LDK: Jemi të vendosur për të mos lejuar vazhdimin e eksperimenteve me Prishtinën

Prishtina

LDK: Jemi të vendosur për të mos lejuar vazhdimin e eksperimenteve me Prishtinën

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 19:09
LDK, Prishtinë

Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kanë thënë të shtunën gjatë një tubimi me banorët e Barilevës se kanë hartuar program konkret dhe ofrojnë alternativë për të mos lejuar vazhdimin e eksperimentimit me komunën e Prishtinës.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka theksuar se mbështetja për kandidatin e LDK-së, Arban Abrashi dhe kandidatët e kësaj partie për asambleistë është vendimtare për t’i garantuar Prishtinës mbylljen e kapitullit të keq-qeverisjes apo mos-qeverisjes.

Ai u ka bërë thirrje banorëve të Barilevës ta mbështesin LDK-në, si bartëse e vlerave të traditës dhe prijëse e proceseve të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë. Beqiri ka thënë se LDK-ja është alternativa më e mirë dhe e vetmja për ta qeverisur Prishtinën, ndërsa ka kërkuar mobilizim të përgjithshëm që të dielën e 22 tetorit të arrihet fitorja.

Image

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka premtuar se do të jetë në shërbim të plotë të qytetarëve të Prishtinës. “Megjithëse nuk e vlen të merremi me qeverisjen aktuale, nuk mund të mos i përmend disa pika. Ata nuk janë marrë me Prishtinën dhe as me qytetarët e saj. Këto katër vjet ishin të humbura për Prishtinën, mbi 80 milionë euro të buxhetit janë humbur dhe nuk janë investuar. Mund të kishim shkolla të reja, fusha sportive, më shumë aktivitete kulturore, zgjidhje për trafikun  e të tjera. Ne nuk e kemi luksin ta lejojmë dikë të bëjë eksperimente edhe për katër vjet”, ka thënë Abrashi.

Ai ka theksuar se qeverisja e tij do ta ndryshojë këtë realitet, që Prishtinës i ka kushtuar shumë. “Projektet tona janë të prekshme dhe të realizueshme, ndërsa kudo që po shkojmë si nevojë të parë kemi evidentuar kërkesën për punësim. Administrata e Prishtinës është mbushur me njerëz nga komuna tjera, kundër të cilëve nuk kemi asgjë, por derisa ju i paguani tatimet në Prishtinë, natyrisht duhet të keni qasje më ekskluzive në këtë komunë. Krijimi i më shumë vendeve të punës në sektorin privat, zona ekonomike te qendra e panaireve, po ashtu janë prioritete, sepse për katër vjet janë larguar mbi 5 mijë punëtorë, të cilët kanë shkuar në Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjilan e Shqipëri. Kur largohen 5 mijë njerëz preken edhe bizneset tjera”, ka thënë Abrashi.

Image

Ai ka shtuar se edhe Barileva është pjesë e programit të tij. “Zgjerimi rrugës dhe urave është prioritet yni, por edhe fabrika për përpunimin e perimeve. Të tjerët i kanë mashtruar tri-katër fshatra me këtë fabrikë dhe në fund as që ka filluar ndërtimi i saj. Pra, të tjerët e kanë pasur pjesë të fushatës, ne e kemi premtim dhe do ta realizojmë. Pastrimi i lumit Llapi, po ashtu është premtim që patjetër do të realizohet”, ka shtuar Abrashi. Trotuaret, trajtimi i qenve endacakë, një lokacion për varrezat dhe projekte tjera bazike kanë zënë vend në programin e tij për këtë pjesë të Prishtinës.

Përfaqësuesit e banorëve të Barilevës, duke konfirmuar mbështetjen për Arban Abrashin dhe LDK-në, kanë theksuar se Barileva është bastion i LDK-së. Sipas tyre, rinia e Barilevës nuk po do më sera e traktorë, nuk po do të kthehet kah e kaluara, por po e synon perspektivën, pra punësimin në trevën tonë. Ata kanë thënë se në Barilevë ka shumë të shkolluar e të papunë, ndërsa këtu janë sjellë punëtorë nga Suhareka dhe komuna tjera, realitet që presin ta ndryshojë kryetari i ri i Prishtinës, Arban Abrashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat