Banorët e Prishtinës të mërkurën protestojnë për ndotjen alarmante të ajrit - Bota Sot
Banorët e Prishtinës të mërkurën protestojnë për ndotjen alarmante të ajrit

Prishtina

E diel, 25 shkurt 2018

Banorët e Prishtinës të mërkurën protestojnë për ndotjen alarmante të ajrit

Më: 28 janar 2018 Në ora: 17:59
Ilustrim

Ndotja e ajrit duke kaluar edhe qytetet si Nju Delhi, ka shkaktuar kritika të shumta ndaj institucioneve, duke akuzuar këta të fundit se nuk po merren me këtë problem.

E për të shprehur indinjatën për ndotjen e cila po rrezikon çdo ditë banorët, qytetarët e Prishtinës të mërkurën do ta kenë shansin të protestojnë.

Një thirrje e tillë po bëhet në rrjete sociale ku po kërkohet që të marrin pjesë sa më shumë qytetarë.

Organizatorët që nuk dihet se kush janë kanë kritikuar deklaratën e ministres Reshitaj, që tha sot se “gjërat nuk zgjidhen me shkop magjik”.

“Prishtina ka kohë që po radhitet në vendin me ajrin më të ndotur në botë. Ne, qytetarët të cilët jetojmë në kryeqytet, po e vërejmë më shumë se kurrë ndikimin e ajrit të ndotur në jetën tonë. HAZARDOUS – është rezultati më i shpeshtë në faqen e cila e tregon gjendjen e ajrit në Prishtinë, me një kontrollim të thjeshtë në internet. Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj, mes tjerash në një reagim të sajin ka thënë se ‘gjërat nuk zgjidhen me shkop magjik’. Partia Ekologjike ka kërkuar nga Qeveria që ta marrë me më shumë seriozitet ndotjen”, thuhet në faqen ku është organizuar kjo protestë.

“Një hapje e dritares e tregon realitetin e ndotjes së tmerrshme të ajrit në Prishtinë, dhe mushkëritë tona si dhe shëndeti ynë po shkatërrohet duke u ekspozuar në këtë ajër, mjegull e smog.  Pra, është koha e qytetarit dhe një proteste për të gjetë zgjidhje rreth kësaj problematike të rrezikshme. Ne, qytetarët e Prishtinës, kërkojmë që kjo çështje të merret seriozisht nga Qeveria dhe Pushteti Lokal. Koha po kalon dhe ne nuk po shohim asnjë plan më konkret e të detajizuar për ta zgjedhë problemin e ndotjes. Secili jemi viktimë, dhe askush nuk pret një mrekulli me shkop magjik për problemin”, është thirrja e organizatorëve të protestës.

Alarmin rreth ndotjes së ambientit e ka dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publik, duke u sugjeruar kosovarëve që të dalin në qytet me maska.

Kurse kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti kërkoi nga qeveria marrjen e masave për të zbutur ndotjen, duke theksuar se komuna ka shumë pak përgjegjësi në duar sa i përket kësaj teme.

Ndryshe, sipas matjeve të fundit Kosova po del vendi më i ndotur në planet.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test