Ja si u festua 1 Maji në Gërmi

Prishtina

Ja si u festua 1 Maji në Gërmi

Më: 1 maj 2017 Në ora: 16:58
Festimi i 1 Majit në Gërmi

Sikurse vitet e kaluara edhe sivjet Parku Nacional Gërmia mbetet vendi i preferuar për të festuar 1 Majin.

Në Gërmi për festën e 1 Majit nuk kishte qytetarë vetëm nga Prishtina, por edhe nga të gjitha vendet e Kosovës.

Rruga që të shpie për në këtë parkishte bllokuar nga veturat ndërsa vizitorët ishin të shumtë.

Për 1 Maj secili argëtohej në mënyrën e vet.Të rinjtë duke lozur me top, ata më të vjetrit kishin zgjedhur këtë vend për të pushuar ndërsa fëmijët duke u argëtuar në këndet për lojëra.

E për dallim nga ata që kanë zgjedhur këtë park për të kaluar këtë ditë pushimi, disa kishin dalë edhe për të fituar ndonjë euro.

Shitësit e të gjitha gjësendeve ishin sot në Gërmi. Përveç tyre në parkun e vetëm nacional ishin edhe ekipet ambulantore, ato të zjarrfikësve por edhe pjesëtarë të Policisë.

Zaim Qafleshi kishte dalë në Gërmi sot për të shitur punimet e tij prej druri. Pavarësisht se është ditë feste, Zaimi ka shfrytëzuar ditën kur ka më shumë njerëz për të shitur punimet e tij.

Qafleshi: Zakonisht të rinjtë i preferojnë këto figura 

" Ka shitje. Zakonisht të rinjtë i preferojnë këto figura , i shënojnë dy iniciale apo emrat në mes veti janë figura druri që i punojë vetë dhe rinia ka një simpati ndaj këtyre figurave” , tha Qafleshi. Për Nijazi Mustafën ky vend i gjelbëruar i kryeqytetit nuk është shumë i veqantë pasi që thotë se vjen gati çdo ditë.

Sipas tij hapësira e Gërmisë është i vetmi vend  që i ka mbetur Prishtinës  pa u  dëmtuar nga qytetarët që e vizitojnë. Mustafa mendon se sot do të duhej që të gjithë të protestojnë. 

Mustafa: Kjo ditë duhet të jetë protestë për shkak të pakënaqësisë së punëtorëve (Video) 

“ Duhet të jetë ditë proteste e pakënaqësisë së punëtorëve , është festë për me u festu por është për protestë . Meqenëse unë jam qytetar që e vizitoj Gërminë rregullisht do të thotë nuk është ditë e veçantë për mua sepse unë jam i rregullt në Gërmi për çdo ditë” , tha ai.

Asllan Qerkinaj, kishte ardhur nga Skënderaj që ditën e 1 Majit ta kalojë në Gërmi.

Pasi që ditëve tjera është në punë, Qerkinaj tha se sot e ka shfrytëzuar këtë ditë për të pushuar.

Qerkinaj: Çdo punëtor nuk është i kënaqur me kushtet që i ka 

“Meqenëse është ditë ndërkombëtare normal që çdo punëtor nuk është i kënaqur me kushtet që i ka dhe në shumë mënyra ose në shumë raste ka nevojë ndoshta edhe me protestu por ne e pame këtu edhe sot me dal me pushu, kemi sfida nuk jemi të kënaqur me të gjitha kushtet që i kemi por megjithatë mirë” , tha ai.     

Ndonëse nuk është në punë, për të festuar 1 Majin në Gërmi kishte dalë edhe Zejnie Paçarizi nga Malisheva. Ajo ndjehet  e zhgënjyer me të drejtat e punëtorëve që janë tani për tani në Kosovë.

Paçarizi: Fuqia punëtore shtypet në mënyra të ndryshme 

“Sa i përket Republikës së Kosovës të drejtat e punëtorëve nuk respektohen sa duhet , për arsye se ka shumë punëtorë që nganjëherë punojnë edhe jashtë orarit të punës dhe zakonisht nuk i marrin pagesat shtesë që bëjnë për punën e tyre nuk ka sigurime shëndetësore për punën që bëjnë. Fuqia punëtorë në Kosovë është e mjaftueshme mirëpo sa i përket respektimit të tyre nuk është e mjaftueshme sepse ata nganjëherë edhe shtypen në mënyra të ndryshme”, tha ajo.

Ndryshe mendon Rilind Morina. Ky qytetar nga Klina tha se punëtorët në Kosovë respektohen mjaftueshëm. 

Morina: Respektohen të gjitha të drejtat e punëtorëve 

 "Respektohen të gjitha të drejtat e punëtorëve dhe mendoj që janë të plotësuar të gjitha kushtet. Punëtorët bëjnë pushim këtu pasi sot është dita e tyre”, tha Morina.

Ndryshe gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur disa protesta, si ajo e Sindikatës së Sektorit Privat, punëtorëve të KEK-ut, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”, në të cilat kanë marrë pjesë një numër i vogël i qytetarëve.

Po ashtu për nder të 1 Majit Lëvizja Vetëvendosje dhe Akademia e Grave në Lidership kanë mbajtur aktivitete për senzibilizimin e opinionoit lidhur me të drejtat e punëtorëve.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës. 

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1855: me këtë përmbajtje: ” 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, me 1 maj 1866. Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1867.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat