U shënua Java e Distrofisë Muskulare

Prizreni

U shënua Java e Distrofisë Muskulare

Më: 4 qershor 2016 Në ora: 17:11
Aktiviteti

Me qëllim të sjelljes së sfidave të personave me distrofi muskulare në vëmendjen e shoqërisë në tërësi dhe institucioneve të shtetit në veçanti të premten dhe të shtunën në Prizren është shënuar “Java e Distrofisë Muskulare”.   

 

Programi i “Javës së Distrofisë Muskulare” përmbante aktivitete sensibilizuese, të realizuara në formë të aktivizmit kulturor në hapësirën publike, duke synuar adresimin e çështjeve me të cilat ballafaqohe personat me nevoja të veçanta në baza ditore.

 

Distrofia muskulare është gjendje në të cilën muskujt, me kalimin e kohës (muajve dhe viteve) bëhen gjithnjë e më të dobët, dhe paraqitet në forma të ndryshme. Por përkundër kësaj, bëhet fjalë për persona me karakter të fortë, gjë të cilën ata e demonstrojnë gjatë tërë vitit, por edhe në kuadër të “Javës së Distrofisë Muskulare”. Prandaj, është detyrë e shoqërisë dhe institucioneve që ti dëgjojnë kërkesat për të siguruar një jetesë më të dinjitetshme për personat me distrofi muskulare.

  

Aktivitetet në kuadër të “Javës së Distrofisë Distrofisë” sivjet u organizuan nga Organizata e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës dhe u përkrahën financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një pjesë e aktiviteteve të Javës së Distrofisë u organizua në bashkëpunim me EC Ma Ndryshe, në kuadër të projektit “Prizreni, qytet pa pengesa”, që përkrahet financiarisht nga USAID nga programi E4E dhe mbikëqyret nga ATRC.

 

Në ditën e parë të këtij manifestimi janë vendosur siluetat para institucioneve publike dhe në disa hapësira publike, për të vënë në pah pengesat fizike për personat me nevoja të veçanta dhe një hapësirë është improvizuar si zyrë pune në Sheshin e Lidhjes, për të adresuar problemin e mungesës së hapësirave të punës dhe rehabilitimit të personave me distrofi muskulare.

 

Gjatë ditës së dytë, përsonat me nevoja të veçanta dhe aktivistë tjerë realizuan një numër aktivitetesh në qendrën e qytetit: lidhur për karrocë, kafe për të gjithë, një përqafim për mua, izolimi, zyrtarë me kufizime, ekspozitë, pikturim dhe parashura.

 

“Java e Distrofisë Muskulare” është aktivitet tradicional i Organizatës së Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat