Ahmeti: “Cineplexx”, mirësevjen në Prishtinë

Prishtina

Ahmeti: “Cineplexx”, mirësevjen në Prishtinë

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 21:03
Pamje nga hapja e kinemasë Cineplexx

Prishtina nga sot u ofron qytetarëve mundësi atraktive në gjashtë sallat e Kinemasë “Cineplexx”, që është hapur në “Albi Mall”. Kjo risi është rrjedhojë e bashkimit të dy bizneseve familjare, “Albi Mall” dhe “Cineplexx”.

Me këtë rast Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kjo risi sjell inovacion në hartën kulturore të kryeqytetit. Sipas tij  me anë të kësaj, Prishtina është pjesë e familjes së qyteteve me teknologjinë e fundit.

Thaci: Mundësi atraktive për qytetarët

“Hapja e dy pikave të operatorit austriak të kinemave ‘Cineplexx’ në Prishtinë, do t’iu ofrojë qytetarëve mundësi atraktive të argëtimit. Prandaj, kjo risi që sjell inovacion në hartën kulturore të kryeqytetit, e bën Prishtinën pjesë të familjes së qyteteve me teknologjinë e fundit. Ky operator i kinemave me përvojë shumëvjeçare, ndjehemi tepër mirë që më në fund erdhi edhe në Republikën e Kosovës, sepse është prezente në shumë vende të Bashkimit Evropian, por edhe të regjionit tonë”, tha Thaçi.

I lumtur për përfundimin e këtij projekti, u shpreh edhe i pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai tha se me rastin e zgjerimit të Qendrës Tregtare “Albi Mall”, në këtë rast të Kinemasë “Cineplexx”, po gëzohet sikur një fëmijë.

Ahmeti: Shumë i lumtur për “Cineplexx”

“Sot po e bëjmë këtë zgjerim të ‘Albi Mall’ edhe kënaqësinë më të madhe e kom se edhe pse në shekullin njëzet e një, po gëzohem si fëmija për me pas kinemanë e parë Multiplexx në Prishtinë. Në emrin e Komunës së Prishtinës e falënderoj edhe Kompaninë ‘Albi’, por në veçanti ‘Cineplexx’-in, që Prishtinën po e fut në rrjetin e vet, të kinemave Multiplexx, me teknologjinë më të re që mund ta kenë edhe Prishtina edhe prishtinasit, do të jenë në gjendje t’i ndjekin filmat më të ri në teknologjinë më të re në Evropë”, tha Ahmeti.

Përfaqësuesi i “Albi Mall”, Betim Humolli i falënderoi të gjithë ata që kontriboun për finalizimin e këtij projekti.

Humolli: “Cineplexx”, zgjerim i “Albi Group”

“Kam nderin dhe kënaqësinë të ju përshëndes edhe t’u uroj mirëseardhje në inaugurimin e projektit e zgjerimit të ‘Albi Mall’ si dhe të hapjes së kinemasë së parë  Multiplexx në Kosovë, të kompanisë së mirënjohur austriake ‘Cineplexx’. Një falënderim të posaçëm dëshiroj t’i adresoj Komunës së Prishtinës për përkrahjen e parezervë të këtij projekti, që ne sot po e inaugurojmë“, tha Humolli.

Në anën tjetër, përfaqësuesi nga “Cineplexx”, Christofor Papusek tha se ky projekt është një koicidencë e madhe, sepse është rrjedhojë e bashkimit të dy bizneseve familjare.

Papusek: Bashkim i dy bizneseve familjare

“Është koicidencë e madhe që biznesi i ‘Alb’-it është biznes familjar, ashtu siç është edhe biznesi ‘Cineplexx’, pasi që edhe ne jemi familje. Është e jashtëzakonshme që kemi bashkuar fuqitë e dy familjeve, që të arrijmë një projekt të tillë siç është ‘Cineplexx’. Kinemaja i ka 6 salla, më shumë se 1 mijë ulëse dhe është e pajisur me teknologjinë më të fundit. Teknologjia është po e njëjta si në Austri, Itali dhe në vende të tjera, pra nuk ka ndonjë dallim prej kinemave të tjera, pasi që edhe në Kosovë është teknologjia e fundit”, tha Papusek.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat