Sejdiu: Prokuroria e liron personin që sulmoi fizikisht drejtorin e Komunës së Prishtinës

Prishtina

Sejdiu: Prokuroria e liron personin që sulmoi fizikisht drejtorin e Komunës së Prishtinës

Më: 1 shkurt 2017 Në ora: 18:46
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka treguar se përkundër që një person – mjeku, Arsim Gashi – ka kërcënuar dhe madje sulmuar fizikisht drejtorin e Komunës së Prishtinës, Arben Vitia, prokuroria e ka liruar përsëri.

Sejdiu ka shpjeguar se “për ta pasur sistem sa më të mirë të shëndetësisë primare në Prishtinë, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në vazhdimësi ka ndërmarrë masa ndaj atyre që kanë penguar një gjë të tillë. Arsim Gashi, gjinekolog në QMF nr.5 në lagjen Dardania, është larguar përkohësisht nga puna për shkak të papërgjegjësisë së vazhdueshme në ushtrimin e detyrës, shkeljes së normave të punës, si dhe kërcënimit direkt serioz që ia ka bërë drejtorit të QKMF-së në Prishtinë Rrezart Halili”.

Pas këtij vendimi, sipas Sejdiut, “Gashi ka filluar kërcënimet edhe ndaj Drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Arben Vitia”.

“Ky i fundit dy herë i ka denoncuar këto kërcënime”.

“Por, prokurorët në të dy rastet e kanë liruar me procedurë të rregullt kërcënuesin Arsim Gashi, pavarësisht faktit se kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme karshi Vitia”/

“Së fundmi, më 31 janar, kërcënuesi Arsim Gashi ka ndjekur Vitia teksa ky i fundit bashkë me bashkëshorten po merrnin djalin e tyre nga shkolla. Ai e ka ndalur, dhe në prezencë të familjes e ka sharë, kërcënuar dhe sulmuar fizikisht, duke i dhënë afat 24 orë për ta tërhequr vendimit “ose përndryshe do të bëhet gjaku deri në gju, dhe do të jesh në gjak me mua, e nëse për ‘dërzhavën’ do me hy në gjak me mu, vazhdo”.

“Edhe pas këtij rasti, z. Arben Vitia ka njoftuar Policinë, dhe përsëri prokurori i rastit, Musa Mehaj e ka liruar kërcënuesin Arsim Gashi”.

“Një prokuror i tillë si Musa Mehaj, që nuk ndërmerr masat e duhura në kohë, është përgjegjës për çfarëdo pasoje të radhës në këtë çështje. Në një shtet të mirëfilltë e ligjor, ai prokuror qysh sot do të ishte duke u ndjekur penalisht”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat