Nxehti i madh, boshatisen sheshet e kryeqytetit

Prishtina

Nxehti i madh, boshatisen sheshet e kryeqytetit

Më: 1 korrik 2017 Në ora: 17:14
Qytetarët e Prishtinës

Qytetarët e Prishtinës duket se kanë ndjekur këshillat e mjekëve dhe ekspertëve, duke iu shmangur daljes gjatë temperaturave të larta që po mbizotërojnë këto ditë mbi vendin tonë.

Në mesditë ishte një numër i vogël i atyre që shiheshin në shesh, kurse, ata që ishin mendojnë se duhet të shpallet gjendje emergjente në vend.

Edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka apeluar për kujdes, pasi sot konsiderohet si ditë që paraqet rrezik për të gjitha moshat.

Disa qytetarë konsiderojnë se në kryeqytet ka mjaft pika freskimi, e njëra prej tyre është pishina e Gërmisë, e cila ka disa ditë që është hapur.

Muharrem: Kemi mundësi freskimi në pishinat e vendit

“Është mjaft nxehtë këto ditë, mirëpo kemi mundësi freskimi në pishinat e vendit. Është pishina e Gërmisë, çmimi është i lirë, 1.50 euro është hyrja, pse jo”, tha Muharrem.

Kurse, Eroll Qaja thotë se nëse temperaturat vazhdojnë kështu, duhet të shpallet gjendje emergjente në vend.

Qaja: Duhet të shpallet gjendje emergjente

“Është shumë vështirë me i përballu këto ditë me këto temperatura të larta. Ka pika për freskim mirëpo këtu në qendër pak ma vështirë, edhe kushtet po na i vështirësojnë punët. Nëse vazhdojnë kështu këto temperatura, mendoj që duhet të shpallet gjendje emergjente në vend” tha Eroll Qaja, banorë i Prishtinës.

Temperatura të tilla të larta janë duke mbizotëruar edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Lutfi Dura tha se nuk duhet të shpallet gjendje emergjente, pasi që fitet se nga java tjetër do të ulen temperaturat.

Dura: Ditët e nxehta kalohen me vështirësi në Tiranë

 “Jam nga Tirana unë, dhe këto ditë të nxehta po i kalojmë me vështirësi. Ka vende për freskim, por ne në Tiranë i kemi pak të kufizuara gjërat. Mendoj që nuk duhet të shpallet gjendje emergjente, pasi që thanë se nga java tjetër do të ulen temperaturat, të paktën për Tirane ashtu flitet” tha ai.

E nënat të cilat punojnë dhe janë të detyruara t’i lënë fëmijët në kopshte, duket se ia kanë frikën se mos kopshtet nuk janë të freskëta sa duhet.

Mjellma: Duhet të shpallet gjendje emergjente

“Gjithsesi duhet të shpallet gjendje emergjente nëse vazhdojnë këto temperatura sepse është me rrezik sidomos për ata persona të cilët janë me sëmundje kronike, apo me tension të lartë pasi që mund të përfundojnë me fatalitet. Edhe për fëmijët është mjaft rrezik, sidomos për ata të cilët janë në kopshte, për arsye se nënat iu punojnë, dhe në ato kopshte mund të mos jetë freskët sa duhet’ tha Mjellma.

Ata të cilët duket se janë më të rrezikuar nga nxehtësia e madhe, janë fëmijët dhe personat të cilët vuajnë nga sëmundjet e zemrës, tensioni i lartë, dhe personat e moshuar.

Megjithëse nxehti afrikan ka mbizotëruar këto ditë në Kosovë dhe vendet e rajonit, prej ditës së diel pritet që temperaturat të ulen deri në 24 gradë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat