PDK: Shpend Ahmeti të bëjë publike listën e plotë të të punësuarve

Prishtina

PDK: Shpend Ahmeti të bëjë publike listën e plotë të të punësuarve

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 23:07
Shpend Ahmeti

Dega e PDK-së në Prishtinë ka njoftuar se do t’i bëjë publike të gjitha keqpërdorimet në Komunën e Prishtinës. Sipas PDK-së duke u fshehur pas fjalorit të zakonshëm politik, që tashmë ua kanë mësuar gjithë qytetarët e vendit, Lëvizja Vetëvendosje vetëm paska provuar t’i shmangët llogaridhënies për punësimin e kundërligjshëm gjatë dy vjetëve të 486 njerëzve me kontrata për shërbime të veçanta, ku shërbim i veçantë për shumicën e tyre ka qenë vetëm hedhja e molotovit, gurëve dhe shkatërrimi i pronës publike e private në Prishtinë.

Komunikata e plotë e degës së PDK-së:

Lëvizja Vetëvendosje, pas ikjes disaditore prej debateve politike, me shpresë se po u shpëtojnë me lehtë skandaleve në qeverisjen e Prishtinës, sot paska lëshuar një fletërrufe politike pa e dhënë asnjë sqarim rreth punësimit partiak të qindra militantëve të bandës kriminale të Dardan Molliqajt në Komunën e Prishtinës.

Duke u fshehur pas fjalorit të zakonshëm politik, që tashmë ua kanë mësuar gjithë qytetarët e vendit, Lëvizja Vetëvendosje vetëm paska provuar t’i shmangët llogaridhënies për punësimin e kundërligjshëm gjatë dy vjetëve të 486 njerëzve me kontrata për shërbime të veçanta, ku shërbim i veçantë për shumicën e tyre ka qenë vetëm hedhja e molotovit, gurëve dhe shkatërrimi i pronës publike e private në Prishtinë.

Qeverisja e korruptuar e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e arkëtarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për shkak të përpjekjeve destabilizuese dhe dhunës së ushtruar, atyre u kishte siguruar një terren të përshtatshëm për ta keqpërdoruar paranë publike, pa u marrë askush me ta, duke paguar militantë të dhunshëm dhe duke u dhënë tenderë njerëzve të afërt të tyre.

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, do t’i bëjë publike të gjitha këto dhe qytetarët e Prishtinës shumë shpejt do ta kuptojnë se kush ka qenë kryetari i vërtetë i tyre.

Ne kërkojmë nga Komuna e Prishtinës apo edhe nga urdhërdhënësi i Shpend Ahmetit që ta bëjnë publike listën e plotë të të punësuarve me kontrata për shërbime të veçanta dhe t’u japin përgjigje qytetarëve të Prishtinës për mbingarkimin e administratës me militantë të tyre prej komunave të tjera të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat