Sipas profesorit ndërkombëtar, këto janë mënyrat që Thaçi mund ta rrëzoj Haradinajn dhe të shkatërrohet PDK-ja

Politika

Sipas profesorit ndërkombëtar, këto janë mënyrat që Thaçi mund ta rrëzoj Haradinajn dhe të shkatërrohet PDK-ja

Nga: D.RR Më: 9 tetor 2018 Në ora: 21:33
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Një rrebesh deklaratash e polemikash ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, janë dëgjuar ditëve të fundit. Derisa presidenti e kërcënon me shkarkim kryeministrit Haradinaj, ky i fundit nuk duket shumë i shqetësuar, madje i kundërpërgjigjet gjithmonë presidentit Thaçi.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se presidenti Thaçi po përdorë intriga ndaj kryeministrit sikurse ka bërë edhe në të kaluarën me LDK-në dhe Isa Mustafën. Kjo sipas Bytyçit vjen gjithmonë kur Hashim Thaçi është i zënë ngushtë dhe si revoltë përdorë mënyrën për kaos dhe krizë parlamentare.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj prej kohësh duket se janë në konflikt me njëri-tjetrin. Ndërsa Thaçi ushqen në vazhdimësi idenë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, Haradinaj I është kundërvënë kësaj ideje, madje në disa raste me mjaft ashpërsi. Këto dy ditë presidenti ka shfaqur identitetin e vet kur ka kërcënuar kryeministrin me postin e tij të lartë. Kjo do të thotë se Hashim Thaçi nuk heq dorë nga intrigat e veta. Kështu bëri më Zanzibarin, kështu e adresoi intrigën e tij ndaj Fatmir Sejdiut dhe e futi në kthetra Lidhjen Demokratike të Kosovës. Më pas ia punoi në këtë mënyrë kryetarit të LDK-së dhe kryeministrit Mustafa, të cilit ia shkaktoi krizën qeveritare në momentin që uzurpoi po me ndihmën e Isës postin e presidentit. Dhe është për t’u thënë se Hashim Thaçi sa herë ka dashur e ka çuar Kosovën në zgjedhje të parakohshme! Kjo lojë politike e presidentit të sotëm duket se frymëzohet nga të njëjtat motive, si edhe më parë. Gjithnjë kur ai është zënë ngushtë ose ka besuar se favorizohet nga faktorë të ndryshëm elektoralë, ka shkaktuar krizë parlamentare dhe ka garantuar pushtetin e tij”, është shprehur prof. Bytyçi.

Ai ka thekuar se kushtetuta e ndalon shkarkimin e kryeministrit nga presidenti, mirëpo ka treguar forma tjera që mund të përdorë Thaçi.

“Kësaj here situate duket pak më ndryshe: Së pari, kërcënimi i Thaçit për largimin e Haradinajt përmes ndonjë krize parlamentare ose votëbesimi është jo kushtetues. Presidenti nuk ka tagër kushtetues të shkarkojë kryeministrin. Atëherë cili është mekanizmi që ai mund të përdor? Është hapur intriga, veprimi në fshehtësi, manipulimi dhe komprometimi I ministrave dhe deputetëve, konspiracioni dhe veprime të tilla që janë në natyrën e fashizmit, neonazizmit dhe komunizmit stalinist. Kjo përbën shkelje të rëndë të kushtetutës dhe nëse edhe një fakt dokumentohet për këtë, atëherë Hashim Thaçi do të duhej t’I nënshtrohej procedurave për shkarkim. Së dyti, presidenti I Kosovës ndodhet në pozitë të pakëndshme për shkak të vetmisë së tij të madhe në aksionin politik serbo-rus të ndarjes së Kosovës përmes ndryshimit apo korrigjimit të kufijve të saj. Nëse ndërmerr një aksion politik konspirativ për shkarkimin e zotit Haradinaj qytetarët e Kosovës do ta ndëshkojnë ashpër me votë, sepse nuhatja politike e zgjedhësve në Kosovë është shumë e mprehtë. Ndoshta rrethanat politiko-shoqërore e kanë edukuar qytetarinë kosovare të nuhasë dhe dallojë qartë intrigën nga veprimi transparent dhe I sinqertë. Kjo do të çojë në humbjen elektorale të Partisë Demokratike të Kosovës. Në këtë rast Hashim Thaçi nuk do të mund të krijonte shumicë qeverisëse, sepse opozita do të jetë pa asnjë diskutim në pushtet”, ka theksuar ai.

Për më tepër, Bytyçi ka thënë se ky veprim i Thaçit do të mund ta shkatërronte edhe PDK-në së bashku me Kadri Veselin.

“Ai duke rrëzuar Haradinajn, në fakt do të rrëzojë partinë e tij. Por a do ta pranojë këtë Kadri Veseli? Mendoj se nuk do ta pranojë, sepse Thaçi duke I shkaktuar një humbje të thellë PDK-së, me vetëdije do ta shfrytëzojë këtë për ta sulmuar dhe shkarkuar Veselin nga detyra e kryetarit të partisë. Për pasojë do të sjellë në krye të saj një person të bindur, I cili do të jetë I gatshëm t’ia lirojë vendin atij kur të mos jetë më president. Me ndonjë aksion politik për shkarkimin ose votëbesimin e Haradinajt,, suksesi I vetë I Thaçit do të jetë të fajësojë Kadri Veselin dhe ta mënjanojë atë nga drejti I Partisë Demokratike të Kosovës. Se përplasja Thaçi-Haradinaj është serioze dhe një rast unikal, kjo nuk ka nevojë të provohet. Të dy këta janë në pozicione të kundërta sa I përket idesë Thaçi-Vuçiq-Rama për ndarjen e Kosovës. Por ajo që më bën përshtypje ka të bëjë me deformimin e qëllimshëm që presidenti I bën deklaratave të kryeministrit. Ndërsa Haradinaj ekskluzivisht ka folur kundër idesë së ndryshimit të kufijve, presidenti e akuzon atë se “është kundër dialogut”! Ky deformim që do të duartrokitej në një shoqëri totalitare, ka për qëllim të keq informojë opinionin publik dhe opinionin ndërkombëtar. Pra qëllimi është që ta paraqesë kryeministrin si “kundërshtar të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit”! Ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Dhe për ta mbyllur mund të them se nëse Thaçi ndërmerr ndonjë aksion politik mafioz për të votëbesuar ose larguar qeverinë e zotit Haradinaj, ai do të ndeshet në një reagim të fortë ndërkombëtar, sepse një qëndrim I tillë në kohët e sotme të ndërlikuara në Ballkan, do të krijonte një problem të ri për Perëndimin. Vetëm Serbia dhe Rusia do të ishin të interesuar për një vatër tjetër krize në Ballkan, për një krizë të re politike në Prishtinë. Kësisoj kostoja që do të paguante zoti Thaçi është shumë e lartë, po aq e lartë sa edhe kostoja që do të paguante vetë Kosova. Megjithatë në rastin e diskutimit për kufijtë tashmë të gjithë e kanë kuptuar qartë faktin se presidenti I Kosovës nuk udhëton më në trenin euro-atlantik, por është strukur në trenin e aleancës Beograd-Moskë-Pekin-Ankara!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat