Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë kërkojnë pagat e tyre

Prishtina

Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë kërkojnë pagat e tyre

Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 13:24
Pamje nga protesta

Shtatëdhjetë e katër punëtorët teknikë të gjashtë shkollave të kryeqytetit kanë protestuar para komunës së Prishtinës për shkak të vonesës së pagave. Ata kanë paralajmëruar se nëse deri të hënën nuk dalin mjetet në llogaritë e tyre, atëherë do të hyjnë në grevë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha se është muaji i tretë që këta punëtor teknikë i marrin pagat duke bërë greva dhe duke protestuar.

Ai tha se kanë biseduar me pronarin e kompanisë “MSS”, ku janë informuar se do të bëhet ekzekutimi i pagave, por ai shqetësim ka se deri kur këta punëtor do t’i kërkojnë pagat e tyre me protesta.

Azemi: Deri kur pagat tona do t’i marrim duke protestuar

“Punëtorët teknikë të gjashtë shkollave në nivel të Kosovës për të cilët veç muaji i tretë është se pagat tonat i kemi marrë duke bërë grave dhe duke protestuar. Nuk kemi ardhur kështu të themi rastësisht, sepse kemi biseduar me nënkryetarin e komunës së Prishtinës, kemi biseduar edhe me pronarin e kompanisë për të cilat kemi marrë një farë forme një dëshmi se pagat tona do të kryhen, megjithatë ne nuk e dimë se deri kur, krahas punës që duhet bërë, ne duhet të mendojmë edhe për protesta dhe greva për t’i marrë pagat tona”, tha ai.

Azemi po ashtu ka kërkuar nga komuna e Prishtinës që t’i kthejë nën menaxhimin e tyre punëtorët teknikë të këtyre shkollave, duke besuar se gjendja e tyre do të jetë më e mirë.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, i cili u takua me protestuesit, ka shprehur keqardhje për organizimin e kësaj greve, pasi që ata janë dakorduar mbrëmë me përfaqësuesit e këtyre shkollave se pagat do të ekzekutohen deri të hënën.

Sipas tij kompania “MSS” brenda ditës do të kryejë obligimin ndaj punëtorëve që i ka nën menaxhim.

Nushi: Deri të hënën do e kryejmë obligimin tonë

“Pjesë e obligimit që e ka komuna do ta kryejë deri të hënën, ashtu ka qenë edhe marrëveshja me punëtorët, të cilët një pjesë e tyre janë këtu po i shoh, por edhe me kryetarin e Sindikatës, ndërsa sot kompania MSS sot e ka bërë pagesën e obligimeve ndaj punëtorëve të veten veç i ka qitur pagat në llogaritë e tyre. Ne jemi duke e shikuar mundësinë që edhe sot me përfunduar këtë punë me punëtorët, ashtu ka qenë marrëveshja edhe biseda mbrëmë, nëse jo sot të hënën gjithsesi do t’i kenë pagat”, tha ai.

Nushi ndryshe këtë protestë e kanë konsideruar si politike, për shkak se gjenden afër fushatës së balotazhit.

Ndërsa, Fazli Canolli, punëtor teknik, shprehu shqetësimin për vonesën e pagave, me të cilat ata mbajnë familjet e tyre.

Canolli: Jemi dal për pagat tona

 “Jemi dal për pagat tona ai zotëria tha çështje politike. Ne çështje politike s’e dimë çka jemi. Ne e dimë me na i dhënë pagat për idare, fëmijët nuk kanë çka hanë“, tha ai.

Punëtorët teknikë të këtyre shkollave, nën përkrahjen e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, kanë paralajmëruar se nëse deri të hënën nuk dalin mjetet në llogaritë e tyre, ata do të hyjnë në grevë. Ndryshe, punëtorët teknikë të shkollave të komunës së Prishtinës së bashku me Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat kanë protestuar edhe kohë më parë për shkak të mosmarrjes së pagave me kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat