BIK rrethon lokacionin e xhamisë qendrore, ende s’kanë leje për ndërtim

Prishtina

BIK rrethon lokacionin e xhamisë qendrore, ende s’kanë leje për ndërtim

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 18:06
Gurthemeli i Xhamisë Qendrore

Bashkësia Islame e Kosovës e ka rrethuar hapësirën ku është vendosur që të ndërtohet xhamia qendrore në Prishtinë me para të Turqisë. Por, aty po bëhet vetëm pastrimi i lokacionit pasi Komuna ende s’ka dhënë leje për ndërtimin e xhamisë së shumëpërfolur viteve të fundit.

Xhamia Qendrore e kryeqytetit e cila është premtuar të ndërtohet tash e pothuajse një dekadë, ende do kohë deri sa të fillojë të ndërtohet, kjo pasi BIK’u ende nuk ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës lejen e ndërtimit.

Sipas Komunës së Prishtinës, BIK’u ka më shumë se një vit që i ka marrë kushtet ndërtimore, po ashtu këtë vit ka aplikuar për vazhdimin e  afatit të tyre, mirëpo deri më tani, BIK’u nuk e ka kërkuar lejen për ta ndërtuar xhaminë.

“Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka më shumë se një vit që i ka marr kushtet ndërtimore, dhe sivjet ka aplikuar për vazhdimin e afatit të tyre. Kur pala i merr kushtet ndërtimore nga Komuna, mund ta bëjë rrethimin e punishtes, heqjen e shkurreve, e të ngjashme. Zhvillimet aktuale në terren, janë në kuadër të kësaj. Përndryshe, BIK ende nuk ka aplikuar për leje të ndërtimit”, ka thënë Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës Adonis Tahiri,..

Ndërsa edhe Bashkësia Islame e Kosovës e ka konfirmuar për Express se fillimisht vetëm po rrethohet dhe po pastrohet hapësira ku do të ndërtohet xhamia dhe se ndërtimi nuk do të fillojë menjëherë. Duke mos dhënë ndonjë afat kohor, Zëdhënësi i BIK’ut Ahmet Sadriu ka thënë se janë duke u bërë parapërgaditje.

“Është duke u bërë parapërgatitja e terrenit, po bëhet rrethoja. Njëherë nuk janë të parapara të fillojnë ndërtimet, janë duke u bërë vetëm disa punë teknike, por nuk kam ndonjë datë së kur do të fillojë ndërtimi”, ka thënë Sadriu.

Ndërsa pyetjes se a ka aplikuar BIK’u për leje të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Sadriu  i është përgjigjur se “janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme”

Që nga viti 2012, në parkingun e Telekomit të Kosovës në Prishtinë, është vendosur gurthemeli i Xhamisë Qendrore, për të cilën ka pasur shumë diskutime.

Temë diskutimi ishte bërë lokacioni, i cili fillimisht ishte folur të jetë ai pranë Kampusit Universitar, ide kjo e nënkryetarit të komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, i cili kishte thënë se Kampusi Universitar duhet të zhvendoset në periferi të qytetit dhe brenda asaj zonë mund të ndërtohet një xhami me 20 kupola. Kjo ide ishte kundërshtuar  nga Këshilli Drejtues i Universitetit “Hasan Prishtina”.

Kundërshtar i kësaj ideje kishte dalë edhe ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili kishte thënë se në Kampusin Universitar të Prishtinës nuk duhet lënë asnjë objekt fetar, pasi ai është i vetmi vend në kryeqytet i rezervuar për arsim e edukim.

Ndërkohë, lokacioni për ndërtimin e xhamisë ishte vendosur të jetë ai pranë Telekomit të Kosovës.

Edhe për këtë lokacion fillimisht kishte kundërshtime. Shoqëria civile kishte filluar një peticion me të cilin synonin të parandalonin procesin e ndërtimit, sepse sipas tyre “objekti me destinacion fetar nuk është në harmoni me objektet e zonës në tërësi dhe sipas destinimit të caktuar të bllokut që është e përcaktuar në planin rregullativ”.

Edhe pse tashmë janë hequr të gjitha dilemat rreth lokacionit të ndërtimit të xhamisë, duket se kjo do të presë deri kur BIK’u të kërkojë leje nga Komuna e Prishtinës, dhe për këtë duhet të presë në një afat rreth 45 ditësh, e kjo  si duket i humb shpresat e besimtarëve myslimanë që ndërtimi i xhamisë të fillojë këtë vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat