Ahmeti premton rregullimin e tregjeve

Prishtina

Ahmeti premton rregullimin e tregjeve

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 15:33
Tregjet

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti vizitoi hapësirën ku aktualisht ndodhet AKP, ku prezantoi projektin e ri për tregun në këtë pjesë të qytetit, dhe mënyrën e funksionimit të tregjeve në të ardhmen.

Tregjet në Prishtinë aktualisht funksionojnë si Ndërmarrje Shoqërore nën menaxhim të AKP-së. Komuna e Prishtinës në mandatin e parë është fokusuar në krijimin e Tregut Mobil për prodhime vendore, projekt ky po iu mundëson prodhuesve tanë t’i shesin produktet e tyre nëpër lagjet e Prishtinës.

Në mandatin e radhës, fokusi do të jetë në revitalizimin e tregjeve statike në Komunën e Prishtinës: 

·         Tregu i Gjelbër – Në vitin 2016 Komuna e Prishtinës ka prezantuar projektin e tregut të ri në Zonën Historike, në lokacionin ku momentalisht gjendet AKP. Ajo tokë është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe në të do të vendoset tregu i ri i rrethuar nga hapësira komerciale, duke ruajtur çdo dru dhe çdo gjelbërim në atë pjesë.  Po ashtu , parashihet që aty të ndërtohet edhe një parking mesatar nëntokësor për të përmbushur nevojat e tregut. Projekti fillon zbatimin në vitin 2018

·         Tregu në Ulpianë – Do të revitalizohet në përputhje me kërkesat e lagjes, por edhe duke përmirësuar dukshëm kushtet dhe dukjen e asaj hapësire.  Realizimi i këtij projekti do të nis në vitin 2019.

·         Tregu me shumicë – Gjendet rrugës për Fushë Kosovë. Për shkak se një pjesë e tij është e vendosur në pronë të Ndërmarrjeve Shoqërore të menaxhuara nga AKP-ja, shitësit shumë shpesh janë ballafaquar me probleme të qirasë.  Gjatë mandatit të dytë do të bëhet zgjidhja e vendosjes përfundimtare të tregut, qoftë përmes rregullimit të statusit të pronësisë në mes të AKP-së dhe Komunës së Prishtinës, qoftë përmes kalimit nën menaxhim të plotë të tregut në Komunën e Prishtinës.

·         Tregu i automjeteve – Statusi i tij do të rregullohet, për shkak të interesimit shumë të madh që ka për atë treg. Është ndër tregjet më të frekuentuara. Me identifikimin e hapësirës, synojmë që këtë treg ta kthejmë në Kodrën e Trimave.

Të gjitha këto do ta krijojnë një Ndërmarrje Publike Komunale, që do të quhet “Tregjet e Prishtinës". Ajo ndërmarrje do të funksionojë dhe do të mirëmbahet nga të hyrat që i merr prej shfrytëzimit të hapësirave nga shitësit. Ato para do t’i shfrytëzojmë për investime të reja në ato pjesë. Me funksionalizimin e tregjeve të reja, do të arrijmë t’i mënjanojmë edhe shitësit ilegalë ambulantë nga hapësirat publike në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat