Apeli liron zyrtarët e Komunës së Drenasit

Prishtina

Apeli liron zyrtarët e Komunës së Drenasit

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 09:50
Gjykata e Apelit

Për shkak të parashkrimit të veprës penale, Gjykata e Apelit u ka dhënë pafajësinë 6 zyrtarëve të Komunës së Drenasit, të akuzuar për shpërdorim të detyrës.

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte dënuar Flora Krasniqin me 8 muaj burg, Shqipe Kuliqin me gjashtë muaj burg me kusht, Ajet Demirin me 16 muaj burg me kusht, Abit Zariqin me tetë muaj, ndërsa Besim Tahirajn dhe Xhavit Nebihun me nga 6 muaj burg me kusht.

Ibrahim Dobruna, avokat i të akuzuarit Besim Tahiraj, ka njoftuar se Gjykata e Apelit ka vlerësuar se lënda ka arritur parashkrimin relativ.

“Gjykata e Apelit e Kosovës ka marrë aktgjykim me të cilin ka aprovuar ankesën e mbrojtësit avokatit Ibrahim Z. Dobruna të të  akuzuarit Besim Tahiraj, me të cilin ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinëtë datës 20 prill 2016, ashtu që ndaj z. Tahiraj dhe të tjerëve për shkak të veprës penale Shpërdorim i Detyrës Zyrtare ose i autorizimit në bashkëkryerje, ka refuzuar akuzën për shkak të parashkrimit relativ të  ndjekjes penale”, njoftoi Dobruna.

Gjykata Themelore i kishte gjetur fajtorë dhe dënuar zyrtarët e Komunës së Drenasit në muajin prill të këtij viti.

Avokati Dobruna tha për kallxo.com se vendimi lirues i Apelit vlen për të gjithë të akuzuarit.

Pjesë e kësaj lënde gjyqësore janë: Flora Krasniqi, zyrtare në Drejtorinë e Urbanizmit, Shqipe Kuliqi ish-zyrtare në Urbanizëm tani zyrtare në Drejtorinë e Arsimit, Ajet Demiri ish-drejtor i Urbanizmit tani asamblist, Abit Zariqi zyrtar ne Drejtorinë e Urbanizmit, Xhavit Nebihu, ish-zyrtar në Urbanizëm, tani sekretar i zyrës së Kuvendit dhe Besim Tahiraj, zyrtar i ndërtimit në Urbanizëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat