Rigjykimi i Ramadan Mujës ‘me shokë’, për shmangie nga drejtësia!

Prishtina

Rigjykimi i Ramadan Mujës ‘me shokë’, për shmangie nga drejtësia!

Nga: BOTA SOT Më: 5 korrik 2017 Në ora: 21:19
Ramadan Muja

Qytetarët Aktivë #përPrizrenin, përmes një komunikate për media ka thënë se vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit për të kthyer përsëri në ri-gjykim rastin “Muja&Co.” është i njejtë me atë të mëparshmin, i padrejtë dhe i papranueshëm.

"Kthimi në ri-gjykim me arsyetimin e shkeljes së procedurave në relacionet mes Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore është krejtësisht absurd, dhe irrelevant sa i përket kontestimit të veprave penale të të pandehurve: Ramadan Muja, Minir Krasniqi, Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci. Shkeljet e pretenduara të Gjykatës së Apelit nuk amnistojnë aspak abuzuesit e detyrës zyrtare me në krye Ramadan Mujën, sepse veprat penale të kryera nga ta janë të pakontestueshme, faktike dhe të pamohueshme", thuhet në reagim.

Sipas Qytetarët Aktivë #përPrizreni, ky vendim i Gjykatës së Apelit, bashkë me zvarritjen e procesit për 3 vjet, përveç se ia ka mundësuar Ramadan Mujës përfundimin e mandatit, ngrit dyshime edhe për të dënuarit e tjerë të cilët për veprat kriminale të kryera nuk po i marrin pasojat sipas ligjit. Duke pasur parasysh që këta persona kanë pozita të ndryshme politike, kthimi në rigjykim, përbën akt skandaloz dhe lë hapsirë për dyshime serioze për mundësinë e lirimit të tyre nga e përgjegjësia para ligjit, dhe kësisoj edhe vazhdimin dhe mundësinë e ushtrimit të funksioneve publike për ta.

"Ne konsiderojmë që procesi gjyqësor ndaj Ramadan Mujës nuk është vetëm çështje juridike, sepse që nga fillimi nuk është trajtuar si i tillë. Institucioni i kryetarit të komunës dhe të gjithë vartësve të tij, ka humbur legjitimitetin që nga data 13 mars 2014. Një gjë është e qartë, askush, asnjë proces, i çfarëdo lloj natyre, nuk mund t’ua kthej legjitimitetin dhe kredibilitetin personave të lartpërmendur. Ata janë dhe do të mbeten vrima e zezë e qytetit të Prizrenit, qytetarët e të cilit i lanë pa përfaqësim dhe qeverisje lokale", thuhet në reagim./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat