Përmirësohet cilësia e ajrit në Prishtinë

Prishtina

Përmirësohet cilësia e ajrit në Prishtinë

Më: 29 nëntor 2016 Në ora: 14:42
Ilustrim

Bazuar në matjet e realizuara nga dy stacionet monitoruese të cilësisë së ajrit në Prishtinë në zonë urbane dhe sub urbane gjatë periudhës katër ditëve të nëntorit, është regjistruar përmirësim i cilësisë së ajrit për të gjithë parametrat e monitoruar e veçanërisht për grimcat në ajër.

Analiza është bërë në oborrin e ndërtesës Rilindja dhe oborrin e Institutit Hidrometerorologjik, ku aktualisht vlerat e grimcave në ajrë, për të ciliat ishin regjistruar tejkalime në ditët e mëparshme janë brenda kufijve të lejuar të vlerave mesatare ditore (50ug/m3).

“Nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit është vërejt se gjatë këtyre ditëve vlerat e regjistruara për PM2.5, kanë qenë brenda kufijve të lejuar me përjashtim të datës 26 nëntor, ku vlera maksimale e mesatareve ditore e regjistruar ka qenë  55 ug/m3, që korrespondon me zonën e portokallt e që në bazë të Indeksit të Cilësisë së Ajrit (AQI) është e ndjeshme vetëm për personat me ndjeshmëri të lartë ndaj kësaj ndotje. Vlerat e regjistruara gjatë ditëve të tjera kanë qenë brenda normave të lejuara, përkatësisht në zonën e verdhë dhe të gjelbër të Indeksit të Cilësisë së Ajrit, që i takojnë zonës me cilësi të kënaqshme të ajrit. Ndërsa sa i përket vlerave kufitare ditore me PM10, tejkalime janë regjistruar vetëm me datën 26.11.2016 me 65 ug/m3, ndërsa në të gjitha ditët tjera vlerat kanë qenë brenda limiteve dhe sillen mes vlerave  20 ug/m3 deri 37 ug/m3 ”, thuhet në një komunikatë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. 

Sipas kësaj agjencie, ky përmirësim i gjendjes ka ardhur si rezultat i ndryshimit të kushteve atmosferike, përkatësisht paraqitjes së kushteve të favorshme meteorologjike për shpërndarjen e koncentrimit të ndotësve, sikurse janë largimit i mjegullës, paraqitja e erës, reshjet e shiut dhe reshjet e borës.

Kjo gjendje ka ndikuar në shpërndarjen e koncentrimit të ndotësve që emitohen nga industria, transporti dhe nga ngrohtoret kolektive dhe ato individuale, duke përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat