Ahmeti: Pastrimi i qytetit, prioritet numër një në mandatin e dytë

Prishtina

Ahmeti: Pastrimi i qytetit, prioritet numër një në mandatin e dytë

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 15:25
Shpend Ahmeti

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar se prioriteti numër një i qeverisjes së ardhshme, do të jetë qyteti i pastër nga mbeturinat.

Ahmeti në një konferencë për media, tha se është tejet e rëndësishme që pagesa për mbeturina të kalojë direkt në komunë, pasi që kjo u jep pavarësi dhe në zgjedhjen e  operatorëve dhe tejkalon pengesat e inateve politike. 

Ahmeti: Të kalojmë në pagesë direkte në komunë

“Arsye pse e bëjmë këtë dhe pse ka qenë tepër e rëndësishme, të kalojmë në pagesë direkt në komunë. Është sepse kjo pastaj na jep neve një pavarësi në zgjedhjen e operatorëve, në mënyrën se si funksionojmë dhe i  tejkalon inatet politike,  që mund të jenë pengesa. Sepse më nuk ka rëndësi kush është drejtor i kompanisë “Pastrimi”, sepse ne do t’i paguajmë sipas kontratës dhe sipas  punës që bëjmë. Deri tani po mund të imagjinoni si ka qenë. Ata i kanë marrë paratë prej qytetarëve, ne i kemi thënë shko pastro, por ai paret gjithsesi i ka marrë si kompani. Ndërsa tash kalojmë në kontrata me pastrimin dhe në qoftëse dikund nuk e pastrojnë mbeturinën, atëherë patjetër se edhe pagesa nuk bëhet, varësisht prej punës që kanë bërë. Kjo neve na lejon të dytën gjë në momentin e pastrimit të listave apo përmbushjes së listave, ku i shtojmë të gjithë banorët që me të vërtetë gjenerojnë mbeturina, atëherë ne presim që buxheti prej 4.3 milion euro që pastrimi e ka mbledh çdo vjet nga mbeturinat të rritet. Dhe po ashtu neve na lejon që t’i përfshijmë plot lagje të reja dhe fshatra në mbledhjen e mbeturinave, që nuk kanë qenë të përfshira më herët “, tha ai.

Sipas tij, prioritet do të jenë të punojnë me pastrimin por nëse nuk do të kenë mundësi t’i pastrojnë disa zona, do të kontraktohen edhe kompani tjera, të cilat do ta marrin orarin logjistik për mbledhjen e mbeturinave, orar ky që tani më është gati. Në kuadër të planit të për mbledhjen e mbeturinave, Ahmeti përmendi edhe ndarjen e mbeturinave. Ai shtoi se kanë filluar monitorimin e mbledhësve joformal të mbeturinave dhe mundësinë për t’i integruar në sistemin normal të mbeturinave.  

Ndërsa tha se që nga 1 janari i vitit 2018, pagesa për mbeturina  do të bëhet në komunë dhe jo tek kompania “Pastrimi”, ashtu siç ka qenë deri më tani dhe se do të përfshihen dhe lagjet e qytetit, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në këtë sistem. 

Ahmeti: Do të mbledhim më shumë se 4.3 milionë euro 

“Pra nga janari 2018 fillojmë me mbledhjen direkt të pagesave në komunë. E kemi planin e ri logjistik dhe orarin  e ri logjistik, ku i përfshinë të gjitha lagjet e komunës së Prishtinës. Mendojmë se do të mbledhim shumë më shumë se 4.3 milion euro. Do ta kemi pavarësinë që të kontraktojmë përveç pastrimit dhe kompanitë e tjera,  varësisht prej punës që bëjmë. Dhe si synim të parë e kemi që në Prishtinë, të mos të kemi mbeturina në kontejnerë, mbeturina nëpër rrugë, mbeturina të cilat duken në mënyrë të keqe. Thjeshtë zotimi jonë i parë apo fusha jonë e parë është lagjja jonë e pastër”, tha ai. 

Ndërkaq deputeti i VV-së, Dardan Sejdiu tha se gjatë katër viteve janë ballafaquar ne sfidën e largimit të mbeturinave nëpër lagje, pasi kompania “Pastrimi”, ka qenë në kundërshtim me politikat që kanë dashur t’i bëjnë. Megjithatë përmendi disa arritura duke pastruar afër 200 deponi ilegale, si dhe vendosjen e disa kontejnerëve nëpër lagje. U përmend edhe projekti i LDK-së për kontejnerët nëntokësor, i cili u tha se ka qenë i dështuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat