Aktakuzat e ngritura në rastin “Veteranët”, të përcjella me shpresë dhe skepticizëm

Politika

Aktakuzat e ngritura në rastin “Veteranët”, të përcjella me shpresë dhe skepticizëm

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 17 shtator 2018 Në ora: 10:34
Foto ilustrim

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në publik si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK.

Aktakuza tashmë është dërguar dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa të akuzuarit janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në aktakuzë thuhet se, të akuzuarit me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave tjerë të përfitojnë kundërligjshëm, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës se Kosovës.

Këtë lëndë dhe këto aktakuza i kishte nisur prokurori Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që kishte.

Blakaj: Lajmit për aktakuzën do t`i gëzohen veteranët e vërtetë

Image
Elez Blakaj

Blakaj ekskluzivisht për “Bota sot”, i ka komentuar këto aktakuza të ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës, duke thënë se shpreson në një punë të drejtë dhe të sinqertë të prokurorisë.

“Të gjitha ato çfarë janë dashur të thuhen, janë thënë! Gjërat duhet të ecin përpara, shpresoj në një punë të drejtë dhe të sinqertë të prokurorisë”, ka thënë Blakaj për “Bota sot”.

Ai beson se këtij lajmi do t’i gëzohen ata që ishin me të vërtetë ushtarë të UÇK-së dhe gjithashtu personat që e duan atdheun.

“Besoj se këtij lajmi do t’i gëzohet çdo person që e donë atdheun e tij dhe sigurisht se çdo ushtarë i vërtetë i UÇK-së, do t’i gëzohet këtij lajmi”, ka thënë për “Bota sot” ish prokurori Elez Blakaj.

Quni: Luftëtari dhe prokurori e kanë një të përbashkët

Image
Anton Quni

Ndërsa, deputeti i LDK-së, njëherit ish- komandat i luftës në Koshare, Anton Quni, thotë për “Bota sot”, se luftëtari dhe prokurori e kanë një të përbashkët, që të dy betohen se me dinjitet do të përmbushin misionin.

“Luftëtari dhe prokurori e kanë një të përbashkët; që të dy betohen se me dinjitet do të përmbushin misionin.  Ata përballen me vështirësi dhe rreziqe. Luftëtari çdo ditë lufte e sheh vdekjen me sy. Jo të gjithë arrijnë ta mbajnë betimin”, thotë Quni.

Ai e ka një kritikë për ish- prokurorin e dorëhequr Elez Blakaj, duke thënë se prokuror është ai që është i gatshëm ta mbajë betimin edhe atëherë kur e sheh vdekjen me sy

“Të dallosh luftëtarin nga dezertorët, profiterët dhe mashtruesit është mision i shenjtë. Këtë mund ta bëjë vetëm ai prokuror që është i gatshëm ta mbajë betimin edhe atëherë kur e sheh vdekjen me sy”, është shprehur  Quni.

Ndërsa, ish- anëtari i SHIK-ut dhe ish ushtar i UÇK-së, Naim Miftari, shprehet për “Bota sot” , se këto aktakuza janë për vetëm sa për marketing politik, pas rastit të kërcënimit dhe luftës e linçimit institucional kundër prokurorit special Elez Blakaj.

“Kjo akuzë e bërë tani është vetëm për marketing politik pas rastit të kërcënimit dhe luftës e linçimit institucional kundër prokurorit special Elez Blakaj, i cili kishte filluar t’i merrte shumë akterë politikë dhe ish- ushtarakë në pyetje për manipulim me veteran të rrejshëm. Akuzat e prokurorisë janë humor me trurin e qytetarëve pasi dëmi i pa riparueshëm veç është bërë, edhe pse secili e ka ditur se e kanë 4-fishuar numrin e veteranëve. Kjo do thotë se një veteran luftëtar real i luftës ia kanë shtuar këta politikanët tanë kinse të dalë nga lufta edhe nga tre veteranë tjerë luftëtarë rrenca, veteranë politikë të pushtetit dhe partive politike, domethënë me militant partiak dhe votues te tyre”, potencon Miftari.

Ai thotë tutje se, është faji i Agim Çekut dhe të tjerëve që kanë heshtur kur i kanë parë gjithë ata veteranë të shumëfishuar. Sipas Miftarit, ai dhe të tjerët kanë marrë urdhra nga shefat e tyre politik.

“Faji i Agim Çekut dhe të tjerëve është pse nuk kanë reaguar publikisht kur e kanë parë se e kanë 4-fishuar numrin e veteranëve, por kanë heshtë, kanë marrë urdhra nga shefat e tyre politik. Numrin e veteranëve e kanë rritur politikanët dhe bossat që e kanë keqpërdorë ligjin, duke iu shitur si në treg certifikata të veteranëve, por duke iu marrë veteranëve të rrejshëm deri në 5000 euro”,  shton më tej Miftari.

Miftari: Blakaj e kishte jetën në rrezik

Image
Naim Miftari

Ai shfaqet skeptik, sa i përket gjykimit të këtyre personave ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza, duke thënë se ata nuk do të dënohen kurrë pasi nuk ka nga kush.

“Ky gjykim do dështojë, do të jetë cirkuz për TV, asgjë më shumë pasi mashtruesit dhe urdhëruesit e këtyre manipulimeve me veteranë të rrejshëm, nuk do të dënohen kurrë pasi s’ka kush i ndjek as s’ka kush i dënon. E patë si kaloi prokurori special i ikur Elez Blakaj vetëm se i ka hetuar disa lodra kokat e mesme po me i pas ngrit akuzë ky prokuror kundër Hashim Thaçit ,Kadri Veselit, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Azem Sylës etj. Blakajn për këto do ta kishin zhdukur nga faqja e dheut”, ka thënë ai.

Miftari thotë se, UÇK-ja nuk ka pasur më shumë se 16,400 ushtarë, dhe fajtorë për fryrjen e listave i lë edhe komandantët e zonave përkatëse, që nuk dalin dhe të tregojnë numrin e saktë të ushtarëve.

“Për rritje jo ligjore pos politikanëve që vinë nga hierarkia e luftës fajtor janë edhe komandantët e zonave të cilët e din shumë mirë kush ka qenë luftëtarë e kush jo. UÇK ka pasur diku afërsisht 16.400 ushtar jo më shumë, ose kanë qenë në baza jashtë Evropës ose në ndonjë planet tjetër e ne si kemi parë as si kemi pasur në luftë krah përkrah nesh. Sa i përket ndihmës 170 euro për luftëtar janë shumë qesharake do duhej së paku  400-500 euro rrogë mesatare, por për luftëtarë të vërtetë që janë të pa punë dhe pa përkujdesje tjetër ekonomike. Pasi ua dhanë “Bechtel Enkas” dhe  firmave tjera qindra miliona euro humbje si dhuratë, më së miri ato para do duhej t’i përdor për të mirën e qytetarëve, ku si prioritet janë veteranët e luftës”, ka përfunduar Miftari për “Bota sot”.

Përndryshe, prokurori që do të merret me këtë rast, është një prokuror i ri i sapo emëruar nga shteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat