Tri mësuese për një gjysëmvjetor, prindërit nuk lejojnë fëmijët të mbajnë mësim

Prishtina

Tri mësuese për një gjysëmvjetor, prindërit nuk lejojnë fëmijët të mbajnë mësim

Më: 19 janar 2017 Në ora: 17:34
Fëmijët e klasës së dytë në shkollën fillore “7 Marsi” në lagjen Kalabria

Fëmijët e klasës së dytë në shkollën fillore “7 Marsi” në lagjen Kalabria ka disa ditë që nuk po e mbajnë mësimin. Krejt kjo pasi që nuk po lejohen nga prindërit e tyre. Këta të fundit e kanë ndërmarrë këtë veprim pasi që për një gjysëmvjetor u janë ndërruar tri edukatore.

Mësuesja e cila e ka pas këtë paralele që nga klasa e parë gjendet në pushim të lehonisë dhe prandaj ajo është zëvendësuar nga një mësuese tjetër, të cilës i ka skaduar kontrata me 31 dhjetor të vitit të kaluar dhe tash për gjysëmvjetorin e dytë nga Drejtoria Komunale e Arsimit është përzgjedhur një mësuese tjetër.

Isat Muli, njëri nga prindërit, tha se nuk i kanë lejuar fëmijët e tyre të mbajnë sot mësim për arsye të ndërrimit të mësueses dhe se janë kundër ndërrimit të tri mësuesve gjatë një gjysëmvjetori.

Muli: Jemi kundër të ndërrimit të tri mësueseve brenda një gjysëmvjetori

“Fëmijët si kemi lejuar sot me hy për arsye se mësuesja e parë Ajshja, për shkak të shtatzënisë është tek shtëpia dhe është bërë një zëvendësim i saj, ajo me emrin Fitore edukatorja dhe deri tash i ka mësuar. Tash është ardhë edhe një tjetër, ajo ka shkuar do të thotë për një gjysëmvjeto, tri edukatore i kanë mësuar këta fëmijë këtu dhe ne jemi kundër kësaj pune. Kundër nuk kemi as kësaj edukatore, por jemi kundër ndërrimit të tri edukatoreve brenda një gjysëmvjetori”, tha ai.

Edhe  Fatime Pacolli, nëna e njërit nga fëmijët e kësaj klase tha se kanë shkuar në Komunë, por që nuk i ka marrë askush në konsideratë. Po ashtu, ajo tha se nuk do t’i lënë fëmijët të vijnë në shkollë derisa të kthehet mësuesja e tyre.

Pacolli: Nuk i lejojmë fëmijët të mbajnë mësim derisa të kthehet njëra nga mësueset

“Kemi qenë në komunë ata të sigurimit nuk na kanë lanë as me hi në katin e dytë, jemi kthyer na kanë thanë shkoni në komunë të re. Jemi shku në komunë të re nuk na ka marrë parasysh kurrkush rastin edhe jemi kthyer prapë na fëmijët nuk dëshirojmë t’i lëmë ma me majtë mësim derisa të vjen ose mësuesja Ajshe ose mësuesja Fitore”, tha ajo.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës, Shpresa Gashi-Çitaku, tha se prindërit e kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkak të ndërrimit të mësueseve, por që sipas saj Drejtoria e shkollës është e obliguar që të zbatojë vendimet të cilat vijnë nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

Gashi: Ne vetëm zbatojmë vendimet e Drejtorisë së Arsimit

“Drejtoria e komunale e Arsimit ka shpallur konkurs, kontratat i kanë pas mësueset deri më 31 dhjetor dhe pas shpalljes së konkursit kanë filluar procedurat e seleksionimit dhe intervistimit dhe komisioni që është përcaktuar nga DKA-ja, ka dhënë vlerësimin që mësuesja Fitore Ahmeti të zëvendësohet me Zymrie Maloku. Drejtoria e shkollës është e obliguar ti zbatojë vendimet e drejtorisë komunale për arsim. Mësuesja e re ka ardhur me vendim dhe ne jemi të obliguar, ai vendim për ne është i plotfuqishëm, ne e kemi pranuar mësuesen dhe prindërit janë informuar për mësuesen e re”, tha ajo.

E kontaktuar ngas Kp përmes telefonit, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, tha se nuk ka pas asnjë kërkesë nga prindërit që të takohen me të. Ajo tha se meqenëse mësuesja e cila gjendet në pushim dhe për mos me humb orët mësimore për fëmijët ka qenë e përcjellur për zëvendësim një mësimdhënëse deri në shpallje të konkursit. Sipas saj, mësuesja e cila është përzgjedhur për t’i mësuar nxënësit plotëson të gjitha kushtet e kërkuara.

Ajo thotë se prindërit gabojnë që nuk po lejojnë fëmijët e tyre të vijojnë mësimin.

“Drejtoresha më ka njoftuar me shkrim për këtë rast, mësimdhënësja e klasës ka shkuar në pushim dhe për mos me humb orët mësimore për fëmijët ka qenë e përcjellur për zëvendësim një mësimdhënëse deri në shpallje të konkursit. Është shpallë konkursi komisioni që është profesional konform legjislacionit i cili ka bërë përzgjedhjen e mësimdhënëses dhe vendimi ka shkuar në shkollë. Kështu që nëse kanë bërë një veprim të tillë paskan bërë gabim që e kanë bërë në mënyrë arbitrare, kushdo që është pranuar se në intervistë janë thirrur vetëm kandidatët që i kanë plotësuar të gjitha kërkesat ligjore dhe janë përzgjedhur me kualifikime adekuate”, tha ajo.

Por në anën tjetër prindërit e fëmijëve thonë se nuk do t’i lejojnë fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë derisa të kthehet mësuesja që ka qenë më herët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat