Vendimi i komunës, pasnesër nga ora 6 veturat nuk hyjnë në kryeqytet

Prishtina

Vendimi i komunës, pasnesër nga ora 6 veturat nuk hyjnë në kryeqytet

Më: 29 janar 2018 Në ora: 18:08
Foto nga konferenca

Nga pasnesër do të reduktohet numri i veturave që hyjnë në Prishtinë si dhe do të ndalohet shitja e përkohshme e thëngjillit, veprime këto që do të shërbejnë si masa emergjente të reduktimit të ndotjes.

Kjo u bë e ditur sot përmes një konference të përbashkët të Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Ambientit, asaj të Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, ku njëherit iu bë apel qytetarëve që të kenë kujdes ndaj ndotjes si dhe të shmangin derivatet që rritin ndotjen e ajrit. 

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli tha se kanë marrë një subvencion nga  Ministria e Ambientit për t’iu ofruar parking dhe transport qytetarëve që vijnë në Prishtinë, në mënyrë që të parandalojnë futjen e makinave në qytet. Kjo masë që merret për të ulur ndotjen e ajrit në kryeqytet, sipas Pacollit do të fillojë të aplikohet nga dita e mërkurë, përkatësisht në orën 6:00 të mëngjesit.

Ai shpjegoi se sot kanë shqyrtuar disa ide për të gjetur masat më të mira për këtë çështje, e njëra nga to tha të jetë edhe mundësia e futjes së reduktuar të veturave në kryeqytet, sipas numrit të targave në ditë qift dhe tek.

Image
Selim Pacolli

Pacolli: Qysh pasnesër do të reduktojmë numrin e veturave që hyjnë në kryeqytet

“Ne si Kuvend Komunal kemi hasur në mirëkuptim me Ministrinë e Ambientit që kjo ministri neve të na ndajë një subvencion për trafikun urban, të cilin ne e përdorim në rast të parandalimit të futjes së automjeteve brenda, dhe sigurimit të parkingjeve jashtë qytetit. Kjo ishte ajo çfarë ne kemi biseduar sot. Ne do të fillojmë implementimin e kësaj që ditën e pasnesërme, në orën 6:00 të mëngjesit. Parandalimin e futjes së veturave në kryeqytet”, tha ai.

Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj tha se ndotja e ajrit është një problem i trashëguar.

Image
Albena Reshitaj

Reshitaj: Do të shikojmë ndërprerjen e tërësishme të shitjes së thëngjillit

“Ne po ndihmojmë Komunën e Prishtinës me subvencionim të transportit urban për të reduktuar qarkullimin e automjeteve. Në anën tjetër, Ministria e Tregtisë veç ka filluar kontrollimin e derivateve, të cilat importohen në vendin tonë, dhe shumë shpejt të gjitha ministritë në bazë të taskforcës, të cilën e kemi krijuar sot, do të fillojnë veprimet konkrete. Gjithashtu me inspektoratin e komunës jemi pajtuar që të punojmë në inspektimin e të gjitha bizneseve dhe ekonomive familjare, që i tejkalojnë normat e ndotjes. Dhe ndalimi i përkohshëm i shitjes së thëngjillit në kryeqytet, është shumë domethënëse për momentin, meqë ne në një plan afatmesëm do të shikojmë ndërprerjen e tërësishme të shitjes së thëngjillit nga eksploatimi ilegal i thëngjillit”, tha ajo.

Ajo apeloi tek të gjithë qytetarët e Republikës të Kosovës që të mos përdorin thëngjillin si  lëndë djegëse dhe lëndët e tjera të cilat e ngritin nivelin e ndotjes.

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka shpjeguar se ndalimi i qarkullimit të veturave duhet të bëhet mbi bazë ligjore, përfshirë shpalljen e një gjendjeje emergjente. 

  

Image
Flamur Sefaj

Sefaj: Duhet t’i respektojmë të gjitha bazat ligjore

“Duhet t’i respektojmë të gjitha bazat ligjore, sepse ndërlidhen shumë disiplina dhe shumë fusha në këtë çështje. Ndotës sigurisht se janë hyrja e një numri shumë të madh të automjeteve në qytet. Por po shihet se është shumë fushore, sepse kemi përdorimin e thëngjillit dhe derivateve. Kemi ndotësit e mëdhenj industrial përreth”, u shpreh ai.

Sipas tij, kjo çështje nuk mund të zgjidhet gjatë ditës, pasi që nevojiten plane më afatgjata për të reduktuar ndotjen e ajrit në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat