Prishtina gati për të filluar mësimin më 1 shtator

Prishtina

Prishtina gati për të filluar mësimin më 1 shtator

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 11:54
Arbërie Nagavci

Komuna e Prishtinës i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2016/2017.

Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimitnë këtë komunë , Arbërie Nagavci, ka thënë në një intervistë për Kosovapress se janë bërë të gjitha përgatitjet infrastrukturore dhe didaktike për një fillim të mbarë të vitit shkollor që nga kopshtet deri te niveli i mesëm i lartë i shkollimit.

Nagavci është shprehur se riparimet kryesisht kanë qenë në infrastrukturë si: gëlqerosje, renovime në çati të shkollave apo nyje sanitare.

Nagavci: Kemi instaluar nxehjen qendrore në disa shkolla

“Kemi punuar në shkollat e mesme në objektin e gjimnazit ‘Sami Frashëri’, pastaj në shkollën ‘Xhemail Mustafa’, në shkollën ‘Gjergj Fishta’, në disa shkolla është punuar në përmirësimin e infrastrukturës së oborrit të shkollës, diku në çati, ndërsa në të tjerat është punuar në gëlqerosje dhe ka filluar edhe instalimi i sistemit të ngrohjes qendrore në disa shkolla në zonat rurale”, ka thënë Nagavci.

E para e arsimit në Prishtinë bëri të ditur se është në përfundim edhe procesi për pranimin e mësimdhënësve dhe stafit tjetër përcjellës për shkolla.

Nagavci: E kemi përmbyllur konkursin me 95 pozita të hapura për staf në shkolla

“Është në proces konkursi për punësimin e stafit, konkursi për drejtor dhe zv.drejtor, tashmë kanë përfunduar intervistat dhe janë dhjetë pozita të hapura, dy prej tyre janë në shkollat e mesme të larta dhe tetë në shkollat e mesme të ulëta dhe ato fillore. Kanë përfunduar ët gjitha intervistat, komisioni është duke e bërë vlerësimin përfundimtar dhe shumë shpejt do të shpallet lista me kandidatët e përzgjedhur dhe është në proces konkursi për mësimdhënës, në këtë vit kemi pas 95 pozita të hapura për punëtorë në të gjitha nivelet duke filluar prej çerdheve gjegjësisht edukatore, pastaj motra edukatore dhe mësimdhënëse mbështetëse në disa klasa dhe janë shpërndarë në nivele të ndryshme të shkollës së mesme të lartë”, tha Nagavci për KosovaPress.

Drejtoresha Nagavci, ka thënë po ashtu se që nga data 15 gusht, mësimdhënësit kanë filluar të paraqiten nëpër shkolla ku do t’i bëjnë planet e tyre të mësimit në mënyrë që gjithçka të jetë gati për 1 shtator.

Por, ajo ka shtuar se një problem ka qenë me disa mësimdhënës të cilët kanë mbetur pa orë mësimore si rezultat i ndryshimit të kurrikulës mësimore.

Kurse, sa i përket regjistrimit të nxënësve në klasa të para, Nagavci është shprehur se tashmë në kryeqytet ekziston harta zonale në bazë të të cilës regjistrohen nxënësit në shkollën më të afërt të lagjes.

Kjo sipas Nagavcit ka shërbyer për shpërndarjen e nxënësve në mënyrë proporcionale në të gjitha shkollat duke mos lejuar që të gjithë të synojnë një shkollë të caktuar.

Nagavci: Me hartë zonale e kemi shpërndarë numrin e nxënësve në gjithë komunën?

“Sivjet është përgatitë harta zonale e cila i ka përcaktuar zonën e mbulimit për shkolla të caktuara. Këto janë nxjerrë me qëllim të shmangies së mbingarkesës së shkollave të ndryshme fillore sepse në komunën e Prishtinës ka një disproporcion sa i përket numrit të nxënësve në shkolla të ndryshme. Shembull kemi pas një mbingarkesë në shkollën ‘Ismail Qemali’ ku viteve të kaluara numri i nxënësve në paralele të caktuara ka shkuar deri në 40 ndërsa kemi pas përveç shkollave të fshatit ku numri i nxënësve është shumë i vogël, e kemi pas një numër më të vogël të nxënësve edhe në shkolla tjera shembull në shkollën ‘Naim Frashëri. Për këtë arsye jemi munduar që të përcaktojmë zonën e mbulueshmërisë për shkolla të ndryshme, pra sigurisht duke kërkuar nga ana tjetër nga shkolla që të ketë një përkushtim më të madh të mësimdhënësve në mënyrë që prindërit vërtetë të jenë të sigurt që edukimi që e marrin fëmijët e tyre të jetë e nivelit i cili kërkohet”, tha Nagavci.

Ajo po ashtu bëri të ditur se deri më1 shtator, pritet që të shpërndahen edhe librat të cilat dhurohen nga Ministria e Arsimit.

Ajo ka deklaruar se shpërndarja e librave bëhet direkt nëpër shkolla të cilat shpërndahen nga komisione të caktuara të cilat formohen në shkollë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat