Shefki Gashi: LDK-ja i ka 200 njerëz që mund ta kryejnë punën e kryetarit të Prishtinës

Prishtina

Shefki Gashi: LDK-ja i ka 200 njerëz që mund ta kryejnë punën e kryetarit të Prishtinës

Më: 18 mars 2017 Në ora: 00:36
Shefi Gashi

Shefi Gashi, asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ftuar në Ora e Fundit, është shprehur i bindur se në zgjedhjet e ardhshme lokale në Prishtinë, LDK-ja do të fitojë bindshëm.

Madje, Gashi ka thënë se kjo parti s’e ka problem as gjetjen e një kandidati për postin e kryetarit të Prishtinës.

Sepse, “LDK-ja i ka 100-200 njerëz që mund ta kryejnë punën e kryetarit të Prishtinës”, ka thënë Gashi.

Asamblisti i LDK-së në Prishtinë nuk i ka dhënë merita kryetarit aktual, Shpend Ahmeti, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, as për ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj, e cila supozohet t’i mundësojë Prishtinës 24 orë ujë.

“Bash ata që po flasin më së paku kanë merita. Ky projekt ka qenë qysh në vitin 2009 dhe e kemi zgjedhur atje vendin, që nuk është në komunë e Prishtinës fare. Komuna e Prishtinës është financuese vetëm me 14.3 për qind në këtë investim”.

Madje Gashi shtoi se Komuna e Prishtinës as punët e veta nuk po i kryen.

“A i ka kryer obligimet parapërgatitore komuna e Prishtinës që janë në përgjegjësinë e saj? Pasi komuna nuk e ka kryer një pjesë të kanalizimit që e ndotin liqenin e Badovcit. Ndërsa Komuna as nuk e menaxhon ujësjellësin e as fabrika nuk është në territorin e Prishtinës”.

Përkundër ndërtimit të fabrikës dhe premtimit tërëkohshëm me ujë, Gashi është skeptik se dicka e tillë do të ndodhë.

“Është problem që do të ketë 24 orë ujë, por le të shpresojmë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat