Pacolli në Bërnicë premton infrastrukturë të plotë për të gjitha lagjet

Prishtina

Pacolli në Bërnicë premton infrastrukturë të plotë për të gjitha lagjet

Më: 8 tetor 2017 Në ora: 15:03
Selim Pacolli kandidat i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës

Selim Pacolli kandidat i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës fushatën e tij zgjedhore e ka vazhduar në fshatrat e Prishtinës.

Ndalesa e parë e Pacollit ishte fshati Bërnicë,  ku nga banorët mori ankesa se kanë mungesë të rrugës e të kanalizimit.

Musa Govori nga ky fshat iu ankua Pacollit se qe 15 vjet janë pa kanalizim dhe gjatë verës në këtë fshat është e pamundur të jetohet  nga kundërmimi që lëshojnë ujërat e zeza.

Govori tha se edhe rrugën e kanë ndërtuar me para të tyre, ndërkohë që siç tha ai ankesat e tyre nuk janë marr parasysh nga komuna.

Ai madje tha se ata ndihen si qytetarë të rendit të dytë e jo si qytetarë të Kosovës.

Govori: Premtime ka, por punë kurrë

“Qe 15 vjet jena pa kanalizim. Premtime ka shumë, punë s’ka, rrugën po e shihni edhe vet. Vet e kena shtru me  pare tona. Premtime ka shumë,  gjithë shkojmë në komunë kurrë, thojnë po, por  kërkush nuk thotë jo. Sivjet s’mujna,  vitin e kaluar jeni vonu ju, etj Ne qe 15 vjet me vonesë, premtime po punë kurrë. Këtu gjatë verës smund me jetu”, tha Govori.

Ai u lut që Pacolli të fitojë, por i tha që ta mbajë fjalën.

Duke e parë gjendjen dhe duke dëgjuar ankesat e banorëve Pacolli tha se nëse zgjidhet kryetar asnjë  lagje e Prishtinës e asnjë fshat nuk do të mbetet pa të gjithë infrastrukturën e nevojshme, duke filluar nga rruga e deri te ambulanca.

Pacolli: Gjatë mandatit tim të gjitha lagjet do ta kenë të gjithë infrastrukturën

“Është e pakuptimtë që edhe në këtë kohë ballafaqohemi më gjëra të tilla. Bota e civilizuar merret me teknologji ne merremi me kanalizime me rrugica me lloçin me gjëra të tilla, këto janë. Unë iu premtoj bindshëm, jo premtime në qiell por premtime reale që Brenda mandatit tim nuk do të ketë asnjë rrugë, asnjë rrugicë asnjë lagje që nuk do ta ketë rrugën, nuk do ta ketë ujin, kanalizimin, internetin, ambulancën e vet, çerdhen. Këto janë obligime elementare që komuna e Prishtinës duhet t’iu ofrojë qytetarëve të saj”, tha Pacolli. Ai tha se të gjitha këto investime do t’i bëjnë me paratë e taksapaguesve të komunës së Prishtinës. Pacolli ka vazhduar fushatën edhe në fshatin Trudë, që gjendet bri magjistrales Prishtinë-Podujevë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat