Bytyqi viziton kandidatët për studentë në Fakultetin Ekonomik gjatë provimit pranues

Prishtina

Bytyqi viziton kandidatët për studentë në Fakultetin Ekonomik gjatë provimit pranues

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 11:01
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar kandidatët, të cilët i janë nënshtruar provimit pranues (afati i dytë), në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ministri Bytyqi është pritur nga rektori Marjan Dema dhe nga dekani i këtij fakulteti But Dedaj, të cilët i uruan detyrën e ministrit, njëherësh shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me qëllim të ofrimit të studimeve kualitative për të rinjtë tanë.

Në vazhdim, ministri Bytyqi i shoqëruar nga rektori dhe dekani , kanë vizituar kandidatët për studentë në Fakultetin Ekonomik, të cilët sot iu nënshtruan provimit pranues. Me këtë rast, ministri Bytyqi është shprehur se, sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë ata që dëshirojnë të regjistrohen në Fakultetin Ekonomik, ndërsa ata që do të kenë fatin të bëhen studentë të këtij fakulteti, i porositi që të kërkojnë shumë nga profesorët, të bashkëpunojnë dhe të bëhen profesionistë të zotët.

Ministri Bytyqi tha se, sot kërkohet që edukimi i të rinjve tanë të jetë i standardeve evropiane, të jetë një studim i cili do t’iu garantojë punë në të ardhmen. “Në këtë aspekt, ne mbështesim Universitetin e Prishtinës dhe jemi të sigurt se ky institucion, së bashku me Ministrinë dhe institucionet tjera do ta bëjë më të mirën e mundshme që të sigurojnë një kualitet të edukimit profesional”.

Ministri Bytyqi, në fund ka uruar për suksese kandidatët për studentë, njëherësh ka përgëzuar stafin e Fakultetit Ekonomik për përgatitjet që kanë bërë në lidhje me këtë proces.

Ndryshe, me konkursin e dytë për pranim në UP, do regjistrohen 1353 studentë, kurse kanë aplikuar 1484 studentë. Fakulteti Ekonomik gjatë këtij viti akademik në total do të pranojë 1905 studentë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat