(E plotësuar) - Transport falas për pensionist dhe me lirim për nxënës dhe studentë, bileta të integruara për udhëtim ka premtuar i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti për mandatin e ardhshëm.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shpalosur planin e tij për transportin publik ku parasheh që të zgjerojë trafikun edhe me 30 autobusë të rinj, ndërsa me 160 autobusë parasheh të mbulojë rreth 20 linjat e reja të transportit publik.
Ai iu ka premtuar banorëve të Kalabrisë, Matit 1, Vneshtës dhe Velanisë se do të jenë të përfshirë në transportin publik.
Ahmeti: Me 160 autobusë do t’i mbulojmë 20 linjat e reja
“Me 160 autobusë ne do t’i mbulojmë të gjitha linjat e reja dhe tashmë janë përgatitur janë 7 linja kryesore që prej janarit do të kemi një fushatë një muaj vetëdijësuese për linjat e reja të autobusëve dhe janë 13 ndihmëse që gjithsej janë 20 linja të reja të transportit publik...Prej janarit do të ketë linja edhe në Kalabri, edhe në Matin 1, lagjen e spitalit edhe në Vneshta edhe në lagjen Velania, pra të gjitha lagjet e qytetit të cilat nuk kanë fare linja do të jenë të përfshira. Paramendoni një sistem ku 160 autobusë janë cilësor, qytetarët i përdorin falas për pensionistë, me lirime për nxënës dhe studentë do ta shihni që ne synojmë që ta kemi gjysmën e transportit 50 për qind të jenë përdorues të transportit publik e shumë më pak të kerreve”, tha ai.
Ahmeti ka thënë se me operatorët privat do të nënshkruajnë kontrata të reja me afat prej 7 deri 10 vjeç, por iu ka vënë kusht që autobusët duhet të jenë të tipit euro 4 standard.
Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti i është kundërpërgjigjur kreut të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti i cili tha se Shpend Ahmeti po krenohet me projektet e LDK-së.
Ahmeti duke përmendur projektet e tij tha ndihet nafakali që të gjitha projektet kanë përfunduar brenda mandatit të tij të parë qeverisës.
Ahmeti: Kam qëlluar nafakali
“Shumë nafakali kom qëllu unë që të gjitha projektet si uji 24 orë, transporti publik, dyfishimi i numrit të çerdheve, ngrohja e qytetit qysh bre krejt përfunduan në mandatin tonë të parë, prandaj unë nuk merrem sot as me Lidhjen Demokratike por shpjegoj planet tona për katër vjeçarin e ardhshëm për një transport publik shumë më të mirë, për një trafik shumë më të përmirësuar në komunën tonë“, tha ai.
Ahmeti me qëllim që të ofrohen komoditet më i madh për të gjithë ata që shfrytëzojnë transportin publik ka ndarë edhe 500 mijë euro për mobilieri urbane.
Pretendenti për të parin e Prishtinës në plan ka edhe ofrimin e një tabele digjitale së bashku me hartat që do të tregoj për linjat e autobusëve që do të vijnë në pritoret e autobusëve.
Në programin për transportin publik ka paraparë edhe 5 parkingje ‘Park and Ride’ falas për personat që vijnë jashtë qytetit të cilët do të mund të udhëtojnë me një biletë nëpër të gjitha linjat e transportit publik.
Ahmeti ka premtuar edhe biletë të integruar, 2 orëshe, një ditore, një javore dhe një mujore të cilat do të vlejnë për të gjitha linjat e transportit publik në kryeqytet.
Ndryshe, kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti është në këtë balotazh përballet me kandidati i LDK-së për Prishtinën, Arban Abrashi.
***
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës Shpend Ahmeti mban konferencë për media.