Halimi: Nga banesa na largojnë veç zvarrë

Prishtina

Halimi: Nga banesa na largojnë veç zvarrë

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 19:29
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Halim Halimi

Halim Halimi pretendon se është banor i ligjshëm i banesës së Komunës dhe këtë e argumenton me faktin se ka kontratë 10-vjeçare të shfrytëzimit.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Halim Halimi, konsideron se është banor i ligjshëm i banesës së Komunës dhe këtë e argumenton me faktin se ka kontratë 10-vjeçare të shfrytëzimit dhe se për të paguan rregullisht qira.

Lidhur me kërcënimin e drejtorëve të Komunës së Prishtinës se do t’i largojnë nga këto banesa zyrtarët e pushtetit të kaluar, Halim Halimi tha se “Dren Kukaj nuk mund të na largojë nga pronat e shfrytëzuara me qira për 10 vite”, “Vetëm nëse na largojnë zvarrë“, tha ai.

Në një konferencë për shtyp, drejtori i Pronës, Dren Kukaj, foli për padrejtësitë që sipas tij janë bërë nga qeverisja e kaluar e Prishtinës lidhur me shpërndarjen e banesave të Komunës.

Kukaj përmendi raste të shumta nga të cilat kanë përfituar vetë pushtetarët dhe personat me ndikim në Komunë, sikur drejtorët e LDK-së në atë kohë Halim Halimi, Sabedin Haxhiu, Muhamet Gashi, Agim Dibrani, asamblisti i PDK-së Shemsi Veseli, e shumë të tjerë të ngjashëm.

Drejtori Kukaj theksoi se Komuna e Prishtinës nuk do t’ua vazhdojë kontratat të njëjtëve (të cilat u skadojnë sivjet), dhe se do t’i rishqyrtojë edhe njëherë të gjitha rastet që kanë përfituar, në mënyrë që “në dhënien e ardhshme për shfrytëzim të këtyre banesave të përfitojnë ata që vërtetë kanë nevojë”.

Në këtë konferencë, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arben Vitia, foli rreth procesit të shpërndarjes së banesave.

Ai tregoi se nga 330 familje që kanë aplikuar vetëm për 50 prej tyre ka aktualisht njësi banesore.

“Për pjesën tjetër, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale bashkë me Drejtorinë e Pronës janë duke hartuar plane konkrete të sistemimit, me ç’rast në periudhën 3-5 vitet e ardhshme të bëhet zgjidhja e banimit për secilit”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat