Komuna e Prishtinës largon nga banesat komunale zyrtarët e PDK-së dhe LDK-së

Prishtina

Komuna e Prishtinës largon nga banesat komunale zyrtarët e PDK-së dhe LDK-së

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 13:50
Dren Kukaj, drejtor i Pronës dhe Arben Vitia, drejtor i Shëndetësisë në konferencë për media

(E plotësuar) - Komuna e Prishtinës ka vendosur që në banesat e ndara komunale në “Bregun e Diellit” t’i largojë të gjithë ata që nuk i përkasin rasteve sociale, kategorive të luftës dhe që nuk janë invalidë të punës.

Në një konferencë për media drejtori i Pronës në komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, tha se kjo është vendosur që të largojë nga banesat komunale të gjithë ata që nuk e meritojnë. Sipas tij pushtetarët e kaluar të komunës së Prishtinës në saje të privilegjeve që i kanë pasur i kanë ndarë vetes banesa. Kukaj thotë se ato banesa do t’ua marrin dhe do t’u jepen njerëzve që kanë nevojë..

Drejtori i Pronës bëri të ditur se përfitues të banesave komunale kanë qenë kryesuesi i Asamblesë Komunale Halim Halimi i cili e ka përfituar banesën si ish drejtor, Sabedin Haxhiu, Muhamet Gashi, Agim Dibrani. Të gjithë këta qenë përfitues gjatë kohës sa kanë   qenë drejtorë. Në mesin e përfituesve është edhe asamblisti i tanishëm nga radhët e PDK-së Shemsi Veseli.

Kukaj: Ata të cilët nuk kanë nevojë do të largohen

“Pra ky është një vendim, një qëndrim politik i qeverisjes se Lëvizjes Vetëvendosjes të cilën e kemi marrë në bashkëpunim me kryetarin tonë Shpend Ahmeti. Shpresoj që të mos keqkuptohet e të mos interpretohet si ndonjë lloj hakmarrje politike, por si një vendim i drejtë ku do të largohen ata që më të vërtetë nuk kanë nevojë dhe do të zëvendësohen me të tjerë që më të vërtetë kanë nevojë. Të tillë, si përfitues mund ta gjeni prej kryesuesit të asamblesë komunale Halim Halimi i cili ka përfituar atë banesë si ish drejtor, gjithashtu Sabedin Haxhiun e Muhamet Gashi, Agim Dibrani, të gjithë drejtorë në atë kohë kur janë dhënë banesat vetës së tyre. Gjithashtu ka edhe asamblist të atëhershëm por edhe të tashëm, sikurse Shemsi Veseli nga radhët e PDK-së”, tha Kukaj. 

Drejtori i Pronës në komunën e Prishtinës tha se do të largohen të gjitha ata që nuk janë raste sociale për t’i zëvendësuar me raste që sipas tij me të vërtetë kanë nevojë.

Kukaj: Do t'i largojmë të gjithë ata që nuk janë raste sociale

“Kemi marrë një vendim ose duhet t’iu kumtoj një qëndrim politik të qeverisjes sonë që për banesat e ndara në ‘Bregun e Diellit’, për të cilat është folur shumë që janë diku rreth 50 banesa, ne kemi vendosur që përjashtimisht prej kategorive që u kanë ndarë kategorive të luftës, rasteve sociale, të invaliduarëve në punë që ka raste të tilla që kanë përfituar banesa, të gjithë të tjerët ne kemi vendosur që prej aty t’i largojmë e njëkohësisht të shpallim një konkurs të ri, që të njëjtit t’i zëvendësojmë me raste që me të vërtetë kanë nevojë”, tha Kukaj.

Sa i përket banesave që janë ndërtuar në Hajvali për familjet me gjendje të rëndë ekonomike, drejtori i Shëndetësisë Arben Vitia tha se përfitues të tyre do të hyjnë 50 familje me gjendje të rëndë ekonomike.

Vitija: Nga banesat në Hajvali do të përfitojnë vetëm 50 familje

“Nga këto banesa do të përfitojnë vetëm 50 familje, ato në kushtet më të rënda, janë 330 familje që kanë aplikuar në tërësi. Deri më tani në fazën e dytë Komisioni ka bërë vlerësimin e situatës në terren për 94 familje, procesi është në vazhdim e sipër dhe tani që po flasim, besoj që sot do ta tejkalojë numrin 100 dhe për një kohë relativisht të shkurtë presim të vijnë edhe me të gjitha informacionet më fotografi dhe vlerësimin e situatës në terren për të gjitha familjet 330 të cilat kanë aplikuar”, tha Vitia.

Gjithashtu, ai tha se  nën mbikëqyrjen e kryetarit Shpend Ahmeti, për 280 familjet tjera të cilat nuk do të munden të përfitojnë nga ky rast janë duke përgatitur planin tre vjeçar të banimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Pronës dhe Drejtorinë e Urbanizmi, t i cili plan mendohet që në tri deri në pesë vitet e ardhshme do të zgjedhë përfundimisht çështjen e banimit social në komunën e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës paralajmëron largimin e familjeve që nuk janë raste sociale

Komuna e Prishtinës do ti largojë nga banesat e ndara në lagjen “Bregu i Diellit” të gjitha ato familje që nuk janë raste sociale, për ti zëvendësuar me ato familje që janë në nevojë.

Kështu është bërë e ditur në një konferencë për media të Komunës së Prishtinës.

Dren Kukaj, drejtor i Pronës, tha se është marrë një vendim për largimin e familjeve në “Bregun e Diellit”, të cilat nuk janë raste sociale.

Ai tha se ky vendim është marrë në mënyrë që  të zëvendësohen me familjet që janë në nevojë.

Ndërsa, Arben Vitia, drejtor i Shëndetësisë, tha se në lagjen “Hajvalia” do të përfitojnë 50 familje, ku kanë aplikuar 330 familje.

Ai njoftoi se deri tani janë bërë 94 inspektime në familjet të cilat kanë aplikuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat