Kenya fiton tre vendet e para në gjysmë maratonën e Prishtinës

Prishtina

Kenya fiton tre vendet e para në gjysmë maratonën e Prishtinës

Më: 29 prill 2018 Në ora: 15:01
Ilustrim

U përmbyll gara e gjysmë maratonës së Prishtinës, në të cilën tre vendet e para të kategorisë së meshkujve dhe femrave në 21 kilometërshin i kanë fituar garuesit ndërkombëtarë.

Gjysmë maratona e Prishtinës, e cila tashmë është shndërruar në një garë ndërkombëtare e Atletikës, është përmbyllur sot për të 18 herë më radhë.

Edhe këtë vit tre vendet e para si për nga kategoria e meshkujve ashtu edhe nga ajo e femrave i kanë fituar garuesit ndërkombëtarë, të cilët morën pjesë në garën e kategorisë 21 kilomterëshe.

Abel Kibet Rop nga Kenya ka përfunduar 21 kilometrat e tij në rezultat prej vetëm 1 orë, 6 minuta dhe 2 sekonda dukë zënë vendin e parë dhe duke fituar gjysmë maratonën e sivjetme.

Pas tij në vendin e dytë dhe të tretë po ashtu janë pozicionuar kolegët e tij nga Kenya. Në vendin e dytë Mark Kuchumba Rotich me rezultat 1 orë e 6 minuta dhe 39 sekonda dhe në vendin e tretë vëllai i tij Daniel Rotich Chebolei me rezultat 1 orë 7 minuta e 28 sekonda.

Fituesi i gjysmë maratonës Abel Kibet po merr pjesë për të dytën herë në gjysmë maratonën e Kosovës.

Abel Kibet Rop: Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe fitova

“Moti sot nuk ishte edhe aq i përshtatshëm, ishte shumë nxehtë dhe era që po fryente ishte shumë shumë e fortë. Megjithatë ne arritëm në finale. Ndihem shumë mirë, jam i lumtur të jem këtu dhe jam i lumtur të fitoi... kam qenë këtu edhe katër vjet më parë”, ka thënë Abel Kibet para mediave pas garës.

Nga kategoria e femrave në 21 kilometra, vendin e parë e ka fituar po ashtu nga ekipi i Kenyas, Christine Mora Oigo e cila pati rezultat prej 1 orë, 16 minuta dhe 50 sekonda.

Christine Mora Ogio: Do të vijë prapë vitin tjetër në Kosovë

“Jam shumë e lumtur që kam fituar sot dhe është e hera e parë që jam në Prishtinë dhe Kosovë, moti nuk ishte i keq por nxehtë dhe në disa kilometra edhe era shumë e fortë dhe jam shumë e lumtur që jam këtu dhe po shikoj mundësitë që të vijë vitin tjetër prapë dhe të vrapojë. Jam shumë e lumtur që jam këtu”, ka thënë ajo.

Vendin e dytë në kategorinë e femrave e ka zënë po ashtu Kenya e ka zënë Ruth Chimestro Matebo me rezultat 1 orë e 18 minuta dhe 42 sekonda, ndërsa vendin e tretë e ka zënë hungarezja Csilla Pap.

Në gjysmë maratonë ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i përcjellë nga truprojat  tij.

Vrapimi i kryeministrit zgjati 2 orë e 35 minuta. Haradinaj po ashtu ka ndarë çmimet për kategorinë e grave veterane, vendin e parë të së cilës kategori e ka zënë gazetarja Jeta Xharra.  Megjithatë Xharra nuk ishte e pranishme në ceremoninë e ndarjes së medaljes.

Pas ceremonisë në një deklaratë për media kryeministri Haradinaj falënderoi organizatorët për gjysmë maratonën që sipas tij tashmë ka marrë tashmë fizionominë e saj.

Haradinaj iu bënë thirrje të rinjve të merren me sport

“Shfrytëzoj rastin me i uru gjithë garuesit, me i falenderu organizatoret, rininë, Policinë dhe besa edhe shoferët që iu kemi ndërpre në disa raste rrugën. Mendoj që gjysmë maratona e Prishtinës e ka marrë fizionominë e vet dhe tashmë është një garë ndërkombëtare dhe I ftoj të gjithë të rinjtë që të vrapojnë me shumë”, ka thënë kryeministri.

Ky edicion i gjysmë maratonës së Prishtinës është edicioni i 18 më radhë. Edicioni i parë ishte organizuar në vitin 2001, kur edhe për herë të parë dhe të vetme garën kishte fituar atleti kosovar Zijadin Kryeziu.

Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovë nën patronazhin e së cilës është organizuar gjysmë maratona, Hilmi Sylejmani thotë se shpresojnë që pjesëmarrja  e atletëve do të rritet ndër vite dhe se në garat e ardhshme do të kemi edhe fitues të vendeve të para nga Kosova.

Sylejmani: Duhet më shumë punë dhe më shumë profesionalizëm

“Ne si federatë atletike të Kosovës me një përkushtim të jashtëzakonshëm, profesionalizëm dhe përkushtime të jashtëzakonshëm  duhet të bëjmë diçka që pak ta lëvizim këtë popull që të merret me sport dhe njëherësh me atletikë sepse atletika është kategori në të cilën pa e pyet kryeartin e federatës apo dikë tjetër mund të garojë në çdo garë që organizohet në botë dhe ku mund të arrish rezultate ... Atletika është një sport super i vështire dhe të për të arritur vendin e parë duhet një punë e jashtëzakonshme, një ushqim të jashtëzakonshëm, dhe një profesionalizëm të jashtëzakonshëm por ne si federatë kemi dhënë provimin e jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.

Sipas Sylejmani diku 1500 garues kanë marrë pjesë në gjysmë maratonën e sotme.  Gara është përcjellë nga qytetarë të cilët kanë bërë tifo për garuesit.

Pjesë e garuesve përveç atletëve kanë qenë edhe pjesëtarë të FSK-së ë cilët vazhdimisht në mënyrë simbolike përkrahnin gjysmë maratonën.

Ndërsa kanë marrë pjesë edhe garues nga komuniteti i mediave, artistëve dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Gjysmë maratona e Prishtinës është ndër organizimet e pakt anë nivel ndërkombëtare që mbahen në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat