Në UP nuk parashihen ndëshkime për ngacmim seksual

Prishtina

Në UP nuk parashihen ndëshkime për ngacmim seksual

Më: 3 shkurt 2018 Në ora: 16:22
Hapësirat e Universitetit të Prishtinës

Çështja e ngacmimit seksual nuk është e përfshirë në Rregulloren për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik të Universitetit të Prishtinës.

Në rregulloren e Universitetit të Prishtinës me të cilën parashikohen masa dhe procedura disiplinore ndaj shkelësve të rregullave të vendosura nga ky institucion, e as në Kodin e Etikës për Stafin Akademik, nuk është paraparë si çështje e veçantë ngacmimi seksual dhe ndëshkimet nëse ai ndodh.

Kjo mungesë u theksua edhe nga disa rektorë të njësive akademike.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu e pranoi se në rregulloret e UP-së nuk përmendet kjo çështje e ndjeshme.

“Vërtet nuk ekziston ndonjë rregullativë në Universitetin e Prishtinës që adreson në mënyrë specifike këtë çështje aq të ndjeshme siç është ngacmimi seksual, e që tani është ngritur si çështje dhe është duke u debatuar madje edhe në vendet shumë të zhvilluara”, tha Manxhuka-Kërliu.

Dekania tha se në një rregullore të përgatitur nga Rektorati i UP-së, sipas së cilës veprojnë Këshilli i Etikës dhe këshillat disiplinorë nëpër njësitë akademike, te shkeljet nuk përmendet ngacmimi seksual.

“Ekziston Këshilli Etik në nivel të UP-së dhe Komisionet disiplinore për stafin akademik në nivel të njësive akademike, të cilat punojnë sipas një rregulloreje, të cilën e ka përgatitur Rektorati, e cila shtjellon shkeljet e ndryshme dhe parashihen masat ndëshkimore për stafin akademik që bie ndesh me këto rregulla, por nuk është parapare si çështje e veçantë ngacmimi seksual”, tha dekania Manxhuka- Kërliu.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë tha se UP-ja duhet ta hartojë një rregullore kundër ngacmimit seksual.

“Konsideroj se kjo çështje duhet adresuar në nivel të UP-së duke hartuar një rregullore për çështjen e ngacmimit seksual në UP dhe e cila do të vlejë për të gjitha njësitë duke u bazuar në praktikat e mira të universiteteve tjera ndërkombëtare. Jo vetëm të përpilohet rregullorja, por edhe të zbatohet”, tha ajo.

Edhe dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës, Musa Selimi tha se çështja e ngacmimit seksual nuk është duke u trajtuar mirë.

“Mendoj se me të drejtë keni kërkuar që të diskutohet për këtë temë të ndjeshme dhe aspekt të trajtuar mirë! Në shumë takime me studentë, ne si menaxhment kemi kërkuar për çfarëdo problemi qoftë edhe të kësaj natyre që të raportojnë tek unë, apo dhe të prodekania për mësim”, tha Selimi për KALLXO.

Por dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në UP, Ahmet Shala se ky fakultet ka ndërmarrë disa masa për të parandaluar ngacmimin seksual.

“Menaxhmenti i FIM-së e pranon si detyrë edhe çështjen e parandalimit dhe marrjes së masave në raste të ngacmimeve seksuale, sidomos në ndërmarrje të masave preventive duke reaguar në stopim të problemeve qysh në zanafillë të tyre duke tërheqë vërejtjen për sjellje të pahijshme nga cilado anë që vijnë ato. Kështu është e ndaluar mbajtja e provimeve nëpër kabinete. Mbyllja e derës gjatë orarit të konsultimeve, etj.”, tha Shala.

Por tre dekanët që folën thanë se nëpër njësitë e tyre akademike nuk është pranuar ndonjë ankesë për ngacmim seksual.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu tha se kjo nuk do të thotë se ngacmimet seksuale nuk ndodhin në UP.

“ Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se nuk ekziston ky problem, por ndoshta fshihet..” tha dekania Suzana Manxhuka- Kërliu.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në UP, Ahmet Shala tha se menaxhmenti i këtij fakulteti është i përgatitur të mos i heshtë rastet e ngacmimit seksual pasi që sipas dekanit Shala, “viktimë mund të jenë diku edhe fëmijët apo familjarët tanë”.

Dekania Suzana Manxhuka- Kërliu tha se UP-ja duhet të organizojë konferenca për të diskutuar hapur për çështjen e ngacmimeve seksuale dhe të inkurajojë studentet që t’i denoncojnë profesorët të cilët sipas saj “merren me shkelje të rënda të dinjitetit duke abuzuar me pozitën zyrtare”.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi tha se duhet më shumë sensibilizim në UP për këtë dukuri negative.

“Mendoj që duhet sensibilizuar edhe më shumë duke kërkuar që studentet të jenë kooperativë më shumë dhe të adresojnë tek ne problemet e kësaj natyre”, tha Selimi.

Media për çështjen e ngacmimit seksual u dërgoi pyetje 13 dekanëve të njësive akademike të UP-së, por mori përgjigje vetëm nga tre prej tyre. Përgjigje nuk dhanë as përfaqësues të Rektoratit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat