Tre arinj në robëri transferohen në qendrën strehimore në Prishtinë

Prishtina

Tre arinj në robëri transferohen në qendrën strehimore në Prishtinë

Më: 26 shtator 2016 Në ora: 16:14
Ilustrim

Tre arinj të mbajtur në robëri janë transferuar sot në qendrën strehimore “Pylli i arinjve”  Prishtinë në bazë të marrëveshjes midis Ministrisë së Mjedisit dhe fondacionit “Four Paws”.
 
Dy arinjtë të moshës rreth 5 vjeç, Tomi dhe Pashuku ishin dërguar një muaj më parë në Kopshtin Zoologjik në Tiranë pas sekuestrimit që inspektorë të ISHMP-së bënë në vendet ku ata mbaheshin.
 
Xhina,  ariu i tretë, u sekuestrua në fshatin Zerqan dhe pas plotësimit të të gjitha procedurave ligjore u nis drejt Kosovës së bashku me dy arinjtë e tjerë.
 
Ministri i Mjedisit Lefter Koka është shprehur më herët mbi këtë fenomen duke siguruar zgjidhjen përfundimtare me ngritjen e të parës qendër strehimore edhe në Shqipëri.
 
“Paralelisht me inspektimet për eliminimin e këtij fenomeni të trashëguar në vite, ju siguroj se Ministria e Mjedisit po bën cmos për ngritjen e së parës qendër strehimore për ariun e murrmë në Shqipëri.
 
Njëherazi dua të theksoj se turizmi shqiptar nuk ka asnjë të mirë, përkundrazi vishet me një imazh negativ nga shfrytëzimi dhe ekspozimi i kafshëve në publik”është shprehur ministri Koka
 
Nga fillimi i këtij viti e deri më tani është bërë e mundur të dërgohen apo të jenë në proces të dërgimit për në Qendra Shpëtimi jashtë vendit, 13 arinj të murrmë të mbajtur në robëri.
 
Në Janar të këtij viti, nëpërmjet vetë strukturave të Ministrisë së Mjedisit u dërguan tre arinj në Follorinë të Greqisë, më pas nëpërmjet bashkëpunimit dhe të OJF-ve mjedisore, janë dërguar dhe 2 arinj në Gjermani; ndërkohë që 8 arinj të tjerë janë në proces të përgatitjes së dokumentacionit për t’i dërguar në qendra jashtë vendit (pesë nga të cilët në Prishtinë).
 
Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me shoqërinë civile po punon për realizimin e identifikimit të plotë dhe matrikullimin e të gjithë arinjve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat