Arban Abrashi premton qendër metropolitane

Prishtina

Arban Abrashi premton qendër metropolitane

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 15:07
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi, ka prezantuar sot platformën dhe masat që do t’i marrë për zhvillim ekonomik në katër vitet e ardhshme për kryeqytetin.

Ai u zotua se do të punojë që në Prishtinë të ketë qasje metropolitane, me zona ekonomike, punësim, ulje të taksave të pronës dhe ndërtimit.

Avdullah Hoti nga LDK, ka thënë se qytetarët e Prishtinës janë mashtruar nga udhëheqja aktuale. Ai i ka numëruar projektet të cilat janë investuar në kohën e ish-kryetarit Isa Mustafa, ndërsa ka ftuar biznesmenët prishtinas që të mbështesin Abrashin që do t’i vazhdojë projektet madhore që i ka synim LDK-ja.

Hoti: Qytetarët e Prishtinës janë mashtruar nga kryetari aktual

“Janë mashtruar qytetarët e Prishtinës para katër viteve kanë pa si është punua dhe si është punua gjatë këtyre katër viteve. Prishtina është shumë e shtrenjtë për ta lejuar që edhe më tutje të udhëhiqet në këtë mënyrë. Prishtina duhet t’i përmbushë gjitha këto misione që i ka si qendër universitare, diplomatike, në shërbim të bizneseve, në shërbim të qytetarëve. Në mandatin e kaluar të LDK-së deri në vitin 2013-të , janë implementuar projekte më të mëdha që ka parë ndonjë herë Prishtina në 30-40 vitet e fundit”, tha Hoti.

Hoti ka thënë se gjitha projektet madhore që kanë ndodhur në Prishtinë, janë projekte të LDK-së, si projekti i ngrohjes qendrore, ndërtimi i unazave, fabrika e ujit, rruga B e tjera.

Ndërsa, Abrashi e ka prezantuar platformën qeverisëse për katër vitet e ardhshme. Si fillim ai ka prezantuar projektet madhore krijimi i qendrës metropolitane dhe zbutjen e papunësisë.

Abrashi: Prishtinë metropolitane

“Qëllimet kryesore kanë të bëjnë me zvogëlimin e papunësisë. Papunësia dhe luftimi i papunësisë janë prioriteti jonë më i lartë, i cili arrihet përmes një numri të madh të masave dhe ka efekte përcjellje edhe në rritje të standardeve të jetesës. Qasja e zhvillimit metropolitane e zhvillimit ekonomik nuk mund të largohemi nga kjo qasje ne jemi dëshmitarë të ndërlidhjes shumë të shpesh me qytetet përreth Prishtinës, Obiliqin, Fushë Kosovës, Graçanicës, po edhe Podujeva është afruar shumë afër në mënyrë që të kemi një qasje metropolitane, në mënyrë që të kemi maksimalizimin e tërë potencialet të kësaj zone”, tha Abrashi.

Ai po ashtu i ka numëruar masat se si do të arrihen edhe objektivat e LDK-së, për zhvillimin e ekonomik të Prishtinës.

Abrashi: Do të bëjmë reforma në tatime dhe taksa komunale

“Krijimi i zonave ekonomike, fuqizimi dhe përkrahja me infrastrukturë të këtyre zonave ekonomike, fondi i punësimit, diçka  e re në Komunat e Kosovës, në Prishtinë ka nevojë të krijojë fond të punësimit. Infrastrukturën rrugore dhe parkingjet, one stop shop për ndërtuesit, një kërkesë që ka ardhur nga vetë komuniteti i ndërtuesve që të ketë qasje të veçantë, trajtim të veçantë. Terminali i termo-daljes, studim i fizibilitetit për një Prishtinë me një vizion pas 30 vjetëve i duhet një qendër, e cila do t’i shërbejë edhe transportit dhe udhëtarëve. Një Prishtinë me një eficencë dhe zhvillim të qëndrueshëm, zona e Gollakut që mendojmë që ka një potencial të hatashëm edhe turistik edhe ekonomik. Reformim i sistemit të tatimit dhe taksave. Ne jemi dëshmitarë të rritjes së tatimeve për 200-300 %, në zonë industriale është ngritur mbi 300 për qind. E jona është që të ulim tatimin në pikën zero dhe të bëjmë rivlerësimin e pronave”, tha Abrashi.

Ai po ashtu është zotuar se do të kenë prioritet edhe inovacionin, fuqizimi i tregut të madh dhe tregjet tjera nëpër lagje. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat