Mosmirëmbajtja e nënkalimeve detyron qytetarët që të mos i shfrytëzojnë

Prishtina

Mosmirëmbajtja e nënkalimeve detyron qytetarët që të mos i shfrytëzojnë

Më: 26 mars 2017 Në ora: 12:05
Nënkalim në Prishtinë

Mosmirëmbajtja e nënkalimeve dhe dëmtimi i ndriçimit bënë që qytetarët të mos i shfrytëzojnë fare dhe të kalojnë rrugën edhe aty ku nuk ka vendkalim për këmbësorë.

Në një gjendje të tillë  është edhe nënkalimi tek Xhamia e Llapit, i cili tash e disa vite nuk përdoret nga askush.

E arsye për këtë sipas banorit të kësaj lagje, Ruzhdi Uka, është se nuk ka siguri në atë nënkalim. Ai thotë se aty është sikurse WC publike.

Uka: Nuk e shfrytëzojnë se nuk ka siguri

“Nuk e shfrytëzojnë se nuk ka siguri më së pari aty, aty hyjnë sikur WC publike, qesin bërllok nuk e pastron kurrkush, ndonjëherë vinë e pastrojnë këta të pastrimit, e lajnë të nesërmen e bëjnë ashtu prapë. Duhet me shkua andej për të kaluar në vend se me kalua nxënësit këtej, i grahin kerreve shpejtë të shkel kurrfarë sigurie nuk ka”, tha ai.

Po ashtu, thotë edhe Arbresh Aliu, i cili tha se ambienti në atë nënkalim është shumë i papastër.

Aliu: Ambienti është shumë i papastër

“Se ajri është shumë i keq, ambienti shumë i papastër e kanë pastruar këtu disa herë po apët njerëzit po e bëjnë, gjuajnë bërllok”, tha ai.

Ndërsa, udhëheqësi i sektorit për shërbime publike në komunën e Prishtinës, Habib Qorri, tha se ky nënkalim në masë të madhe keqpërdoret, prej atyre që kryejnë nevoja fiziologjike e deri tek dëmtimi i ndriçimit. Sipas tij, këto dy komponentë janë ato që e qesin jashtë funksionit këtë nënkalim.

Qorri: Nënkalimi tek Xhamia e Llapit keqpërdoret në masë të madhe

“Kurse ky të xhamia e Llapit shfrytëzohet më pak për shkak se ky në masë të madhe keqpërdoret. Nuk e dimë se kush por kushtet të cilat i krijojnë që ne vazhdimisht mundohemi të mbajmë pastërtinë në ato hapësira, por keqpërdorimet në atë nënkalim janë shumë të mëdha. Prej atyre që kryejnë nevoja fiziologjike deri tek dëmtimi i ndriçimit që është në vazhdimësi dëmtim i ndriçimit dhe këto janë ato dy elementet më të këqija të cilat i shkaktojnë probleme dhe e qesin jashtë funksionit këtë nënkalim. Ani pse është shumë i nevojshëm për arsye  se është shkolla Model aty e ndërtuar shumë afër dhe ka nevojë për lëvizje coftë të nxënësve që e vijojnë mësimin në atë shkollë, coftë qytetarët e lagjes se Vranjevcit të cilët kalojnë në pjesën tjetër të qytetit dhe duhet të kalojnë këmbë hekurudhën dhe rrugën dhe nënkalimi është në masë të vogël  i shfrytëzuar”, tha ai.

Kurse, dy nënkalimet tjera në Komunën e Prishtinës, ai në lagjen Dardania dhe në lagjen Kalabria, sipas udhëheqësit të sektorit për shërbime publike në komunën e Prishtinës , Habib Qorri, përdorën më shumë, pasi që janë më të mirëmbajtur.

Qorri: Kemi të ndërtuar tri nënkalime

“Në pjesën e qytetit i kemi të instaluara, apo të ndërtuara tri nënkalime, një është tek xhamia e llapit dhe dy janë në lagjen Kalabria, një është ajo që lidh Dardaninë me qytezën Pejton që është njëherë prej nënkalimeve më të mira dhe që është i dhënë në shfrytëzim me koncesion dhe ai shfrytëzohet në kapacitet shumë dhe me kushte shumë komode. Kurse këtu në lagjen Kalabria edhe këta shfrytëzohen për shkak se kanë kushte më të mira, kanë gjerësi, kanë hapësira janë në mirëmbajtje të rregullt”, tha ai.

Duke mos i shfrytëzuar këto nënkalime, shumë qytetarë kalojnë rrugën edhe aty ku nuk ka kalim për këmbësorë. Sipas Policisë së Kosovës nëse ata shihen nga zyrtarët policor edhe mund të gjobiten.

Rreshter Bujar Gashi nga Policia rrugore,  ka bërë të ditur se sipas ligjit në fuqi ka dënime për këmbësorët të cilët nuk shfrytëzojnë nënkalimet dhe kalojnë rrugën. Gjithashtu, ai bëri të ditur se edhe ka pasur dënime për qytetarët të cilët kanë bërë këto veprime.

Gashi: Ka dënime sipas ligjit në fuqi

“Ka dënime sipas ligjit në fuqi, ka dënime sidomos në këtë zonën ku rruga është njëdrejtimëshe dhe është me ndarje fizike, nuk lejohet kalimi përveç në vendkalim të këmbësorëve. Përveç në vendkalim të këmbësorëve ka dënime edhe për këmbësorë. Policia e Kosovës gjithmonë është në rrugë, sidomos Policia rrugore dhe ndërmerre masa edhe ndaj atyre, ndaj këmbësoreve të cilët kalojën rrugën në vende ku është e ndaluar për këmbësorë. Kemi raste që kemi shqiptuar edhe tiketa ku nuk lejohet kalimi apo ku nuk ka vendkalim të këmbësorëve, apo aty ku është e rregulluar me semaforë dhe nuk respektohet shenja”, tha ai.

Kp ka provuar të marrë informacion lidhur me shftyrëzimin e nënkalimeve për tërë Kosovën nga Ministria e Infrastrukturës dhe koston e shpenzimeve për ndërtimin e nënkalimeve, por që në përgjigjen e kthyer nga zyra për media e kësaj ministrie, thuhet se nuk mund të përcaktohet me saktësi, për shkak se një pjesë e madhe e tyre janë ndërtuar në periudhën 1970-1990.

“Numri dhe kostoja e nënkalimeve dhe mbikalimeve nuk mund të përcaktohet me saktësi, për shkak se një pjesë e madhe e tyre janë ndërtuar në periudhën 1970-1990. Ndërsa për nënkalimet dhe mbikalimet e ndërtuara në periudhën e pasluftës, nuk mund të japim të dhëna të sakta për arsye se disa nga ato projekte janë realizuar nga organizata ndërkombëtare që kanë vepruar pas luftës në Kosovë dhe Komunat”, thuhet në përgjigjen e zyrës së medias në Ministrinë e Infrastrukturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat