Vllahiu: Më 22 tetor, prishtinasit do t’i japin fund tentimit për krijimin e një pashallëku

Prishtina

Vllahiu: Më 22 tetor, prishtinasit do t’i japin fund tentimit për krijimin e një pashallëku

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 19:41
Arbër Vllahiu

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, ka thënë se beson që prishtinasit do t’i japin fund përpjekjes për të ndërtuar pashallëk nga qeverisja e fundit në kryeqendër, njëtë siç patën bërë më 2013, kur sipas tij ndalën ndërtimin e një perandorie.

“Prishtina ka vuajtur gjithmonë për mungesë vendimarrjeje dhe nga përpjekjet për të krijuar perandori të mëdha. Por në vitin 2013 prishtinasit kanë treguar se mund ta rrëzojnë. Katër vjet nga ai vit ka pasur përpjekje për të ndërtuar pashallëk, ndërsa qytetarët do të tregojnë se mund t’i rrëzojnë edhe perandoritë edhe pashallëqet”.

Ai, në Info Lokale të Klan Kosovës, ka shpalosur planin e tij për qeverisjen e Prishtinës, duke theksuar sferën ekonomike, përfshirë krijimin e zonave të lira dhe fuqizimin e bujqësisë, si dhe investimet infrastrukturore.

“Ne kemi paraparë ndarjen e disa prej zonave ekonomike. Këto zona do të mundësojnë në disa pjesë të Prishtinës edhe prodhimin, edhe punësimin. Në disa pjesë mund ta zëvendësojmë biznesin e vogël, në të tjera atë të vogël dhe të mesëm”

“Në sferën e zhvillimin rural do të rrisim subvencionet. Kemi parasysh zhvillimin e mirë të bujqësisë dhe të blegtorisë”.

“Komuna deri tani nuk ka arritur të shtrijë shërbimet për qytetarët, përfshirë rrugën, ujin, kanalizimin. Ne në mandatin tonë, do të mund ta garantojmë qytetarin që do t’i ketë këto”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat