Ajri i ndotur, caktohen zonat e ndalimit për qarkullimin e veturave

Prishtina

Ajri i ndotur, caktohen zonat e ndalimit për qarkullimin e veturave

Më: 30 janar 2018 Në ora: 17:04
Selim Pacolli dhe Muhedin Nushi

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur masat parandaluese për uljen e ndotjes së ajrit, e cila ka marrë përmasa shqetësuese.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, tha në një konferencë për media, se komuna do ta ndalojë hyrjen e veturave në qytet, si dhe shitjen e thëngjillit.

Ai ka njoftuar për zonat për të cilat vlen kjo ndalesë, e që përfshin një pjesë të madhe të Prishtinës, kryesisht qendrën e saj, apo siç e quan, “Zemra e Prishtinës”.

Pacolli: Vetëm automjetet e transportit publik dhe rastet emergjente e kanë hyrjen e lejuar

“Të ndalohet shitja e thëngjillit brenda territorit të Prishtinës dhe nën dy: të ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës duke filluar nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 22:00. Automjetet e transportit publik, emergjenca, Policia e Kosovës, FSK-së, KFOR-it, EUELX-it, Drejtoria e Inspektoratit, taksitë e licencuara, automjetet për bartjen e personave me aftësi të veçanta, të cilat bartin shenjë identifikuese. Zonat e ndaluara përfshinë këto rrugë: Bulevardi “Bill Klinton”, nga udhëkryqi i rrugëve “Idriz Gjilanit” dhe “Bekim Fehmiut”, gjegjësisht deri te shtatorja “Bill Klinton”, Bulevardi “Dëshmorët e kombit”, nga rrethrrotullimi i flamurit,  rruga “Agim Ramadani” nga udhëkryqi i konvikteve, rruga “Edmond Hoxha” te Salla “1 tetori”, rruga “Ilir Konushevci”  nga hyrja e drejtimit të Podujevës dhe hyrja nga rrethrrotullimi i lagjes “Arbëria” në rrugën e UÇK -së dhe “Fehmi Agani””, ka bërë të ditur Pacolli.

Po ashtu, Pacolli ka cekur edhe mundësitë e qytetarëve për të qarkulluar, ku si zgjidhje do të jetë udhëtimi përmes Trafikut Urban.

Pacolli: Ky vendim fillon së zbatuari nga data 31 janar 2018

“Transporti i udhëtarëve nga ndërmarrja publike-lokale, Trafiku Urban, në intervalin kohor të cekur nga pika 1 e këtij vendimi do të bëhet pa pagesë, i cili financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Furnizimi i bizneseve duhet të kryhet në një interval kohor të caktuar prej orës 22:00 deri në orën 6 të mëngjesit. Për zbatimin e këtij vendimi obligohen Drejtoria e Inspeksionit, Policia e Kosovës do ta asistojë zbatimin e pikës 2 të këtij vendimi. Ky vendim fillon së zbatuari nga data 31 janar të vitit 2018 deri në marrjen e një vendimi tjetër nga komuna e Prishtinës”, tha ai.

Duke iu bërë thirrje qytetarëve për t’i zbatuar këto vendime, drejtori i Administratës Muhedin Nushi,  ua ka bërë me dije qytetarëve se është në favor të tyre t’i përfillin vendimet, në të kundërtën do të ndërmerren masa rigoroze nga Inspeksioni i Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Nushi: Prishtina vetëm me 200-250 taksi legalë

“Po ju rikujtoj se afër 1 mijë e 200 taksi ilegalë çdo ditë hyjnë në territorin e komunës së Prishtinës, ndërsa prishtinas të cilët e ushtrojnë këtë veprimtari të taksive, ka gjithsej 200 deri në 250. Prandaj, lusim edhe qytetarët dhe të gjitha institucionet dhe bizneset që ta aplikojnë këtë vendim dhe të jenë të vetëdijshëm se ky vendim, i cili është marrë nga Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me të dy ministritë, është në të mirë të qytetarëve për zbutjen e situatës aktuale”, tha Nushi.

I pyetur se sa matës janë të vendosur për matjen e ajrit, ai tha se shërbehen nga një matës i Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili mat vetëm grimcat e pluhurit   PM2.5, të cilat janë grimcat më të vogla. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat