Shahu: Phillips denoncuesi i tregtisë së presidentit me atdheun, e do Kosovën më shumë se Thaçi

Politika

Shahu: Phillips denoncuesi i tregtisë së presidentit me atdheun, e do Kosovën më shumë se Thaçi

Nga: G.B Më: 13 tetor 2018 Në ora: 15:01
Hashim Thaçi dhe David Philips

Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David L. Phillips, njëherësh këshilltar për Politikë të Jashtme i angazhuar nga presidenti Hashim Thaçi, së fundmi ka thënë dorëheqje nga kjo detyrë, duke thënë se ai nuk do që të jetë pjesë e ndarjes së Kosovës.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë pajtuar për idenë e korrigjimit të kufijve të cilën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e avokuar tash e disa muaj nëpër Kosovë dhe jashtë saj.

Phillips, drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe të Drejta të Njeriut në Institutin për të Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, tha se nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, atëherë “ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton”.

“Po, jam i sigurt. Kam folur me zyrtarë amerikanë. Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit, ajo përkrah gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të cilën mund ta vlerësojë dhe ajo marrëveshje duhet të gjejë përkrahje nga qeveritë përkatëse dhe nga shoqëria civile”, ka thënë Phillips.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se po shihet se eksperti amerikan po e do Kosovën më shumë se Hashim Thaçi, që po pranon të jap territor të Kosovës.

“Nuk më takon mua të dal patriot mbi patriota, të deklarohem se e dua Kosovën më shumë se ndonjë shqiptar tjetër. Unë thjeshtë e dua Kosovën se është atdheu im dhe nuk do të lejoja të cenohet asnjë pëllëmbë territor i tij. Eksperti i njohur amerikan, ekspert prej 3 dekadash, këshilltar i tre presidentëve amerikanë, po shihet se e do Kosovën më shumë se Hashim Thaçi që fatkeqësisht është president i Kosovës por që për interes të tij që nuk e di çfarë dhe për llogari të serbëve, pranon të japë territor të Kosovës për paqe e qetësi”, është shprehur Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Ai thotë se Kosova e ka paguar çmimin e saj me gjakun e të vrarëve dhe me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-së.

“Kosova e ka paguar çmimin e saj, ka mijëra e mijëra njerëz në varre për lirinë e pavarësinë e saj, nuk po i kërkon askush ta blejë pavarësinë e lirinë me tokë, duke dhënë tokë për pavarësinë e lirinë. Kosovës ia ka sjellë lirinë e pavarësinë gjaku i bijve të saj dhe Amerika e NATO-ja”, ka vlerësuar si.

Sipas Shahut, Thaçi e ka nxjerrë në shitje një copë toke të Kosovës për karrierën e tij, por ai nuk e ka të drejtën që ta shet Kosovën.

“Hashim Thaçi nuk e di çfarë do të blejë për veten e tij, për karrierën e tij që e ka nxjerrë në shitje një copë Kosove. Populli shqiptar nuk e ka nxjerrë në shitje asnjë copë Kosove, Hashimi mundet me e shite veten e tij, me soj e sorollopin e tij por jo atdheun tim se nuk e ka atë tager, është president me mbrojt tërësinë territoriale të atdheut e jo me e shitë copa atdheu”, ka theksuar Shahu për “Bota sot”.

Ai thotë se David Phillips është denoncues i tregtisë dhe tradhtisë që Thaçi po tenton t’i bëjë atdheut dhe që deshi të bindë shqiptarët që amerikanët e mbështesin shkëmbimin e territoreve.

“David Philips është denoncuesi më serioz i tregtisë e tradhtisë që po synon të bëjë Thaçi me atdheun. Thaçi flet në emër të amerikanëve si kryebanditi në emër të bandës së tij por David Philips e demantoi këtë mashtrim të Thaçit. Thaçi do të abuzojë me mbështetjen amerikane, do të bindë shqiptarët se amerikanët duan kështu si thotë Thaçi, por unë nuk besoj se amerikanët që çliruan e pavarësuan Kosovën janë me Thaçin që do të shesë një copë Kosove për interesat e tij”, ka thënë ai.

Madje, Shahu thotë se nëse do të falet territor i Kosovës, më mirë që Kosova të mos jetë kurrë pjesë e BE-së, OKB-së, duke shtuar se për Philips duhet vetëm falënderim që e do Kosovën më shumë se Thaçi.

“Unë do të thosha se kurrë Kosova mos të hyjë në OKB, mos u njohtë e pranoftë nga 5 vendet e BE-së nëse duhet të japë territor të saj si çmim për këto gjëra. Sot duhet vetëm një falënderim për David Philips, këtë amerikan që e do Kosovën siç po shihet më shumë se Hashim marrja”, ka përfunduar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat