Vetëvendosje: Shpend Ahmeti e vodhi mandatin nga ne, po e ndan me PDK-në

Prishtina

Vetëvendosje: Shpend Ahmeti e vodhi mandatin nga ne, po e ndan me PDK-në

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 09:28
Kuvendi Komunal i Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje deklaron se Shpend Ahmeti e ka vjedhur mandatin nga ky subjekt dhe tani po e ndan me PDK-në.

Në një reagim të këtij subjekti politik thuhet se Shpend Ahmeti e tejkaloi arrogancën e paturpësinë e djeshme ndaj të zgjedhurve e qytetarëve duke e shpërfaqur të plotë të vërtetën që bart, pra bashkëpunimin me PDK-në.

“Duke u bërë bashkë me PDK-në, sot kryetari i Komunës inauguroi zaptimin e Komunës tonë. Ky zaptim bëhet i mundshëm sipas tyre duke e larguar VETËVENDOSJE!-n. Andaj edhe e shkarkuan asamblistin Egzon Azemi nga aksionari i NPB-së. Për këtë iu deshën votat e PDK-së. Kjo parti zaptuese e shtetit bashkëveproi sot me Shpend Ahmetin në mbledhjen e shtatë të Kuvendit për ta luftuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Fillimisht ia bëri kuorumin, më pas ia mundësoi votimin kundër Lëvizjes si dhe e ndihmoi për emërimet nga PSD e AAK që Shpend Ahmeti i kërkoi”, thuhet në reagim.

Vetëvendosje thotë se PDK, siq e quan parti me drejtues uzurpatorë të shtetit, por me vetëm 10% të votave në Prishtinë, sipas VV-së, nuk vepron jashtë pazareve as nuk dhuron asgjë.

“Shtrohet pyetja, çka i ka dhënë nga qyteti i Prishtinës Shpend Ahmeti PDK-së për t’ia marrë votën sot? Kjo sjellje e z. Ahmeti nuk është e re. Shpend Ahmeti e ka vjedhur pushtetin për Prishtinën nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe tani po ia dorëzon atë PDK-së. Vullneti i qytetarëve nuk rregullohet në tregun e mallrave. Nuk mundet të tradhëtosh votën që ta kanë dhënë qytetarët si VETËVENDOSJE! pa shkuar në prehrin e SHIK-ut.

Zelli i madh që e ka kapluar për ta luftuar VETËVENDOSJE!-n nuk e ka pasur në luftimin e pushtetit. Në këtë beteje e përfshinte organizata e Lëvizjes dhe aktivistët e vendosur për të çliruar qytetin nga mafia. Shpendin e kemi njohur si frikacak. Atij po i duket se po trimërohet në krah të PDK-së. Por në krah të PDK-së nuk ka vend me trimërim por për korruptim.

Sot për sot Shpend Ahmeti dëshiron t’ju dorëzohet herë njërës parti të pushtetit herë tjetrës, secila me projekte të dëmshme për shtetin. Por secila nga këto palë, përfshirë Shpend Ahmetin duhet ta dinë se e kanë përballë Lëvizjen VETËVENDOSJE! edhe organizimin e qytetarëve”, shkruan Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat