqoftë, një Asociacion me kompetenca ekzekutive prapë se prapë do hidhej poshtë nga Gjykata Kushtetuese, siç e hodhi poshtë në 2015, marrëveshjen e arritur në vitin 2013”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat