Abrashi: Do të krijojmë kushte që gratë të japin kontributin për zhvillimin e kryeqytetit

Prishtina

Abrashi: Do të krijojmë kushte që gratë të japin kontributin për zhvillimin e kryeqytetit

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 12:48
Arban Abrashi gjatë një takimi me gratë e kryeqytetit

Gjatë një takimi me gratë e kryeqytetit, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinë, Arban Abrashi, ka thënë të martën se programi i tij garanton krijimin e mundësive që gratë dhe vajzat të japin kontributin e tyre profesional për zhvillimin e Prishtinës.

“Bashkë, ne do të krijojmë kapacitete të mjaftueshme për sistemimin e fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla, publike e private, që t’u mundësojmë nënave e motrave tona të realizojnë potencialin e tyre profesional e personal dhe të drejtën për të qenë qytetare aktive”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se është krenar që “që brenda shtëpisë sonë politike ka kaq shumë gra e vajza, të cilat janë të profileve të ndryshme dhe do të jenë artikuluese të programit tonë për qeverisjen e Prishtinës gjatë mandatit të ardhshëm”.

Abrashi ka pohuar se nën drejtimin e tij, Komuna e Prishtinës do t’u krijojë hapësirën që meritojnë grave dhe vajzave tona, që ta menaxhojnë kryeqytetin, ashtu siç menaxhojnë shtëpitë tona.

Image

“Jam i vetëdijshëm se barrën e përkujdesjes, jo vetëm ndaj fëmijëve, por edhe ndaj personave të moshuar, gjyshërve tanë të dashur, e mbajnë nënat, gratë dhe motrat tona. Ne synojmë dhe kemi projekte konkrete për ndërtimin e institucioneve të kujdesit ditor dhe kujdesit të përhershëm për moshat e treta. Ata meritojnë, që krahas ngrohtësisë së familjes, të kenë një jetë sociale dhe rekreative me bashkëmoshatarët e tyre”, ka thënë Abrashi.  

Ai ka thënë Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e qendrës së djathtë dhe e integruar plotësisht në familjen e Partive Popullore Evropiane, është e vendosur që ta avancojë rolin e gruas, sepse ne jemi plotësisht të bindur se kështu ne vazhdojmë traditën e ruajtjes së familjes, si një vlerë e çmueshme e traditës sonë kombëtare, por edhe si vlerë e civilizimit tonë.

“Qeveria komunale e Prishtinës, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Unë, jam i bindur se do të angazhohen veçanërisht për zbatimin e ligjit për barazi gjinore dhe ligjeve të tjera që përkrahin pozitën më të mirë të gruas në shoqëri. Buxhetimi gjinor në komunën e Prishtinës do të sjellë gjithashtu një mundësi më të madhe për zhvillimin dhe avancimin e pozitës së gruas”, ka thënë Abrashi.    

Ai ka shtuar se në sektorin e arsimit do të punohet për pjesëmarrje të barabartë të dy gjinive në arsimim, si në arsimin parashkollor, fillor, atë të mesëm, e po ashtu edhe në arsimin e lartë.

Image

Ne do të bëjmë financimin e arsimit të grave, me theks të veçantë në ato fusha që janë deficitare dhe në të cilat gratë mund të japin kontribut më të madh.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se LDK po jep kontribut për emancipimin dhe zhvillimin e shoqërisë, nëpërmes fuqizimit të grave dhe vajzave në shoqëri.

Ai ka thënë se LDK ka ofruar kandidate dhe kandidatë për zgjedhjet e 22 tetorit, të cilët kanë dhënë shembuj personal, se si duhet shërbyer shtetit dhe qytetarëve.

Mustafa ka përmendur tri prioritetet kryesore të LDK-së, për zgjedhjet e 22 tetorit. “Zhvillimi ekonomik lokal, ku përfshin krijimin e vendeve të reja të punës, sektori i arsimit dhe politikat e qëndrueshme lokale, janë prioritete tona në këto zgjedhje”, ka thënë kreu i LDK-së.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Vlora Dumoshi, ka thënë se gjatë qeverisjes në Prishtinë, por edhe në nivelin qendror, LDK ka dhënë shembull për avancimin dhe fuqizimin e grave. Ajo ka thënë se me qeverisjen e Abrashit dhe të LDK-së, gruaja do të jetë faktori kryesor që do të bëjë ndryshimin në kryeqytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat