Sekretari i PDK-së: VV po manipulon me ndjenjat e besimtarëve të Prishtinës

Prishtina

Sekretari i PDK-së: VV po manipulon me ndjenjat e besimtarëve të Prishtinës

Më: 15 korrik 2017 Në ora: 21:06
Bujar Cakolli

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, dega Prishtinë, ka fajësuar kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas tij, po manipulon me ndjenjat e besimtarëve myslimanë në Prishtinë.

Cakolli ka shkruar në profilin e tij në Facebook se VV që nga themelimi ka mashtruar dhe luajtur me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës, ndërsa shprehet i bindur se për mashtrimetbe bëra do të marr ndëshkim pa pardon nga kryqytetasit më 22 tetor kur mbahen zgjedhjet lokale.

Statusi i plotë i Bujar Cakollit:

Konsideroj se xhamia do ndërtuar, për shkak të besimtarëve, jashtë çdo konteksti politik, në pajtim me ligjin, në pajtim me vullnetin e asambleistëve komunal si bartës të vullnetit të kryeqytetasve.

Politika ka parime, edhe atëherë kur nuk ka, ka! Lëvizja Vv e dëshmon këtë me lojën për xhaminë, me lojën e pandershme me ndjenjat fetare të kryeqytetasve dhe nxitjen e urrejtjes ndërqytetare për të drejtën elementare, ushtrimin e të drejtës për besim.

Historia e “rrëshqitjes” morale të Vv nuk është e re, nga gjeneza e krijimit të kësaj lëvizjeje, është ndërtuar mbi mashtrime. Nuk ka filluar as mbaron me xhaminë.

Vv ndërtoi kauza të rreme fund e krye. Vv proklamoi bashkimin kombëtar dhe mosnjohjen e flamurit shtetëror, tash nuk duan bashkim kombëtar dhe duan prezantim të shtetit nën simbolin që nuk e njohin, ishin kundër demarkacionit, tash duan pikërisht ta bëjnë me Malin e zi, ishin kundër dialogut me Serbinë, tash duan ta udhëheqin dialogun, ishin kundër privatizimit, tash nuk flasin më për të. Shtetet e Bashkuara i quajtën shtet neokolonial, tash duan thellim miqësie me ShBA-në, ishin për lejimin e shamijave dhe ndërtimit të xhamisë, tash dalin kundër ndërtimit të saj. Kjo rishfaq pamoralitetin e skajshëm politik që qëllimi i vetëm i Vv është marrja e pushtetit dhe degradimin e tij, në shërbim të kastës së vet, ashtu siç e bëri në Prishtinë, punësime të paligjshme, të pashembullta në historinë e re të shtetit tonë.

Kalkulimet e tilla të pista, reflektojnë në mashtrime të vazhdueshme të komunës sikur bëri zgjidhje për ujin, bëri zgjidhje për autobusët, bëri zgjidhje për ndërtimet pa leje…mashtrime absurde dhe pa fije shije. Asnjëra nga këto çështje nuk u nisën nga Vv.

Megjithatë, ishin dhe mbeten mekanizëm për “nxitjen e masave” që u rikonfirmua më 11 qershor.

Kur iu desht vota, në zgjedhjet e 11 qershorit, Vv u bë qingj, ra në gjunj dhe thithi dy nana. Delen e kuqe dhe delen e gjelbër. Por, si çdo herë, rrena i ka këmbët e shkurta. Posa u kthyen nga “haxhillëku” i Brukselit, krerët e Prishtinës e dhanë lejen për Kishën protestane. Kjo, lojë për balancin e neutralizimin e të gjelbrës që predominoi me simbolet e fushatës përmbyllëse në Prishtinë, të cilat me habi i vërejti Brukseli.

Për ta kamufluar parimin e qengjit të butë, Vv nxiti tarafin e “gjuajtësve” të lirë që ndryshe janë të sistemuar brenda kontigjentit të OJQ-ve të subvencionuara nga Vv, duke manifestuar një palo kundërshti, të qullët përball premtim-kërcënimit për ndërtimin e xhamisë, nga Myftiu, edhe pa leje.

Loja me xhaminë, xhematin dhe ndjenjat fetare në Prishtinë, tashmë ndodhet në qorrsokak. Por një gjë shihet qartë, vota e islamit politik, ia solli rritjen e votave që Vv-në e dehu dhe çoi deri në Bruksel e Berlin si “fitimtar”, por, shtizat do t’u thyhen po nga mburojat e përkrahësve të tyre, kur nuk do të arrijnë të përmbushin zotimin themelor për ndërtimin e xhamisë në Dardani.

Është e sigurtë se Shpendi nuk mund t’i rezistoj Myftiut, dhe xhamia si problem i koketimit të nivelit qendror do të bëhet dëshmi e pafuqisë së rezistencës së pushtetit lokal në Prishtinë. Politikë pa parime e Vv do të marrë ndëshkimin me 22 tetor, pa pardon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat