Abrashi: Unë s’merrem me Merkelin dhe Malin e Zi, por me nevojat e qytetarëve

Prishtina

Abrashi: Unë s’merrem me Merkelin dhe Malin e Zi, por me nevojat e qytetarëve

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 20:03
Fushata e LDK-së

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të martën se pas fitores së 22 tetorit, nuk do të merret me Facebook, me propagandë, as me Merkelin dhe as me Malin e Zi, siç ka bërë kryetari i deritanishëm, por do të merrem me punë konkrete sipas nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të Prishtinës.

“Kryetari i deritashëm është marrë me Klubin e Futbollit ‘Shkëndija’ dhe jo me Klubin e Futbollit ‘Prishtina’, është marrë me Merkelin dhe Malin e Zi, por jo me asfaltimin e rrugës Butovc – Matiçan, prandaj unë do ta ndryshojë këtë qasje”, është shprehur Abrashi në tubimin në Kolovicë të Vjetër.

Abrashi ka shtuar se gjatë katër viteve të shkuara është shkatërruar sektori i ndërtimtarisë, është shkatërruar kultura, është degraduar sporti, ka rënë punësimi etj.

“Administrata në komunë është mbushur me njerëz jashtë Prishtinës përkundër faktit që ka pasur mjaft kuadro nga qyteti ynë. Hartimin e programit tonë nuk e kemi bërë në zyrë, por duke biseduar dhe u konsultuar me qytetarët e secilës pjesë të Prishtinës”, është shprehur Abrashi.

“Programi ynë është i realizueshëm, ndërsa të tjerët që e patën rastin për katër vjet nuk bënë absolutisht asgjë për ju. Buxheti i komunës ka rënë për 20 milionë euro, ndërsa për katër vjet i kemi humbur rreth 75 milionë euro. Prishtina nuk e ka komoditetin të humbë 75 milionë, sepse me këto para kanë mundur të kryhen punë të mëdha”, ka theksuar Abrashi, duke shtuar se për katër vjet nuk është ndërtuar asnjë shkollë, asnjë qendër e mjekësisë familjare, nuk është shtuar asnjë metër gyp i kanalizimit, ndërsa kërkojnë vota në emër të ujit e projekteve që nuk i kanë bërë fare ata.

“Askush nuk i ka ndaluar të merren me qentë endacakë dhe shumë punë tjera që kanë mund të kryhen, prandaj detyra jonë është që më 22 tetor t’i çojmë në shtëpi”, ka thënë Abrashi.

Ndriçimi e zgjerimi i rrugës janë zotimet e Abrashit për këtë pjesë të kryeqytetit, ndërsa projekt edhe më i madh është shndërrimi i Butovcit në zonë turistike.

Kryetari i Degës së II-të të LDK-së në Prishtinë, Mustafë Krasniqi, ka thënë se duke marrë parasysh disponimin e dhjetëra mijëra njerëzve që i kemi takuar gjatë këtyre ditëve, jam i bindur se Arbani më 23 tetor do të jetë kryetar i Prishtinës.

“Ju falënderoj të gjithëve për përkrahjen kaq të madhe që po e tregoni. Kolovica e Vjetër ka një varg brengash dhe kërkesat, ndërsa kryetari është zotuar se do të punojë me përkushtimin maksimal për t’i zgjidhur ato probleme”, ka thënë Krasniqi.

“Në mandatin që po përfundon, Komuna e Prishtinës as nuk e ka shfrytëzuar buxhetin e saj dhe as nuk i ka mbledhur të hyrat që ka pasur mundësi t’i mbledhë. Natyrisht që kur nuk mundesh t’i shpenzosh, më mirë të mos mbledhësh. Kjo ka ndodhur për herë të parë. Prandaj, qytetarët nuk mund të mashtrohen më. Në qeverisjen e LDK-së, në tri nëndegë të degës sonë janë investuar mbi 30 milionë euro, ndërsa në kohën e Shpend Ahmetit janë investuar shuma simbolike”, është shprehur Krasniqi.

Image

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat