Kërkohet që Prishtina ta ketë Zagrebin si model

Prishtina

Kërkohet që Prishtina ta ketë Zagrebin si model

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 14:20
Komisioni

Të hënën është mbajtur një dëgjim publik lidhur me amandematimin e Projektligjit për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, të organizuar nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.

Kryetari i këtij Komisioni Nait Hasani ka thënë se janë në përpjekje që ta bëjnë një ligji funksional për kryeqytetin. Ai ka kërkuar edhe modele dhe propozime nga organizatat jo qeveritare për qeverisje lokale lidhur me këtë projektligj. 

Sipas tij, projektligji duhet ta bëjë të dallueshëm Prishtinën prej komunave tjera.  Habit Hajredini nga ZKM ka thënë se do të japin kontributin për projektligjin në fjalë. Besnik Tahiri nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, ka thënë se Kosova është vonuar me këtë projektligj dhe është mirë që në këtë fazë të kontribuojmë për ta pasuruar projektligjin për Prishtinën.  

“Në vitin 2015 kam bërë propozim që ka të bëjë për një subjektivitet dhe kompetenca. Në atë kohë kemi paraparë zona funksionale me buxhete të ndara, e cila nuk ka ndodhur me këtë projektbuxhet. Nuk është ide e mirë që Prishtina të përfitoj buxhet më shumë se komunat tjera të Kosovës, sepse nuk duhet fokusohet zhvillimi vetëm në Prishtinë. Po ashtu duhet forcuar më shumë kuvendin komunal sikur që ka Zegrebi e të tjera. Po ashtu edhe ajo që ndërlidhet me ndërmarrjet publike duhet vizituar Zagrebin për model”, ka thënë Tahiri. 

Ai ka shtuar se Prishtina ka problem me shëndetësinë sekondare dhe ka kërkuar që kjo të rregullohet me këtë projektligj.  

Tahiri shtoi se është mirë që kryetari i Prishtinës nuk ka më shumë kompetenca mbi policinë me ligjin e për Prishtinën.  

Krenar Shala nga OJQ për Prishtinën ka thënë se me ligjin e ri do të duhej që kryetari të ketë pesë këshilltarë, sepse komuna e Prishtinës ka përgjegjësi të mëdha..  

Riza Shillova nga Policia e Kosovës ka thënë se projektligji duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën e  Kosovës. Ai shtoi se shembulli i Tiranës dhe Zagrebit për kryeqytetin e Kosovës sa i përket policisë është në rregull.  

Ky projektligj, sipas tij, ka një kosto rreth 1 milion euro. E Albulena Ndrecaj nga INPO, ka thënë se në këtë projektligj nuk ka definime për shërbime që do t’i ofrojë Prishtina. Tha se rregulli për grantin prej 4 përqind është e pranueshme për Prishtinën por duhet paraparë për çfarë do të investohen ato mjete. 

Ndërsa, Bekim Salihu nga Instituti GAP ka theksuar se para se të diskutohet për projektligjin për Prishtinën, nuk duhet harruar se ka qytete që kanë ligje siç është Obiliqi.  

Ai ka thënë se është e drejtë që Prishtina të këtë buxhet shtesë. Sipas tij, versioni aktual i këtij projektligji për Prishtinën është më i miri mundshëm, ku i shtohen disa të drejta dhe mundësi. Në dëgjim publik morën pjesë edhe përfaqësues të policisë, ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, OSCE dhe OJQ.  

Në këtë dëgjim publik nuk morën pjesë edhe drejtues të komunës së Prishtinës, ndërsa ana e qytetarëve të Prishtinës pati interesim fare pak. Ndryshe, projektligji për Prishtinën në lexim të parë është miratuar para pak kohe fillimisht nga Qeveria e Kosovës dhe në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat