Dy çifte mbollën drunjtë e parë në Parkun e të Martuarve

Prishtina

Dy çifte mbollën drunjtë e parë në Parkun e të Martuarve

Më: 7 gusht 2017 Në ora: 12:58
Dy çifte u kurorëzuan sot në parkun e të martuarve dhe ata gjithashtu mbollën drunjtë me pllakat e emrave të tyre.

Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, Coca-Cola HBC Kosova ka inauguruar sot parkun e parë të të martuarve në Prishtinë.

Parku gjendet afër rrethit kryesor të qytetit dhe është ndërtuar nga Coca-Cola HBC Kosova dhe Komuna e Prishtinës.

Dy çifte u kurorëzuan sot në parkun e të martuarve dhe ata gjithashtu mbollën drunjtë me pllakat e emrave të tyre.

Njëri prej çifteve të cilët u kurorëzuan dhe mbollën një pemë në parkun më të ri të Komunës, ishin Herolind Hyseni dhe Saranda Gashi.

Ata thanë se ndihen shumë të nderuar për mundësinë e dhënë që të kenë simbolin e tyre të dashurisë, dhe se ndihen shumë mirë që sado pak po kontribuojnë në zhvillimin e hapësirave të gjelbra.

Saranda Gashi: Urojmë të shohim sa më shumë gjelbërim

“Faleminderit Komunës së Prishtinës për respektin që na e kanë bërë, ndihemi shumë të respektuar që kemi pas mundësinë herën e par të mbjellim pemë, urojmë që të vijmë dhe të shohim sa më shumë pemë, sa më shumë gjelbërim në komunën tonë dhe në komunat tjera në gjithë Kosovën”, tha Gashi.

Ndërsa, Herolind Hyseni shprehu besimin se edhe komunat tjera do të ndjekin shembullin e komunës së Prishtinës për të ndërtuar parqe të tilla.

Hyseni: Shpresoj që kjo të zhvillohet edhe në komuna tjera

“Komunës së Prishtinës dihet që i mungojnë vendet e gjelbëruara, ku për pos simbolit që do e kem sado pak kemi bërë edhe një ndihmesë për qytetin tonë, që ta zhvillohet kjo, dhe shpresoj që të zhvillohet edhe nëpër komuna tjera”, tha Hyseni.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se ky nuk do të jeta lokacioni i vetëm, ku të sapomartuarit në Komunën e Prishtinës, do të kenë mundësi të mbjellin drunj, dhe se lokacione të tjera janë të parapara që të lirohen për mbjelljen e drunjve, në mënyrë që të rritet gjelbërimi në kryeqytet.

Ahmeti: Ky s’do të jetë lokacioni i vetëm ku do të mbillen drunjtë

“Ky nuk do të jetë lokacioni i vetëm ku do të mbillen drunjtë për të posa martuarit, do të thotë, në momentin që ne e mbushim këtë park, atëherë do të jenë të lira hapësirat për kryeqytet ku janë të parapara që të mbjellën drunjtë, sepse askujt natyrisht nuk do t’i pengojë një dru në lagjen e tyre, prandaj do të mbjellim në të gjithë qytetin, dhe çiftet e porsamartuara do të kenë hapësirën që ta vendosin pllakën e tyre te druri i tyre në mënyrë që gjatë viteve të martesës pse jo edhe fëmijët ta vizitojnë atë dru”, tha Ahmeti.

Ndërsa, Neritan Tira, drejtor i Coca-Cola HBC Kosova, tha se kjo iniciativë është shembull dhe inkurajim për qytetarët që të kujdesen për parkun dhe hapësirat e gjelbra, në mënyrë që t’i ndihmojnë dhe t’i shërbejnë komunitetit.

Tira: Investimet për përmirësimin e ambientit janë prioritet yni

“Investimet për përmirësimin e ambientit janë një nga fokuset dhe prioritet themelore të kompanisë tonë përmes së cilave ne dëshmojmë një shkallë të lartë të përgjegjësisë shoqërore. Ky bashkëfinancim i projektit të Eko-Parkut me komunën e Prishtinës, është një shembull konkret i implementimit si rezultat i një nevoje më të madhe për hapësirat e gjelbra dhe për një ajër më të pastër. Duke udhëhequr këtë nismë në vend dhe rajon, kemi për synim të jemi shembull jo vetëm për komunat dhe vendet e tjera, por për qytetarët drejtpërdrejt  – ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e të gjithë neve. Inkurajoj qytetarët të kujdesen për parkun, në mënyrë që t’i shërbejë komunitetit edhe për shumë vite duke ndikuar në uljen e ndotjes së ajrit”, tha Tira.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se edhe bizneset në Kosovë duhet të mbështesin dhe të inkurajojnë të rinjtë që të marrin pjesë në aktivitete për përkujdesjen ndaj ambientit.

Delawie: Pres të shoh frytin në ditët në vijim

“Shumë kompani amerikane mbështesin aktivitetet e të rinjve që kanë të bëjnë me mjedisin. Inkurajoj edhe bizneset në Kosovë që të mbështesin këto aktivitete, dhe pres të shoh frytin në ditët në vijim”, tha Delawie.

Ndryshe, me normat e ndotjes që tejkalojnë normalen në Prishtinë, ky projekt është realizuar në përpjekjet për të ulur ndotësit e ajrit dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.

Parku i të martuarve ka kapacitet për mbjelljen e 120 drunjve, i cili krijon një oazë të vogël në një nga kryqëzimet më të ngarkuara të qytetit me kapacitet për të absorbuar rreth 200,000 kg CO2 për 10 vitet e ardhshme.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat